Alarmante është gjendja me përdorimin e narkotikëve nga nxënësit në Tetovë, shqyrtohet mundësia e vendosjes së detektorëve të tymit (Video)

Përdorimi dhe shitja e lëndëve narkotike nga nxënësit, mungesa e sigurimit në hyrje të shkollave, mungesa e stafit profesional, lojërat e fatit. Këto janë vetëm disa nga problemet lidhur me sjelljet devijante në shkollat e Tetovës, shkruan Portalb.mk. Kryetarja e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve Blerta Ahmedi tha se ka më shumë sfida dhe probleme me të cilat ballafaqohen shkollat.

“Në të gjitha shkollat mungon personel në cilësinë e sigurimit fizik i cili do të jetë kompetent për të mbikëqyrur hyrjen dhe daljen nga shkollat përkatëse. Problem tjetër është mungesa e personelit profesional, kemi shkolla që kanë numër të ulët të këtij personeli, rekomandimi jona është të rritet numri i të punësuarve psikolog, sociolog dhe punëtorë socialë. Rritja e bashkëpunimit me SPB, kërkohet që të rriten masat me karakter preventiv. Problemi janë objektet e lojërave të fatit që janë afër objekteve të shkollave”, tha Ahmedi.

Ajo shtoi se stafi mësimor në anketën e tyre anonime e ka paraqitur problemin se nxënësit përdorin dhe i shesin lëndët narkotike.

Ndërkaq për informatat se nëpër shkolla konsumohet duhan është i njoftuar edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami. Ai tha se shqyrtohen mundësitë që të vendosen detektor tymi nëpër tualete.

“Informatë që qarkullon gjithandej është se ka keqpërdorime të fëmijëve në tualete të shkollave ku ndoshta pihet duhan apo edhe veprime tjera të pahijshme, këtu e kemi menduar mundësinë dhe do të shikohet me sektorin për arsim në kuadër të komunës që të instalohen edhe detektorë të tymit nëpër tualetet e shkollave sepse nuk kemi ndonjë denoncim nga profesorët, drejtoria e shkollave edhe pse bisedohet gjithandej në qytet se tualetet e shkollave keqpërdoren për kështu raste”, tha Kasami.

Lidhur me fshehjen e rasteve të problemeve devijante nëpër shkolla nga ana e drejtorëve, Kasami tha se mund të jetë tendencë e drejtorive të shkollave por se kjo nuk është tendencë e komunës.

“Nuk është qëllimi që këto raste me t’i hedhim ndër tepih, përkundrazi të ballafaqohemi me këto situata dhe të merren masat adekuate”, tha Kasami.

Përveç këtyre sjelljeve, problematike mbeten edhe rastet e dhunës midis nxënësve.

Një nga rastet më shqetësuese të dhunës midis nxënësve ndodhi në muajin prill në shkollën fillore “Istikball” të Tetovës ku bashkëmoshatarët dhunuan fizikisht shokun e klasës së tyre, duke e hedhur në lartësi dhe që pas rënies pësoi lëndime të rënda.

Sipas Policisë së Tetovës edhe pse numri i rasteve të tilla është në rënie, ata ende mbeten të pranishme.

Në vitin 2023 në Policinë e Tetovës u regjistruan 16 raste të dhunës në shkolla.

Ndërkaq në pesë muajt e parë të vitit 2024 u regjistruan 7 raste.

Për dhunën midis nxënësve Gjykata e Tetovës nga viti 2020 deri në 2023 ka të regjistruara 197 lëndë ndërsa ka sjellë 186 aktgjykime.

Në drejtim të parandalimit të sjelljeve devijante, më 17 maj 2023 në Tetovë u formua Këshilli Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve, i cili është obligim ligjor sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve i cili duhet të themelohet në të gjitha komunat në vend, por që jo të gjitha e kanë formuar.

Ekspertët e fushës vazhdimisht kanë apeluar që në këtë drejtim nevojitet bashkëpunim më i madh i prindërve, shkollave dhe institucioneve.

DelikuencaDhunë - DhunaDrogë - lëndë narkotikeKomuna e TetovësTë rinj - Rini - RiniaTetova