Afrim Gashi: Nuk kemi nënshkruar deklaratë të përbashkët siç pretendon Ali Ahmeti

Nuk është e vërtetë që kemi nënshkruar deklaratë se nuk do t’i bashkohemi një qeverie që nuk do të bëjë ndryshimet kushtetuese. Këtë pohim e ka bërë në emisionin “360 Gradë” në TVM 1, kreu i Alternativës, pjesë e koalicionit “Vlen”, Afrim Gashi, transmeton Portalb.mk.

Gashi shtoi se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ëndërron dhe po kërkon rrugë për të qëndruar në pushtet.

“E pasaktë. Nëse është e vërtetë, ai duhet ta tregojë atë letër. Ku është ajo letër? Nëse e ka, le ta tregojë. Ai po lexonte një letër që ne e kemi parë, ka qarkulluar në qarqe të caktuara, por pa nënshkrimin tonë. Ai mund të ketë firmosur, por nuk ka një letër të tillë. Ai ëndërron, sheh një mënyrë për të qëndruar në pushtet, por shqiptarët i thanë se duhet të shkojë në opozitë dhe këtë duhet ta pranojë. Loja ka përfunduar”, thotë Gashi.

Lideri i Alternativës tha se në takimin e parë VMRO-DPMNE ka përsëritur qëndrimin e programit zgjedhor se nuk kanë problem me bullgarët në Kushtetutë, por kanë problem me garancitë.

“Në politikë ka gjithmonë zgjidhje dhe kompromise. Më besoni se zgjidhjet gjenden. Mendoj se duhet të ulemi dhe të bëjmë një diskutim thelbësor dhe të sinqertë dhe mendoj se do të gjendet një përgjigje”, thotë ai.

Dy ditë më parë, Ali Ahmeti ka lexuar tekstin e një deklarate e cila sipas tij është nënshkruar së bashku me Arben Taravarin, Afrim Gashin, Bilal Kasamin dhe Izet Mexhitin më 13 janar të këtij viti, ku thuhet se do të bashkëpunojnë vetëm me partitë politike që janë dakord për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese.

Sot ose nesër do të formohet një grup pune, ndoshta fillimisht do të flasim edhe një herë në nivel të kryetarëve të partive, e më pas në nivel të sekretarëve të përgjithshëm apo nënkryetarëve, thotë Afrim Gashi.

Sipas negociatave fillestare, thotë Gashi, pritshmëria është që vendi të ketë qeveri të re deri në mesin e qershorit, sepse përkushtimi për formimin më të shpejtë të qeverisë është i “Vlenit” dhe i VMRO-DPMNE-së.

“Mendoj se nga mesi i qershorit do të ketë një qeveri, e vlerësoj pas bisedës së parë që bëmë. Nëse gjërat shkojnë kështu, mendoj se do të jetë shpejt”, tha Gashi.

Sa i përket preferencave për resor, edhe pse në takimin e parë nuk është diskutuar për këtë temë, Gashi thotë se angazhimi i tyre është që të kenë përfaqësues në resoret që kanë të bëjnë me pesë shtyllat për të cilat kanë qëndruar në fushatën zgjedhore, si integrimi në BE, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, decentralizimi dhe arsimi. Por kjo nuk do të thotë se njerëzit e Vlenit duhet të marrin pashmangshmërisht poste ministrore në këto fusha.

“Ne do të duam të kemi njerëz për këto dikastere, anëtarët tanë do të jenë në poste të rëndësishme, por nuk do të thotë dhe nuk ka pse të jenë ministra. Koncepti ynë do të jetë që qeveria të funksionojë si një, të kemi një program qeveritar dhe të mos ketë rëndësi se cili është emri i ministrit, nga çfarë etnie është apo nga cila parti politike është”, thotë kreu i Alternativës.

Gashi thotë se ideja e VMRO-DPMNE-së për riorganizimin e ministrive është e pranueshme dhe mendon se është e drejtë dhe është e bazuar në argumente.

Afrim GashiAli AhmetiFronti EvropianVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)VMRO-DPMNE