Socialdemokratët (SPD) dhe partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) janë kokë më kokë në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore, sipas exit-polleve, me AfD-në në një epërsi të ngushtë, transmeton Euractiv.
Manuela Schwesig nga SPD-ja dhe kandidati i AfD-së, Leif-Erik Holm, parashikohet të kenë përkatësisht rreth 36.5 dhe 38 përqind të votave.
AfD-ja ka pothuajse dyfishuar rezultatin e saj të vitit 2021 në këtë land, duke u mbështetur në rezultatin e saj pranë shumicës në Saksoni-Anhalt dhe duke e afruar edhe një land tjetër të Gjermanisë lindore me mundësinë për të marrë pushtetin.
Megjithatë, rezultati shënon një rikthim të rëndësishëm për Schwesig dhe Socialdemokratët, të cilët patën një rritje të fortë në javët e fundit të fushatës.
“Do të jetë një natë e gjatë”, u tha Schwesig mbështetësve të saj në Orangerie-n piktoreske të kështjellës së Schwerinit. Numërimi i mëtejshëm i votave mund ta ngushtojë diferencën me rivalin e saj të AfD-së.
Megjithatë, “dhemb të shohësh atë shirit të madh blu”, tha politikania e SPD-së, duke iu referuar ngjyrës së AfD-së.
Ndërkohë, bashkëkryetari i AfD-së, Tino Chrupalla, e cilësoi rezultatin si “të jashtëzakonshëm”. Në festën e partisë pas zgjedhjeve, ai u tha mbështetësve se AfD-ja tani do të kërkojë të qeverisë landin.
Sipas projeksioneve, edhe të Gjelbrit dhe Die Linke kanë kaluar pragun prej 5 përqind për të hyrë në parlamentin e landit.
Për CDU-në e kancelarit Friedrich Merz, rezultati përbën një tjetër goditje të rëndë. CDU-ja parashikohet të marrë vetëm 5 përqind, rezultati i saj më i dobët ndonjëherë në një zgjedhje që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Berlini
Ndërkohë, në kryeqytet, e majta radikale pritet të marrë 26 përqind, sipas exit-polleve, ndërsa Die Linke ka dyfishuar rezultatin e saj prej 12.2 përqind nga viti 2023.
Elif Eralp, kandidatja kryesore e partisë, e përshëndeti rezultatin duke e cilësuar atë si një mesazh “dashurie dhe drejtësie” për botën.
Socialdemokratët dhe të Gjelbrit janë përkatësisht në 12 dhe 15.5 përqind, ndërsa AfD-ja ka marrë 13.5 përqind të votave.
Së bashku, tri partitë e majta janë në rrugën drejt një shumice, duke hapur mundësinë për rikthimin e një qeverie të majtë në kryeqytet, këtë herë nën drejtimin e Die Linke.
Kandidati kryesor i SPD-së, Steffen Krach, i cili ra në vendin e pestë, e cilësoi rezultatin si “katastrofik”. Partia e tij kishte dominuar politikën e kryeqytetit gjerman për dekada.
CDU-ja e Merzit mori vetëm 20 për qind. CDU-ja ka qeverisur Berlinin gjatë tre viteve të fundit, pas një fitoreje të papritur në zgjedhje, e nxitur nga pakënaqësia me politikat e të Gjelbërve dhe zemërimi më i gjerë për gjendjen e qytetit.
Deri tani, 72 përqind e berlinezëve kanë votuar, nëntë pikë përqindjeje më shumë se në vitin 2023. Në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore, pjesëmarrja në votime arriti në 75.5 përqind, nga 70.8 përqind në vitin 2021.