Afati për zbatimin e masave korrigjuese për rajonin e Ohrit zgjatet, UNESCO jep edhe një vit 

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s sot në Paris vendosi të shtyjë regjistrimin e Rajonit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore në Rrezik, transmeton Portalb.mk. 

Kjo do të thotë që Ohrit dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, së bashku me Shqipërinë, u është dhënë edhe një vit për të përmbushur një sërë detyrimesh dhe për të vepruar sipas rekomandimeve të vërejtura në raportet e mëparshme të Misioneve të Monitorimit Reaktiv. Ata do të duhet të paraqesin një raport në UNESCO deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm. 

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski deklaroi se statusi i Liqenit të Ohrit si trashëgimi natyrore dhe kulturore është ruajtur. Ai theksoi se ky sukses është rezultat i “diplomacisë aktive, të përkushtuar dhe të koordinuar në bashkëpunim me partnerët dhe miqtë tanë nga bashkësia ndërkombëtare”. 

Mucunski theksoi se që nga dita e parë, së bashku me Kryeministrin Mickoski dhe Ministrin e Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov, ata kanë qenë të përfshirë në mënyrë aktive në proces, duke zhvilluar diskutime intensive dhe duke ndërtuar qëndrime të përbashkëta me shtetet anëtare të Komitetit të Trashëgimisë Botërore. 

Ai kritikoi situatën e trashëguar, të cilën e quajti rezultat i “viteve të neglizhencës, menaxhimit të papërgjegjshëm dhe mungesës së masave thelbësore nga qeveria e mëparshme”, duke shtuar se qasja e tyre ishte “e përkushtuar dhe e fokusuar në rezultate”.  

Pavarësisht ruajtjes së statusit, Mucunski është i vetëdijshëm se ky është vetëm hapi i parë.  

“Ne kemi detyrimin të sigurojmë mbrojtje afatgjatë, menaxhim të qëndrueshëm dhe të rindërtojmë besimin në institucione dhe kapacitetin e shtetit për t’u kujdesur për trashëgiminë e tij më të vlefshme natyrore dhe kulturore”, tha ai në konferencën e sotme për media në qeveri. 

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov shtoi se vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i jep Maqedonisë dhe Shqipërisë një vit shtesë për të zbatuar masa korrigjuese, pra një afat kohor për zbatimin e aktiviteteve për ruajtjen e trashëgimisë botërore natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit. 

Lutkov theksoi se ky vendim është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të Qeverive të Maqedonisë dhe Shqipërisë, të cilat u njohën nga anëtarët e Komitetit. Ai theksoi se pritej një rekomandim për rrezikim, por se me një “ofensivë të përbashkët diplomatike” ata arritën të siguronin një vit shtesë. 

Vendimi i Komitetit, sipas Lutkov, do të jetë një nxitje dhe motivim për të vazhduar seriozisht me masat specifike që do të mundësojnë zbatimin e menjëhershëm të masave korrigjuese të parashikuara bazuar në rekomandimet e misioneve reaktive të viteve 2020 dhe 2024, si dhe planin strategjik të rehabilitimit. 

Lutkov, duke kritikuar qeverinë e mëparshme, tha se tani “nuk duhet të lejojmë veten të trajtojmë trashëgiminë natyrore dhe kulturore botërore të Rajonit të Ohrit si në të kaluarën”. 

Ai kujtoi se premtimet ishin dhënë dy herë, por asgjë nuk ishte bërë gjatë qeverive të LSDM-së dhe BDI-së.  

“Në shtatë vitet e fundit, asnjë nga rekomandimet e UNESCO-s nuk është marrë parasysh dhe në vend të mbrojtjes, kemi qenë dëshmitarë të mosveprimit sipas raporteve të ekspertëve dhe shkatërrimit sistematik”, shtoi Lutkov, duke akuzuar qeverinë e mëparshme se e ka sjellë Ohrin në prag të humbjes së statusit të tij. 

Lutkov paralajmëroi angazhim maksimal, në koordinim me të gjitha institucionet kompetente dhe ekspertët vendas, për të ruajtur statusin e Ohrit dhe Rajonit të Ohrit, që është “një detyrim dhe detyrë ndaj shtetit”. 

Kujtojmë se, Komiteti për Trashëgimi Botërore të UNESCO-s në draft–dokumentin e miratuar në kuadër të sesionit të 47-të të këtij viti kërkoi që rajoni i Ohrit të vendoset në listën e pasurive botërore dhe kulturore në rrezik. Po aty, u theksua se vazhdon degradimi i atributeve të cilët e transferuan rajonin e Ohrit si trashëgimi e mbrojtur e UNESCO-s dhe u kërkua përmbushje e vërejtjeve të misionit reaktiv monitorues nga viti i kaluar.

Liqeni i Ohrit - StrugësUNESKO – UNESCO