A po shuhen shpresat për IA pikërisht kur Anthropic po del në bursë?

Rënia e fortë e aksioneve të teknologjisë pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA ka ngritur pikëpyetje mbi daljen e afërt të Anthropic në bursë, raporton Dojçe Vele (DW).

Viti 2026 duhej të ishte viti kur investimi trilionë dollarësh i Wall Street-it në inteligjencën artificiale do të fillonte të jepte fryte. Në vend të kësaj, po shndërrohet në një provë nervash.

Në gjysmën e parë të vitit, shumë aksione të kompanive të IA-së(Inteligjenca Arificiale) arritën nivele rekord, ndërsa gjigantë amerikanë të teknologjisë si Alphabet i Google, Meta dhe Microsoft shënuan fitime të jashtëzakonshme.

Dy nga kompanitë më të mëdha të inteligjencës artificiale, Anthropic dhe OpenAI, njoftuan planet për të dalë në bursë, pas IPO-së së shumëreklamuar të SpaceX në qershor, e cila për pak kohë e bëri Elon Musk-un trilionerin e parë në botë.

Ndërkohë, modelet e inteligjencës artificiale janë përmirësuar ndjeshëm në kryerjen e detyrave të vështira, në garën për të tejkaluar inteligjencën njerëzore.

Dyshimet për AI-në shkaktojnë turbulenca në tregje

Megjithatë, gjysma e dytë e vitit 2026 ka sjellë shumë më tepër pasiguri. Ndërsa aksionet e prodhuesit të çipave Nvidia u rritën edhe më tej muajin e kaluar, shumë gjigantë të teknologjisë dhe kompani të prodhimit të çipave apo memorieve kanë përjetuar luhatje të forta të çmimeve të aksioneve.

Javën e kaluar, pasi demokratët siguruan kontrollin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e ndërmjetme, aksionet e teknologjisë shënuan një rënie drastike. Të ashtuquajturat “Shtatë Madhështoret”, ku përfshihen Meta, Apple, Amazon dhe Tesla, humbën më shumë se një trilion dollarë në vlerë brenda vetëm një dite tregtimi.

Në një zhvillim tjetër, sektori i IA-së pësoi një goditje të re javën që sapo kaloi, pasi aksionet e Nvidia ranë me gati 10% brenda dy ditësh. Rënia erdhi pas lajmit se bordi i Nvidia-s, së bashku me FBI-në, po heton lidhjet e drejtorit ekzekutiv Jensen Huang me një grua që shërbimet amerikane të inteligjencës dyshojnë se është spiune kineze.

Të enjten (12.11.2026), Huang dha dorëheqjen nga kompania, pasi u bë publik një tjetër pretendim për një lidhje jashtëmartesore, çka shkaktoi një rënie të mëtejshme të aksioneve të Nvidia-s.

Shpenzime kolosale, por fitimet e mëdha ende mungojnë

Wall Street po bëhet gjithnjë e më i kujdesshëm për shkak të përmasave të jashtëzakonshme të investimeve në IA, mes paralajmërimeve se të ardhurat e ardhshme mund të mos i justifikojnë shpenzimet e mëdha. Presioni në rritje ndaj ligjvënësve amerikanë për të kufizuar zgjerimin e qendrave të të dhënave për AI-në i ka shtuar edhe më tej këto dyshime.

Në shtator, banka e investimeve Goldman Sachs vlerësoi se gjigantëve të teknologjisë u nevojiten rreth 300 miliardë dollarë të ardhura vjetore nga AI-ja vetëm për të mbuluar shpenzimet e tyre, duke lënë aktualisht një hendek prej rreth 230 miliardë dollarësh.

“Nuk jemi më në Kansas”, tha për DW Dennis Dick, kryestrateg i tregjeve në Stock Trader Network me seli në Kanada, duke nënkuptuar se kohët kanë ndryshuar. Sipas tij, investitorët tani po u thonë kompanive: “Na tregoni paratë.”

Aksioneve të AI-së u duhej një “korrigjim i shëndetshëm”

Analistë të tjerë mendojnë se është ende herët për të pritur bllofin e IA-së. Mes tyre është Kit Rees, stratege investimesh në kompaninë londineze të menaxhimit të pasurisë Quilter, e cila e cilësoi rënien e javës së kaluar si një “korrigjim të shëndetshëm”.

“Jemi ende në fazat shumë të hershme të zhvillimit të infrastrukturës së IA-së”, tha Rees për DW. “Ka ende shumë entuziazëm për këtë teknologji dhe investitorët do të duan të marrin pjesën e tyre.”

Përveç rreth 800 miliardë dollarëve të investuar këtë vit në shpenzime kapitale, gjigantët e AI-së planifikojnë të shpenzojnë edhe 1,2 trilionë dollarë në vitin 2027 dhe 1,4 trilionë dollarë në vitin 2028, sipas vlerësimeve të Goldman Sachs.

Pikëpyetje mbi kohën e daljes së Anthropic në bursë

Ndërsa OpenAI e ka shtyrë daljen në bursë për vitin e ardhshëm, Anthropic, kompania që qëndron pas Claude, vazhdon të planifikojë IPO-në e saj për në fund të këtij muaji. Të martën (10.11.2026), kompania njoftoi se do të ofrojë 825 milionë aksione me një çmim prej 70 deri në 78 dollarë për aksion.

Dick tha se vendimi i Anthropic për të vijuar me daljen në bursë pavarësisht rënies së tregut e ka lënë të habitur. “A është ky momenti më i mirë?”, pyeti ai.

Anthropic fillimisht synonte një vlerësim prej më shumë se dy trilionë dollarësh, por tani mendon se kompania mund të ketë një vlerë prej rreth 1,2 deri në 1,3 trilionë dollarësh.

Dick tha se ky vlerësim varet nga aftësia e Anthropic për të realizuar parashikimin e Goldman Sachs për më shumë se 600 miliardë dollarë të ardhura deri në vitin 2030.

“Nëse arrin të bëhesh një kompani me 600 miliardë dollarë të ardhura, atëherë një vlerësim prej 1,3 trilionë dollarësh nuk tingëllon edhe aq keq”, tha ai për DW. “Por kur flasim për një kompani që aktualisht ka 52 miliardë dollarë të ardhura, atëherë duket e mbivlerësuar.”

Analistë të tjerë, si Vivek Seth, drejtor ekzekutiv i Shaires Holdings, janë më optimistë për perspektivën e kompanisë që ka krijuar Claude.

“Anthropic është një kompani që shfaqet një herë në një brez”, tha Seth për Bloomberg pak ditë më parë, duke theksuar rritjen e shpejtë të saj dhe mbështetjen e fuqishme institucionale. “IPO-ja e saj do të përcaktojë një vlerësim real të tregut me stabilizimin e kushteve.”

Shenja që duhen vëzhguar, jo arsye për t’u larguar

Ndërsa shumë investitorë po tërhiqen tashmë nga tregu, Rees nuk është e bindur se IA do të dështojë në mënyrën që presin skeptikët. Ajo mendon se investitorët duhet të vëzhgojnë shenja më të qarta, se bumi i IA-së po hyn në një fazë më të pjekur.

Një sinjal mund të ishte “ngadalësimi i të ardhurave të kompanive që lidhen me AI-në, ose shenja të një kërkese apo interesi më të ulët për financimin e planeve të kompanive për AI-në, qoftë përmes borxhit apo emetimit të aksioneve”, tha Rees për DW.

Ka tashmë shenja të para se investitorët kanë më pak interes për borxhin e lidhur me AI-në. Kostot e huamarrjes për kompanitë e infrastrukturës së IA-së, si CoreWeave dhe Oracle, janë rritur ndjeshëm kohët e fundit. Madje edhe kostoja e sigurimit të borxhit të Nvidia-s nga rreziku i mospagimit është rritur me 76% brenda një muaji, raportoi CNBC javën e kaluar.

“Ata [Oracle] kanë shpenzuar, siç thonë disa, si marinarë të dehur”, tha Dick për DW. “E kanë dobësuar bilancin e tyre financiar deri në atë pikë, saqë aksioni ka rënë me 65% nga niveli më i lartë.”

Kjo nuk e ka penguar Oracle, së bashku me Meta, Microsoft dhe Alphabet, që të vazhdojnë emetimin e obligacioneve të reja për financimin e AI-së. Që nga fundi i muajit të kaluar, katër gjigantët e teknologjisë kanë njoftuar marrëveshje me një vlerë totale prej 67 miliardë dollarësh.

Rees tha se një sinjal tjetër mund të jenë rregulloret e reja që do ta vështirësonin ndërtimin dhe zgjerimin e qendrave të të dhënave në SHBA.

Këtë verë, Nju Jorku dhe Teksasi pezulluan përkohësisht miratimin e qendrave të reja të të dhënave. Guvernatorja e zgjedhur e Teksasit, demokratja Gina Hinojosa, e cila merr detyrën në janar, kërkon ligje të reja për të parandaluar që konsumi i lartë i energjisë dhe ujit nga qendrat e të dhënave të sjellë rritjen e faturave të familjeve.

Këtë herë nuk është “ndryshe”

Në librin e tij të ardhshëm “AI Mania: Blather, Bluster, and the Bubble of All Bubbles”, ekonomisti Gary Smith e krahason bumin e IA-së me ethet spekulative të së kaluarës rreth hekurudhave, automobilave, televizionit dhe internetit. Ai paralajmëron për një “kolaps të frikshëm” kur flluska e IA-së të shpërthejë përfundimisht.

Kur shpërtheu flluska e kompanive dot-com në vitin 2000, indeksi Nasdaq, i dominuar nga kompanitë e teknologjisë, humbi gati 80% të vlerës. Megjithatë, flluskat e mëparshme shpesh kanë zgjatur shumë më tepër nga sa pritej, ndaj është e vështirë të parashikohet koha e një kolapsi të mundshëm.

Joachim Klement, kreu i strategjisë së tregjeve në bankën britanike të investimeve Panmure Liberum, beson se përballja me realitetin mund të vijë që vitin e ardhshëm.

“Bindja ime kryesore është se flluska e IA-së do të shpërthejë ose në vitin 2027 ose në vitin 2028, pra në një moment gjatë dy viteve të ardhshme”, tha Klement për Bloomberg muajin e kaluar.

Burimi:

Inteligjenca Artificiale (IA)