5 TERMA SOCIOLOGJIKË

Të bësh sociologji do të thotë të kesh frymë dinamike, të merresh me ndryshimet sociale, me zhvillimet e shoqërisë, të përpiqesh të kuptosh, të interpretosh dhe të përshkruash objektivisht rrafshin social. E për të bërë një gjë të tillë duhet një aparat teorik i përbërë nga nomenklatura bazë e kësaj shkence, që përbën themelin mbi të cilin do të ndërtohet ngrehina sociologjike. Në vazhdim do të zbërthejmë pesë terma të kësaj fushe, që filojnë me shkronjën A, nga Fjalori ynë i botuar vitin 2009 dhe 2018:

Alter-globalizimi (alter-globalization) – Në gjuhën frënge si sinonim përdoret termi altermondialisme, emërtim i një lëvizjeje shoqërore, vija politike e së cilës është e afërt me atë të antiglobalizimit, por që parapëlqen ta paraqesë veten si mbështetëse e integrimit ndërkombëtar të globalizimit, duke pohuar se vlerat si demokracia, drejtësia ekonomike, mbrojtja e mjedisit, sovraniteti kombëtar, diversiteti kulturor dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë përpara synimeve thjesht ekonomike. Alterglobalizimin, që emrin e ka marrë nga sllogani i popullarizuar i kësaj lëvizjeje me kuptimin „është e mundshme edhe një botë tjetër“, duhet veçuar prej antiglobalizimit. Kjo lëvizje kundërshton globalizimin neoliberal, duke pohuar se institucionet madhore ndërkombëtare, si Organizata Tregtare Botërore, FMN-ja dhe Banka Botërore mbrojnë interesat ekonomike të Botës së Parë. Alterglobalizimi s’duhet përzier me internacionalizmin proletar-komunist, që kritikon gjithashtu interesat ekonomikë të Botës së Parë. Alterglobalizimi frëng ka kundërshtuar traktatin për Kushtetutën e Europës, duke pretenduar se mbështet neoliberalizmin dhe modelin ekonomik anglo-sakson. 

Alternimi (alternation) – Dukuri specifike gjatë rritjes së individit, që karakterizohet me ndryshim radikal të sjelljes së tij dhe të mënyrës së pjesëmarrjes në procese e grupe të caktuara shoqërore nën ndikimin e faktorëve të papritur dhe afatgjatë frustrues. Kështu p.sh. ngjan që njerëz të cilët për nga bindja kanë qenë ateistë, t’i ngjiten ndonjë fraksioni fetar, ose ndonjë qytetar i ndershëm të lidhet me një grup gangsterësh ose kriminelësh.

Amerikanizmi (americanism) – Qëndrim që i kushton rëndësi të veçantë kombit dhe kulturës amerikane. Kjo pikëpamje më tutje thotë se kultura amerikane lyp një lloj tjetër të fesë, që dallon prej asaj të kulturave europiane. Prej këndej vjen ideja, sipas së cilës feja duhet t’i përshatet kulturës në të cilën ajo praktikohet. Origjina e këtij këndvështrimi u atribuohet misionarëve amerikanë të mesit shek. XIX. Ata u munduan që thirrjen e tyre misionare t’ua përshtasnin karakteristikave tipike të kulturës amerikane, në veçanti organizimit të saj demokratik dhe pluralist.

Analiza biografike (biographical analysis) – Metodë e përshtatshme për studimin e kontekstit mes objektit të veçantë ose objekteve të përzgjedhura në mënyrë tipologjike, manifestimeve shoqërore, ngjarjeve politike, kushteve jetësore etj. Metoda bazohet në studimin e Znanieckit (1934) dhe është aplikuar me plot sukses nga Janowitz në analizën e prirjeve zhvillimore të profilit të komandantëve ushtarakë, nga “heronjtë” karizmatikë deri te specialistët dhe menaxherët ushtarakë (1960). Analiza biografike është e përshtatshme në studimin e elitave politike dhe të aktorëve të tjerë të politikës publike. (Potuchek, 2007: 352).

Androkracia (androcracy) – Gr. andros = mashkull dhe kratos = sundoj. Sinonim i andrarkisë. Formë e qeverisjes në të cilën fjalën kryesore e kanë meshkujt, sundim i shoqërisë dhe politikës nga meshkujt. Sistem social i organizuar sipas parimit të mbizotërimit mashkullor, rend në të cilin sundojnë pjesëtarët e gjinisë mashkullore, e kundërta e gjinekokracisë, sundimit të femrës. Androkracia është realitet shoqëror, i kundërshtuar nga lëvizja feministe e shek. XX, e cila përpiqet t’i ofrojë gruas mundësi më të mëdha në jetën shoqërore, gjegjësisht barazinë gjinore, shndërrimin e institucioneve androkratike. Përqindjen më të lartë të përfaqësimit femëror e kanë vendet nordike me 40 %.  Androcentrizmi ose mashkullqendërsia, është teori që vlerat ose praktikat mashkullore i merr si qendër, kurse vlerat dhe praktikat femërore i quan shkarëse, ose aspirata të pasuksesshme drejt mënyrave se si vepron mashkulli.

Antinatyralizmi (antinaturalism) – Pikëpamje sociologjike sipas së cilës bota natyrore dallon prej botës shoqërore. Qëndrim lidhur me analizën që kundërshton shfrytëzimin e thjeshtë të modeleve të marra nga shkencat fizike për të shpjeguar veprimet shoqërore njerëzore. Antinatyralizmi lidhet ngushtë me antipozitivizmin, ndërkohë është antipod i natyralizmit sociologjik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit