45 raste të reja në Greqi me ethet e Nilit Perëndimor

Gjatë javës së kaluar në Greqi janë regjistruar 45 raste të reja me virusin e Nilit Perëndimor, duke e çuar në 110 numrin e të infektuarve që nga fillimi i verës, janë regjistruar edhe tre vdekje, transmeton Portalb.mk.

Nga gjithsej 110 personat e infektuar, 81 pacientë kanë simptoma që lidhen me sistemin nervor qendror.

Nga të infektuarit, 35 janë të hospitalizuar, 61 pacientë janë lëshuar nga spitali, ndërsa për pesë të infektuar nuk ka qenë e nevojshme hospitalizimi.

Vitin e kaluar në Greqi u regjistruan 96 raste, ndërsa nëntë persona humbën jetën.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut dje (12 gusht) shpalli epidemi të etheve të Nilit Perëndimor në disa komuna të Shkupit: Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden.

Sipas Ministrisë, në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i vitit janë konfirmuar 24 pacientë të prekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa dy raste janë të dyshuara. Njëzet prej tyre janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive, prej të cilëve pesë janë në gjendje të rëndë. Pjesa më e madhe e të prekurve janë pensionistë.

Deri tani është regjistruar një pacient i vdekur, 83 vjeç, i cili, sipas autoriteteve shëndetësore, kishte disa sëmundje shoqëruese.

Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore.

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.

Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

EpidemiEthet e Nilit PerëndimorGreqia