Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se të paktën 12 persona janë vrarë nga sulmet ajrore ruse në rajonin e Zaporizhzhias, ndërsa 14 të tjerë janë plagosur. Mes viktimave janë edhe tre fëmijë. Zelensky ka thënë se 13 rajone ukrainase u vunë në shënjestër të sulmeve gjatë natës, duke shkaktuar dëme në ndërtesa banimi, infrastrukturë dhe objekte hekurudhore, transmeton Koha.net.
Një ditë më parë presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi një marrëveshje për blerjen e naftës ruse, me synimin për të ulur çmimet e karburanteve, raportoi Reuters. Zelensky e kritikoi këtë vendim, duke paralajmëruar se lehtësimi i sanksioneve ndaj Moskës mund të ndihmojë në financimin e luftës kundër Ukrainës.
“Dhuratat për Putinin nuk çojnë në paqe”, ka shkruar Zelensky në rrjetet sociale, duke shtuar se Rusia e interpreton lehtësimin e presionit si mundësi për të vazhduar sulmet ndaj qyteteve ukrainase.
Ndërkohë, sipas raportimeve, më shumë se 60 persona janë vrarë nga bombardimet ruse në Ukrainë gjatë katër ditëve të fundit.