1 në 5 fëmijë në 21 shtete kanë përjetuar eksploatim seksual dhe keqtrajtim me ndihmën e teknologjisë

Rreth 20 milionë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç – pothuajse 1 në 5 – kanë qenë të ekspozuar ndaj të paktën një forme të eksploatimit seksual dhe keqtrajtimit me ndihmën e teknologjisë në një vit të vetëm në 21 shtete, sipas një raporti të ri të publikuar sot nga UNICEF. Në grupin e këtyre shteteve bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk. 

“Përmes syve të fëmijëve: Si teknologjitë digjitale mundësojnë abuzimin seksual të fëmijëve” bashkon dëshmitë e fëmijëve me bazat më të mëdha të të dhënave të disponueshme nga anketat, për të paralajmëruar mbi një trend të përhapur të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, si online ashtu edhe offline, të lehtësuar nga teknologjia.

Raporti vlerëson se mbi 15 milionë fëmijë ishin të ekspozuar ndaj përmbajtjes së padëshiruar seksuale, 9 milionë fëmijëve iu kërkua të përfshiheshin në biseda seksuale ose të ndanin fotografi seksuale kundër vullnetit të tyre dhe 4 milionë fëmijë kishin fotografi seksuale të tyre të ndara pa pëlqimin e tyre. Megjithatë, shkalla e vërtetë e çështjes ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë për shkak të rasteve të shumta që nuk raportohen nga fëmijët.

“Raporti zbulon një realitet të dhimbshëm. Më shumë se 20 milionë fëmijë në të gjitha shtetet e përfshira në hulumtim iu nënshtruan përmbajtjes ose eksploatimit seksual të padëshiruar onlajn, shpesh në hapësirat digjitale ku mësojnë, luajnë dhe lidhen me miqtë,” tha Drejtoresha ekzekutive e UNICEF, Ketrin Rasëll. “Këto përvoja shkaktojnë shqetësime të thella emocionale dhe psiqike. Shumë fëmijë vuajnë në heshtje, të pasigurt se ku të drejtohen për ndihmë. Nuk mund të kthejmë sytë diku tjetër.”

Sipas gjetjeve, gati 60 përqind e rasteve ndodhën në mediat sociale duke përfshirë Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe WhatsApp, dhe 14 përqind e rasteve ndodhën në lojërat në internet, me tiparet, funksionet dhe dizajnin e platformave të përdorura për të shfrytëzuar besimin. Në Malin e Zi, më shumë se 80 përqind e rasteve të raportuara përfshinin platforma të mediave sociale, ndërsa në Kolumbi ato ishin të lidhura me më shumë se gjysmën e rasteve.

Në vendet e përfshira me hulumtimin, 57 përqind e rasteve përfshinin dikë që fëmija tashmë e njihte, duke përfshirë bashkëmoshatarët, partnerët romantikë, miqtë dhe anëtarët e familjes, duke sfiduar supozimet se keqtrajtimi në internet kryhet kryesisht nga personat e panjohur. Në të njëjtën kohë,  38 përqind e fëmijëve u përballën për herë të parë me kryerësin onlajn, me dëshmi që tregojnë se si lehtësohet keqtrajtimi, ndër të tjera, përmes profileve të rrejshme dhe mesazheve private.

Eksploatimi seksual dhe keqtrajtimi me ndihmën e teknologjisë mund të ketë një ndikim të thellë në mirëqenien emocionale të fëmijëve, ndjenjën e sigurisë dhe besimin tek të tjerët. Përvojat e përshkruara nga fëmijët gjatë intervistave kërkimore shpesh përqendroheshin në frikë, turp, konfuzion dhe izolim, me shumë që përpiqeshin të kuptonin se çfarë kishte ndodhur ose ku të kërkonin ndihmë.

“Nuk dija si të reagoja… U ndjeva pak e tronditur,” tha një grua e re nga Republika Dominikane, pasi qarkulluan fotografi private pa pëlqimin e saj në moshën 14 vjeçare. Një tjetër pjesëmarrëse në hulumtim, duke reflektuar mbi një përvojë të ngjashme, tha se ndihej “si personi më i përdorur, më i pistë, më i keqi”.

Sipas analizës, fëmijët që i nënshtrohen eksploatimit me ndihmën e teknologjisë kishin katër herë më shumë gjasa të raportonin mendime ose sjellje vetëvrasëse dhe vetë-lëndime dhe raportuan nivele dukshëm më të larta të ankthit. Në Meksikë dhe Maqedoninë e Veriut, për shembull, rreziku i mendimeve ose sjelljeve vetëvrasëse ishte më shumë se tetë herë më i lartë në mesin e fëmijëve që përjetuan keqtrajtim, ndërsa në Pakistan rreziku i vetë-lëndimit ishte mbi shtatë herë më i lartë.

Më shumë se 40 përqind e rasteve të keqtrajtimi me ndihmën e teknologjisë nuk u ndanë kurrë me askënd, ndërsa më pak se 1 përqind u raportuan tek institucionet si policia, punonjësit socialë ose linjat telefonike të ndihmës. Në nivel global, arsyeja më e shpeshtë pse fëmijët kanë heshtur ishte se nuk dinin ku të drejtoheshin ose kujt t’ia tregonin atë që u kishte ndodhur. Në disa shtete të anketuara, niveli i mosraportimit ishte edhe më i lartë, përfshirë Armeninë, ku më shumë se gjysma e rasteve nuk u ndanë kurrë me askënd.

Gjetjet tregojnë për një nevojë urgjente për veprim nga qeveritë, kompanitë e teknologjisë dhe palët e tjera të interesit për të mbrojtur më mirë fëmijët në epokën digjitale. Raporti bën thirrje për veprim urgjent për të:

  • Bërë platformat digjitale më “të sigurta që në dizajn”, përmes masave më të forta për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve, kufizimeve ndaj kontakteve të padëshiruara nga të rriturit, sistemeve më të sigurta të rekomandimeve dhe mekanizmave më të mirë për zbulimin dhe raportimin e rasteve të abuzimit.
  • Përforcuar ligjet, rregullat dhe llogaridhënien, duke siguruar që qeveritë të kenë mjetet dhe masat e zbatimit për të adresuar format në zhvillim të keqtrajtimit, duke përfshirë zhvatjen seksuale dhe materialin e keqtrajtimit seksual të gjeneruar nga IA.
  • Ndërtuar sisteme të raportimit dhe mbështetjes që fëmijët mund t’u besojnë, duke përfshirë investimet në mbrojtjen e fëmijëve, shëndetin, drejtësinë dhe shërbimet sociale.
  • Zhvendosur barrën e mbrojtjes nga fëmijët, duke siguruar që familjet, shkollat dhe komunitetet të reagojnë ndaj raportimeve duke ofruar mbështetje dhe ndihmë, dhe t’u mundësojnë fëmijëve të kërkojnë ndihmë në mënyrë të sigurt.
  • Reduktuar dobësitë ekonomike që kryerësit shfrytëzojnë përmes mbështetjes më të fortë të familjes dhe zgjerimit të arsimit dhe mundësive të punësimit për fëmijët dhe të rinjtë.
  • Adresuar normat shoqërore dhe gjinore që normalizojnë seksualizimin e vajzave dhe stigmatizojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Të gjithë ne, përfshirë qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë, duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur fëmijët online,” tha Rasëll. 

Kujtojmë se në Maqedoni, nga një deri në 10 fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç, gjatë një viti në vend, janë ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të lehtësuar përmes teknologjisë. Në nivel kombëtar, kjo përfaqëson 12.000 fëmijë, tregon raporti me rezultatet e hulumtimit „Disrupting Harm“.

Abuzim seksual - PërdhunimDhuna ndaj fëmijëveFëmija/ëInternetiRrjete sociale