Lloga: Nuk mund të krahasohemi me Shqipërinë sa i përket vetingut, niveli i krimit atje është shumë më i lartë

Nëse Maqedonia e Veriut zbaton veting në gjyqësor nuk do t’i ndodh rasti i Shqipërisë pasi që vendi ynë ka kriminalitet më të ulët. Kështu u përgjigj ministri i Drejtësisë Krenar Lloga në pyetjen e gazetarit të Portalb.mk, se cili është plani për zbatimin e këtij procesi, i cili paraprakisht u pengua nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të suksesit jo të kënaqshëm në Shqipëri, ku si rezultat i vetingut qindra gjykatës e prokurorë u larguan nga sistemi i drejtësisë.

“Nuk mund të krahasohemi me Shqipërinë sa i përket vetingut, niveli i krimit atje është shumë më i lartë, ne jemi shumë më mirë, pra nuk do të jetë siç ishte në Shqipëri. Ja tani edhe Kosova është në fazën e fundit me procesin e vetingut dhe do të këmbejmë informata. Megjithatë ajo që nevojitet është edhe vetingu në politikë dhe i politikanëve”, tha Lloga gjatë takimit me gazetarët.

Ministri nuk precizoi nëse me “veting” do të nënkuptojë rizgjedhje të gjykatësve pasi që, siç tha “duhet të ulen dhe ta definojnë, të formohet grup punues”.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

I pyetur nëse deri në fund të mandatit të tij, do të bëhet vetingu, ai theksoi që nëse shprehin gatishmëri të gjithë aktorët, deri në fund të mandatit mund të jetë gati rregullativa dhe themelimi i institucioneve.

“Megjithatë ende është herët, por se do të ketë veting, sigurisht do të ketë”, shtoi Lloga

Ai tha se kur ka ardhur në Ministrinë e Drejtësisë, nuk ka gjetur asnjë dokument për vetingun dhe se pa faktorin ndërkombëtar nuk do ta nis këtë proces.

“Në Ministrinë e Drejtësisë s’ka asnjë dokument për çështjen e vetingut. Unë në çdo takim me ambasadorë e them që duhet patjetër të ketë veting. Pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar nuk e nisim vetingun”, shtoi Lloga.

Ndryshe, pavarësisht se u premtua se procesi i pastrimit të gjyqësorit do të filloi prej janarit të vitit 2021, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut me 6 prill 2021 i ka krijuar komisionet për kontroll dhe vlerësimin e gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave.

Reformat në gjyqësor janë ndër parimet kryesore të Qeverisë, para se gjithash për qytetarët e saj, por edhe për procesin eurintegrues. Gjatë periudhës së kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë

Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve të dobëta dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button