ANALIZË: Importi i fuqisë punëtore – “thikë me dy tehe”

Numri i popullsisë aktive dhe të aftë për punë në vend është në rënie. Të dhënat e reja tregojnë se në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021 numri i popullsisë aktive është zvogëluar për pothuajse 12.000 vetë. Trendi i largimit të fuqisë punëtore nuk ndalet, e nga ana tjetër ka paralajmërime për “import” nga jashtë. Tregu i punës po përballet me ndryshime tektonike, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Për një vit, popullsia aktive është zvogëluar për rreth 12.000 vetë…

Numri i popullsisë së aftë dhe aktive në vend është zvogëluar – dhe në bazë të të dhënave të reja nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2021, gjendja e tregut të punës është shqetësuese. Nga Anketa e re e fuqisë punëtore të Entit të Statistikave rezulton se vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2021, numri i popullsisë aktive është zvogëluar për 11.814, ndërsa numri i të aftëve për punë për 4.241 – shifra që sipas ekspertëve tregojnë se vendi. po përballet me një tendencë të pandalshme të largimit të njerëzve të aftë për punë dhe parë së gjithash të popullsisë së aftë për të lindur që duhet të jetë shtyllë si e ekonomisë ashtu edhe e demografisë.

Të dhënat tregojnë se numri i të papunëve është në rënie çdo vit në shifra absolute, por edhe numri i të punësuarve, i cili në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021 është zvogëluar për pothuajse 1.500. Regjistrimi i popullsisë i vitit 2021 i “shkriu” numrat për numrin total të të punësuarve në shtet, i cili ra nën 700 mijë. Kështu, vitin e kaluar në vend kishte 692.034 persona të punësuar, nga të cilët 515.425 janë në sektorin privat dhe pjesa tjetër në kompani me pronësi shtetërore apo me pronësi tjetër të përzier. Numri më i madh i të punësuarve në sektorin privat janë të angazhuar në veprimtaritë në të cilat ka deficit më të madh të kuadrit, gjegjësisht prej ku ka edhe “eksport” më të madh të fuqisë punëtore.

Në sektorin privat, industria përpunuese është lider, me 134.568 të punësuar vitin e kaluar, e ndjekur nga tregtia me 107.252 dhe gati 43.000 të punësuar në ndërtimtari.  Mijëra të punësuar ka edhe në bujqësi.

Biznesi kërkon liberalizimin e importit të fuqisë punëtore…

Kompanitë nga sektori i ndërtimit, tregtisë, hotelerisë alarmojnë se po përballen me mungesë të fuqisë punëtore – të gatshme për ta importuar atë nga jashtë. Në tregun e punës tashmë është vendosur kontakti ndërmjet punëtorëve të huaj dhe kompanive vendase nëpërmjet agjencive ndërmjetësuese. Për biznesmenët, kompanitë e të cilëve janë kryesisht nga veprimtaritë me intensitet të lartë të punës, e vetmja zgjidhje për deficitin e personelit është importi i fuqisë punëtore. Ky problem do të bëhet më i theksuar me paralajmërimin për ndërtimin e autostradave në vend – do të ketë projekte por nuk do të ketë kush t’i realizojë.

“Duhet të bëhet liberalizimi gradual i tregut të punës duke importuar punëtorë të huaj, sepse shumë kompani nga industria e ndërtimit patën probleme, sidomos vitin e kaluar, kur kuota u plotësua shumë më herët para fundit të vitit për t’i punësuar të huajt” – thotë Angell Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve, dhe pronar i një kompanie tekstile në të cilën ka mungesë të kuadrit.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka kërkuar nga Qeveria ndryshimin e kushteve për hyrjen e fuqisë punëtore nga jashtë dhe që liberalizimi të vlejë edhe për Kosovën.

“Duhet të rriten kuotat e importit të fuqisë punëtore edhe nga Azia, sepse ka mungesë të fuqisë punëtore në vend, veçanërisht në hoteleri, turizëm dhe ndërtimtari. Përpara se të bëhet kjo, duhet të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet që i kemi në vend”- tha Mendi Qyra, kryetar i OEMVP-së, me një kërkesë drejtuar qeverisë që të ulë kontributet për rrogat, për t’i lënë hapësirë sektorit privat që t’i rrisë rrogat, si një nga mekanizmat e mbajtjes së fuqisë punëtore.

Qeveria tashmë ka njoftuar se deficiti i fuqisë punëtore do të “amortizohet” duke importuar punëtorë të huaj, por sipas ekspertëve, kjo do të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme që mund të sjellë një problem të ri – disa nga punëtorët e huaj do ta përdorin vendin si “shkallare” drejt vendeve evropiane.

“Sjellja e fuqisë punëtore nga jashtë kushton 2.000 euro, përveç kësaj do të duhet të sigurohet edhe sigurim shëndetësor dhe akomodim. Do ta tregoj shembullin e Shqipërisë, ku u pranuan punëtorë nga Egjipti. Rreth 70% e tyre më pas u larguan për një kohë të shkurtër nga vendi, që e lanë Shqipërinë pa projekte të përfunduara dhe pastaj morën gjobë nga Bashkimi Evropian” – thotë Zoran Koçoski nga “Kouzun” – Agjenci për Ndërmjetësim për Punësim.

Zgjidhja e problemit me të cilin përballet tregu maqedonas i punës, sipas biznesmenëve dhe analistëve, megjithatë duhet të kërkohet në masat sistematike për të mbajtur popullatën e aftë për punë, që do të thotë jo vetëm rroga më të larta, por edhe arsim cilësor, luftë me korrupsionin, gjyqësor joselektiv.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button