Mesazhe nga Brukseli: RMV-ja të merr përgjegjësinë politike për në BE, të mos humbet ky moment

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Momenti në të cilin gjendet Maqedonia e Veriut në rrugën e saj eurointegruese nuk duhet të humbet, pasi ky është momenti i së vërtetës, është momenti që kjo të bëhet ose të thyhet (siç thuhet në anglisht, “make it or break it moment”). Vendi, thënë më mirë politika e vendit duhet të merr përgjegjësinë politike për në “BE” të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe të tejkalohet edhe kjo pengesë e mbetur. Momenti gjeopolitik dhe historik në të cilin ndodhemi tani për sa i përket eurointegrimit të RMV-së, duhet të shfrytëzohet në maksimum. Pasi vendi e ka mundësinë të jetë shumë i shpejtë në këtë drejtim, normalisht duke përmbushur detyrat. Mediat duhet të jenë të përkushtuara dhe të gjejë komunikimin më të kuptueshëm me qytetarët për sa i përket procesit eurointegrues të vendit, të luftojnë dezinformatat dhe propagandat e jashtme se BE-ja nuk funksionon për RMV-në dhe të ju ofrojnë qytetarëve pasqyrë të qartë rreth këtij procesi. Këto janë vetëm disa nga pikat kryesore të cilat theksuan zyrtarë të Bashkimit Evropian, diplomatë si dhe zyrtarë nga vendi gjatë takimeve me gazetarët e RMV-së javën e kaluar në Bruksel.

Maqedonia e Veriut, e cila pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez në Kuvendin e vendit për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në, ku filloi procesi i skriningut dhe që aktualisht vijon ai shpjegues dhe bilateral. Përsëri ka një pengesë në rrugën e saj euronitegruese në mënyrë që të fillojnë negociatat, ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Mesazhet kryesore nga Brukseli, nga përfaqësues të institucioneve të ,BE-së dhe diplomatët nga BE-ja janë që vendi sa më shpejtë të bëjë ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që të paguajë pikëpagesën rrugore dhe të hapet rampa për hapjen e negociatave, të cilat në fund të ditës janë me rezultat pozitiv për qytetarët e vendit. Kjo pasi ky është një momentum siç e quajnë ata që nuk duhet të humbet, por vendi para se gjithash duhet të tregojë edhe njëherë përkushtimin në rrugën eurointegruese.

Lufta në Ukrainë solli një moment të ri gjeopolitik dhe dinamikë të re në BE në lidhje edhe me Ballkanin Perëndimor, ku bën pjesë Maqedonia e Veriut. E kjo e fundit është prioritet i BE-së dhe gjithashtu i kryetarit të Këshillit të BE-së, Charls Michels. Kështu bëjnë të ditur zyrtarë nga BE-ja.

Këto burime thonë se RMV-ja dhe politika nuk duhet të bie pre e nacionalizmave por ndryshimet kushtetuese të shihen si një trampolinë për diçka më të madhe dhe më të mirë për në të ardhmen. Pasi vetëm pasi ky ngërç të kalohet vendi do i sheh përfitimet nga ajo. Thënë shkurt, të shihet perspektiva e ardhshme, pasi pas pak vitesh Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mund t’i bashkojnë interesat për projekte të përbashkëta dhe këto konflikte do ngelen diçka e së kaluarës.

Në lidhje me ndryshimet kushtetuese, nuk ka momentalisht ndonjë plan për vizitë të kryetarit të Këshillit të BE-së, Charls Michel, por nëse duhet, ai do të vizitojë vendin, pohojnë burime brenda BE-së, pasi siç thonë ai është një mik i RMV-së.

“Nuk është e vërtetë se vendet anëtare të BE-së nuk janë të vetëdijshme se çfarë po ndodh në RMV. Shumë bisedime bëhet me Bullgarinë për zgjidhjen e tensioneve. E pamundura është e mundur, por ne shkojmë për atë që është e mundur. RMV-ja është një shtet i suksesshëm multi etnik, diçka që mund të bartet në rajon. Shiheni gotën gjysmë të mbushur, jo gjysmë të zbrazët. Ky është momenti “make it, or break it” (bëjeni ose thyejeni). Nuk është puna jonë të zgjidhim çështjet e brendshme, por ne mund të ndihmojmë. Ia përcjellim mesazhet e njëjta edhe Bullgarisë”, thanë mes tjerash burime nga BE-ja.

Nga ana tjetër, diplomatë nga shtete anëtare të BE-së në lidhje me rrugën eurointegruese të vendit thonë se negociatat nuk janë rreth bisedimeve por rreth reformave, pasi gjithnjë do të ketë sfida përpara por çdo herë ka zgjidhje për të njëjtat. Mjafton përkushtimi për t’i zgjidhur ato. Pasi çdo aderim është bërë në një moment të ndryshëm historik dhe politik, dhe se vendi duhet të marr eksperiencat më të mira nga shtetet që tani më e kanë kaluar këtë provim.

“Skriningu është çelësi për të hapur negociatat, ju e keni mundësinë të jeni shumë të shpejtë. Ju duhet t’i përmbushni kushtet dhe do të jeni në duart e BE-së dhe Komisionit Evropian. BE-ja nuk është organizatë manipulative për të bllokuar dikë. Ne ulemi për orë të gjata për të gjetur zgjidhe për ju”, theksuan diplomatë nga BE-ja.

Ajo çfarë këshilluan diplomatët në fjalë është që vendi duhet të promovojë veten te shtetet anëtare të Bashkimit, të prezantojë storjen e vendit, të tregojë se dëshiron të reformojë veten, duke prezantuar anët pozitive, por edhe ato negative. Vendi të punojë me çdo shtet anëtar, ndoshta me disa më pak, por me disa të tjetra më shumë. Të shkohet nëpër parlamentet e vendeve anëtare dhe jo vetëm, të prezantohen këto storje.

Në këtë drejtim, nga eksperienca e vendeve tani më anëtare, media ka rol esencial në këtë drejtim. Media duhet të ju bëjë ballë përmes informimit të drejtë dhe të saktë ndikimeve të forcave të huaja se BE-ja nuk funksionon për Ballkanit Perëndimor, por edhe përmbajtjeve manipulative nga politikanët.

“Roli i medias është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim. Mediat kanë dy role kryesore. Të sqarojnë BE-në dhe praktikat- politikat e BE-së, të luftojnë dezinformatat kundër BE-së, politikat janë komplekse por ata janë të shpjegueshme (benefitet). Ndjekja e proceseve, do to keni vështirësi por ju mund ta bëni atë, këto storje të jenë faktike. Nuk them që të shkruani në mënyrë motivuese, por faktike. ”, porositi një diplomat nga BE-ja.

Kësisoj, mediat duhet të gjejnë komunikim i cili është i kuptueshëm për popullatën dhe të ju sqarojnë atyre sa më thjeshtë proceset dhe këto politika, pasi njerëzit sot nuk kanë kohë të lexojnë shumë, dhe përballen me shumë dezinformata dhe rreziqe të manipulimit, andaj media duhet të ju qëndrojë në front.

Shembull konkret është influenca ruse me kampanjat destabilizuese që mundohet të destabilizojë botën dhe jo vetëm Ballkanin Perëndimor. Nga BE-ja theksojnë se Rusia është duke bërë gjithçka që mundet për të na ndarë, por se ka bazë më të fortë midis vendit dhe BE-së për bashkëpunim. “Rusia është duke abuzuar me mundësitë që ka në maksimum. Be-ja i ka mjetet për t adresuat këtë çështje.”

Ndryshimet kushtetuese, duhet të bëhen këtë vit dhe të shfrytëzohen në maksimum këto dy vite pasi vendi, Bullgaria, por edhe BE-ja në periudhën në vijim do të përballen me zgjedhje dhe nuk dihet se çfarë struktura do vijnë në krye të tyre dhe nëse procesi eurointegrues do jetë prioritet dhe aq miqësor në këtë drejtim. Andaj RMV-ja, duhet të merr këtë përgjegjësi politike për BE-në, për qytetarët e vendit, të mos lejojë që besimi në BE në zvogëlohet, pasi arritja deri në këtë pikë ku vendi gjendet sot, nuk ka qenë e lehtë.

Pa diskutim, vendi duhet të japë maksimumin në reforma, të përshpejtojë aktivitetet, jo vetëm me deklarata, por me punë faktike në terren. Të mos lejojë propagandat e jashtme të ndikojnë që partitë të mos merren me çështjet reale për vendin, por të merren me nacionalizma dhe tema që nuk janë në dobi të vendit.

Pikërisht këtu, vendi tani më po hyn në një fazë më kritike, dhe këtu media duhet të jetë më e vëmendshme në atë se çfarë (nuk) transmeton.

“E rëndësishme është të merren raportet e skriningut sa më shpejtë dhe të vazhdojmë më tej. Ka pika ku qëndrojmë mirë, por të tjera ku çalojmë, si për shembull ambienti jetësor i cili do të kushtojë me miliona apo miliarda. Momentumi politik i këtij viti të mos humbet. Priten vizita tjera të larta në vend në prill dhe maj”, tha një zyrtar i vendit.

Në lidhje me formulimin e amendamenteve kushtetuese, planifikohet që partitë politike të nominojnë emra që do të marrin pjesë në këtë proces ku nuk përjashtohen edhe anëtarë të jashtëm. Ndërsa kjo procedurë në Kuvend planifikohet që të fillojë afërsisht para verës.

“Nëse gjithçka shkon siç duhet, në janar mund të jemi gati për të hapur Klasterin 1”, tha një zyrtar nga vendi.

Integrimi dhe negociatat nuk kërkojnë vetëm përkushtimin e negociatorëve dhe atyre që ecin para këtë proces në tavolinat e bisedimeve, të gjithë aktorët, institucionet duhet të përfshihen siç thuhet në gjuhën angleze “ASAP” (sa më shpejtë të jetë e mundur) dhe ta shtyjnë këtë proces nga brenda përpara. Reformat si detyra të shtëpisë duhet të bëhen sa më shpejtë, sidomos ato kryesoret si ajo në administratë e cila do jetë nga më sfidueset pasi priten ndryshime që nuk janë bërë deri më tani, shteti duhet të gjejë zgjidhje sistematike në këtë drejtim, dhe e njëjta të aplikohet dhe jo vetëm të mbetet në letër.

Në lidhje me informimin e këtij procesi, jetike është që të ketë gazetarë të bazuar në Bruksel, aty ku ndodh shumica e ngjarjve në këtë drejtim, të cilët do të informojnë qytetarët me proceset të cilat ata do t’i ndjekin nga afër dhe drejtpërdrejt. Praktikë kjo të cilën e kanë bërë shtetet që tani më janë pjesë e Bashkimit.

Përndryshe, disa gazetarë nga vendi javën e kaluar ishin në Bruksel përmes projektit “Mbështetja Nordike për Progresin e Maqedonisë së Veriut” për të përmirësuar komunikimin për procesin e anëtarësimit në BE, vlerat dhe përfitimet e tij, projekti në bashkëpunim të UNOPS-it dhe Sekretariatit për Çështje Evropiane, mbështetur nga Qeveria e Suedisë. Gazetarët ndoqën skriningun shpjegues për Klasterin 4 dhe patën takime me zyrtarë dhe diplomatë nga BE-ja në lidhje me procesin eurointegrues të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button