E diela “magjike” e futbollit në Serie A dhe La Liga

Fillimisht Ajax-Feyenoord e më pas vazhdojmë me Bayer Leverkusen-Bayern Munich, Lazio-Roma dhe në mbrëmjen Inter-Juventus e Barcelona-Real Madrid. Këto janë 5 ndeshjet “derbi” që pritet të dhurojnë spektakël e magji në fushën e blertë për futbolldashësit, raporton ABC.

Në orën 14:30 starton sfida e Amsterdamit, me Ajax dhe Feyenoord të cilët përplasen në një duel të “ethshëm” për titullin kampion, me 2 ekipet që i ndajn vetëm 3 pikë nga njëra-tjetra (Feyenoord ndodhet në vendin e parë ndërsa Ajax në të 2-tin).

Pas “klasikes” hollandeze radhën e ka Bundesliga gjermane për të dhuruar spektakël. Në orën 17:30, “aspirinat” e Bayer Leverkusen do të presin në “BayArena”, “bavarezët” e Mynihut, me vendasit që kërkojnë të ruajnë formën e mirë që kanë krijuar pas 3 fitoreve radhazi në Kampionat dhe Europa League.

Ndërkaq, vetëm 30 minuta pas nisjes së “përplasjes” gjermane, në “Stadio Olimpico” të Romës, Lazio do të presë “kushërinjtë” nga kryeqyteti, në derbin famoz të Romës. Ciro Immobile duket të jetë një mungesë serioze për “shqiponjat” e Lazio-s, ndërsa në krahun tjetër Roma e Jose Mourinhos vjen pas kalimit në çerek-finalet e Europa League, ku eleminuan spanjollët e Real Sociedad.

Mirëpo, nuk mbaron me kaq, pasi mbrëmja ka rezervuar 2 sfidat më speciale të ditës. Fillimisht “derbi i Italisë”, Inter-Juventus, në orën 20:45 dhe vetëm 15 minuta më vonë, nga mitiku “Camp Nou”, do të startojë “El Clasico” i famshëm spanjoll mes Barcelonas dhe Real Madrid, për të mbyllur kështu këtë të dielë “magjike” për të gjithë tifozët e futbollit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button