Komunat kërkojnë formim të policisë komunale, Qeveria paralajmëroi konsultime periudhën e ardhshme

Komunat në Maqedoninë e Veriut kërkojnë nga Qeveria, ta realizojë premtimin për formimin e policisë komunale, ndërkaq Qeveria thotë se në periudhën e ardhshme do të realizojë konsultime me palët e përfshira, shkruan Portalb.mk.

“Do të formojmë sistem të policisë komunale në nivel lokale, me ligj të veçantë, me të cilin do të munden që inspektorët aktual komunal dhe eko-patrullat bashkë të ndërmarrin masa kundër kryerësve të aktiviteteve të dëmshme”, thuhet në programin për punën e Qeverisë 2022-2024.

Megjithatë, deri më tani ende nuk është bërë asgjë në lidhje me formimin e policisë komunale, e cila para se gjithash do të ketë për detyrë të vendos rend urban për t’i disiplinuar qytetarët të cilët e prishin rendin dhe qetësinë, ndotin ambientin, parkohen në vende të gjelbra, apo lëshojnë muzikë në kohën kur komshinjtë duhet të pushojnë.

Nga Komuna e Çairit, për Portalb.mk thonë se themelimi i policisë komunale është një ndër kërkesat që në vitin 2019 nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale i janë adresuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

“Themelimi i kësaj strukture është procedurë ekskluzive që duhet të kaloj në seancë qeveritare, që më pas e njëjta të miratohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ne si Komunë edhe në të kaluarën kemi deklaruar që një njësi e tillë është e nevojshme që të funksionoj në nivel komunal, e sidomos në mbrojtjen e ambientit jetësorë, jetesë më cilësore dhe të sigurt për qytetarin dhe vendosjen e rendit në ambiente publike”, thonë nga Komuna e Çairit, kryetari i së cilës është edhe nënkryetar i Bashkësisë së Vetëqeverisjes Lokale.

Edhe kryetari i Kisella Vodës, në një deklaratë për SDK ka deklaruar se në Shkup është e domosdoshme të formohet policia komunale.

“Në ndonjë prej seancave të Bordit Udhëheqës do ta ngriti këtë çështje dhe do të kërkojë mbështetje nga të gjithë kryetarët e komunave. Është për të ardhur keq që në të kaluarën edhe pse kishte angazhim nuk është realizuar kjo ide dhe besoj se në mandatin tim si kryetar i BNJV-së do të kemi sukses që bashkë të veprojmë që të gjendet zgjidhje ligjore e cila do ta zyrtarizojë këtë mënyrë të funksionimit”, tha Orce Gjeorgjievski, kryetar i BNJV-së dhe kryetar i Komunës së Kisella Vodës.

Rremuje, komunikacion, vetura, autobus, automjete, shkup, analize, trafik
Foto ilustrim: Suad Bajrami

Edhe komunat e Tetovës dhe Gostivarit për Portalb.mk thonë se janë për këtë iniciativë, megjithatë sipas tyre, asnjëherë nuk është ndërmarrë diçka konkrete.

“Ne si komunë kemi pasur iniciativë për themelimin e policisë komunale e cila do të ishte nën kompetencat e qeverisë lokale dhe do të kishte kompetenca ligjore për të siguruar rendin në komunën tonë. Por edhe pse kishte mirëkuptim nga ana e qeverisë, nuk u ndërmor asgjë, kjo iniciativë ngeli vetëm në nivelin e diskutimeve, asgjë tjetër nuk është ndërmarrë deri më tani”, deklaruan për Portalb.mk nga Komuna e Tetovës.

“Në lidhje me pyetjen e parë për themelimin e policisë komunale, ne si komunë jemi “pro” themelimit të këtij institucioni dhe një vendim ose nismë e tillë është e pritur nga Komuna e Gostivarit. Edhe pse policia komunale do të risë efikasitetin në shërbimet dhe vendosjen e rregullit në qytet, deri më tani ka pasur vetëm biseda joformale dhe nuk është ndërmarrë ndonjë nismë konkrete”, deklaruan për Portalb.mk nga Komuna e Gostivarit.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton se do të angazhohet në përudhën e ardhshme për t’u konsultuar në lidhje me ligjin për formimin e policisë komunale.

“Në lidhje me pyetjet e juaja, ju informojmë se në periudhën e ardhshme fillojnë konsultimet për zgjidhjen ligjore me të cilën do të realizohet pjesa e programit të Qeverisë për polici komunale. Duke e pasur parasysh se punohet për projekt në të cilin janë të ndërthurura kompetencat e më shumë institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, në proces do të kyçen ë gjithë aktorët relevant”, deklaruan për Portalb.mk nga Qeveria, duke shtuar se ata presin që që ky proces të ofrojë zgjidhje për një problem dekadësh, në interes të qytetarëve dhe mjedisit jetësor”, thonë nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk.

Cair, urbanizem, ndertime, ndertesa, banesa, komunikacion, mjedisi jetesor, planifikimi hapesinor
Foto nga Portalb.mk/Suad Bajrami

Formimi i policisë komunale është përmendur edhe në Planin aksional ekologjik 3 të Qytetit të Shkupit për periudhën 2020-2026. Megjithatë, edhe pse vitin e kaluar Qyteti i Shkupit kanë qenë iniciues për fillimin e procedurës për hartimin e ligjit për polici komunale, sot, ata nuk përgjigjen në pyetje gazetareske. Portalb.mk kërkoi disa herë qëndrim edhe prej Qytetit të Shkupit, megjithatë ata nuk u deklaruan për çështjen në fjalë.

Kryetarja aktuale Danella Arsovska, fare nuk e ka përmendur as është deklaruar për formimin e policisë komunale, pavarësisht se ndër vite kjo është kërkesë e komunave për të vendosur rend urban.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në një deklaratë për Meta.mk kanë thënë se vitin e kaluar është iniciuar një ligj i tillë nga Qyteti i Shkupit, por më pas është dërguar në disa ministri vetëm në formën e iniciativës dhe jo në formë të propozim-ligjit ndaj të cilit do të jepej mendim. Prej atëherë nuk ka asnjëfarë aktiviteti në lidhje me këtë iniciativë.

Shembulli se si duket në praktikë policia komunale mund të shihet në Serbi, ku prej vitit 2009, komunat e kanë mundësi ligjore të organizojnë shërbim të tyre, i cili do të kujdesej për rendin, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe lëshimin e disa lejeve. Policët komunal 24 orë në 7 ditë të javës, mund të jenë me ose pa uniforma, por duhet të kenë legjitimacion. Kanë të drejtë të mbajnë shkop-gome, pranga dhe të përdorin forcë fizike. Mund të paralajmërojnë, të urdhërojnë, të marrin mjete dhe të kontrollojnë identitetin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button