RMV, u përcaktua ligji që do të mundësojë kthimin në vend të ikonave të eksportuara ilegalisht

Qeveria përcaktoi projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë për kthimin e ikonave të eksportuara ilegalisht në vendin e origjinës, të propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e cila vendosi ta dorëzojë atë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Me ratifikimin e Marrëveshjes, sipas sqarimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, trashëgimia kulturore jashtëzakonisht e vlefshme, për të cilën Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë rënë dakord më parë, do t’i kthehet Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo do të thellojë dhe avancojë marrëdhëniet kulturore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë dhe do të demonstrojë përkushtimin serioz të të dy vendeve në mbrojtjen efektive të trashëgimisë kulturore dhe zbatimin e konventave ndërkombëtare në këtë fushë”, njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë.

Në nëntor të vitit të kaluar, në seancën ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, që u mbajt në Shkup, të dyja vendet, ndër të tjera, nënshkruan marrëveshjen për kthimin e ikonave të eksportuara ilegalisht nga vendi. Në mënyrë simbolike, një ikonë u kthye në vend. Marrëveshja hap procesin për kthimin e ikonave të tjera nga Shqipëria që janë identifikuar së fundmi.

Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska theksoi se ky proces ka epilogun e dëshiruar falë profesionalizmit në respektimin e dispozitave të Konventës së UNESCO-s të vitit 1970 “për metodën e ndalimit dhe parandalimit të transportit, eksportit dhe kalimit të paligjshëm  të mallrave kulturore”, nënshkrues ku janë RMV-ja dhe Republika e Shqipërisë.

Në fillim të muajit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për kthimin e 20 ikonave. Kjo hapi mundësinë që këto ikona të kthehen në Maqedoninë e Veriut si vend i origjinës, pasi ato u sekuestruan në Shqipëri dhe u bënë pronë e shtetit shqiptar në bazë të vendimeve të gjykatave shqiptare.

Në tetor 2013, në Shqipëri u sekuestruan më shumë se një mijë ikona dhe objekte kishtare, pas së cilës u konstatua se 20 prej tyre ishin me origjinë nga Maqedonia e Veriut, nga ku ishin kontrabanduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button