Trajanov propozoi formimin e një Agjencie me ekspertë për luftë kundër krimit dhe korrupsionit

Kryetari i partisë Lidhja Demokratike (LD) dhe deputeti Pavle Trajanov sot ka dorëzuar një projektligj për luftimin e formave të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, me të cilin duhet të fillojë “lufta” për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të ndërtuar shtet modern dhe demokratik dhe shtet-anëtar të Bashkimit Evropian, informojnë nga partia, transmeton Portalb.mk.

“Deputetët dhe partitë që do të mbështesin miratimin dhe zbatimin e këtij ligji janë parti pro-evropiane që do t’u japin fund efekteve shkatërruese të krimit dhe shkatërrimit të shtetit”, thonë nga partia.

Në konferencën për media, Trajanov theksoi se me këtë ligj, jashtë qendrave të pushtetit politik dhe partiak, krijohet një Agjenci e pavarur për të luftuar kundër reve të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, e cila do të punojë për zbulimin e krimeve të rënda të kryera nga bartës të funksioneve publike dhe të tjerë të përfshirë në krimin e organizuar.

“Kjo Agjenci do të zbulojë pasurinë e fshehur të zyrtarëve brenda dhe jashtë vendit, do të propozojë konfiskimin e pasurisë së fituar me kriminalitet dhe ndalimin e veprimtarisë politike deri në 10 vjet. Kjo Agjenci do të zbulojë krime me vlerë të konsiderueshme (mbi njëqind mijë euro), do të analizojë tenderët publikë dhe do të fillojë procedurën penale”, tha Trajanov.

Ai shtoi se Agjencia do të ekipohej me profesionistë të lartë, staf të aftë dhe imun ndaj ndikimeve partiake dhe korruptive.

“Drejtori do të zgjidhet nga Bordi i Drejtorëve i përbërë nga profesorë universitarë, gazetarë, përfaqësues nga sektori joqeveritar, avokatë, deputetë, një prokuror dhe një përfaqësues nga Antikorrupsioni. Pres që të bashkohen edhe më shumë deputetë si propozues dhe që Ligji të miratohet deri në fund të marsit”, shtoi Trajanov.

Ai shtoi se vlerësimet e përbashkëta janë se shteti vazhdon të kriminalizohet, se nuk ka vullnet politik për luftë efektive kundër krimit dhe për shkak të partizimit të të gjitha institucioneve, sistemi imunitar i shtetit nuk funksionon, dhe krimi po e “ha” shtetin.

Ndryshe, krerët e Komisionit për Parandalimit të Korrupsionit dhe Entit Shtetëror të Revizionit, Biljana Ivanovska dhe Maksim Acevski, gjatë një tryeze publike kanë ngritur alarmin për gjendjen në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut në luftën kundër korrupsionit. Ata theksuan se pavarësisht raporteve të tyre, institucionet nuk ndërmarrin masa, ndërkaq ka mungesë të profesionistëve, pasi që ata kanë ikur, ndërkaq në vend të tyre punësohen militantë partiak pa arsimim përkatës.

Kujtojmë se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar, prandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë.

Ata të cilët shpallin vendime në emër të popullit, besimin e popullit nuk e kanë. Në anketën e fundit të IRI-it të realizuar në shtator-tetor 2022 vetëm 4% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë besim të plotë në gjyqësor. Qytetarët, edhe gjatë vitit paraprak, gjegjësisht 2021, deklaruan se nuk i besojnë gjyqësorit. Sipas anketës së “Eurothink”, vetëm 8% prej tyre kanë besim në gjyqësor.

Kjo tregon se vendi nuk po i bën reformat dhe hapat e mjaftueshme për kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili ka humbur ndër vite, si rezultat i politikës së mosndëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.

Edhe gjatë vitit 2022, gjyqësori u përfol më së shumti në kontekst të bashkëpunimit me krimin dhe korrupsionin, se sa të luftimit të tyre. Jo rastësisht, ambasadorja amerikane, me të ardhur në RMV, si njollë të zezë të vendit e përmendi korrupsionin dhe për këtë, paralajmëroi ekip special amerikan për të vështruar në mënyrë më agresive funksionarët e korruptuar, të cilët e vizituan vendin, por nuk dihet se si do të veprojnë më tej.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button