ANALIZË: Ka nisur “gjuetia” e punëtorëve sezonalë në rajon, rritje dramatike e vendeve të lira të punës në vend! 

Vendet e rajonit që kanë dalje në det kanë nisur punësimet sezonale. Greqia, Kroacia, Sllovenia nisën me thirrjet e para për punësimin e punëtorëve në sektorin e hotelerisë. Të dhënat e fundit nga statistikat shtetërore tregojnë një “deficit” dramatik të personelit në vend në disa sektorë të rëndësishëm – vetëm për një vit numri i vendeve të lira të punës është rritur për 1.700, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Shpalljet për punësime sezonale 2023 – rrogat mbi 1.200 euro.

“A jeni gati për një sfidë të re”

“Ju ftojmë të bashkoheni me ne në Kroacinë e bukur”

Janë publikuar thirrjet e para për punësim sezonal për vitin 2023. Në sektorin e hotelerisë dominojnë ofertat nga Kroacia, e cila vitet e fundit ka tërhequr mijëra qytetarë tanë për punë sezonale. Disa nga komplekset hoteliere në Kroaci, në prag të sezonit veror, tashmë kanë organizuar një “ditë të hapur” në Shkup për përzgjedhjen e kandidatëve për punësim.

“Gjithçka që kërkohet nga kandidatët është vullneti për të punuar në bregdetin e Adriatikut, dhe është e dëshirueshme që me vete të sjellin edhe biografinë e tyre (CV)” – thuhej në një nga shpalljet.

Edhe këtë sezon, përveç rrogës, punëdhënësit ofrojnë “mbulim” të të gjitha shpenzimeve si akomodim, ushqime ditore, shpenzimet e lejes së punës, shpenzimet e udhëtimit, e deri tek bonuset verore. E gjithë kjo paketë, së bashku me shumën e rrogës që shkon në mbi 1.000/1.200 euro, është një “magnet”, sidomos për të rinjtë.

Por, punëtorë të hotelerisë kërkojnë edhe hotelet dhe restorantet nga Sllovenia.

“Përparësi kanë punëtorët me pasaportë të BE-së, por mund të aplikojnë edhe kandidatët me pasaportë maqedonase (ndërmjetësojmë për vizat e punës sezonale). Rrogë nga 1.200 deri në 2.000 euro në muaj në varësi të pozicionit” – thuhet në një nga shpalljet për këtë sezon.

Vendet përreth, Greqia, Kroacia, madje edhe Bullgaria, Sllovenia janë më së shumti në kërkim të kamerierëve, banakierëve, pastruesve, kuzhinierëve – kuadro që mungojnë edhe në vend.

Në vend ka 9.700 vende të lira pune – dukshëm më shumë se në vitin 2021.

Vetëm një restorant nga Shkupi javën e kaluar ka publikuar një konkurs për shtatë vende pune, duke kërkuar kamerierë, banakierë, ëmbëltorë, kuzhinier, mjeshtër për pica. Një hotel ofron punë për të njëjtat profesione, e gjithashtu kërkon edhe shërbyese. Edhe tregu vendas i punës është i mbushur me shpallje për punësime në sektorin e hotelerisë.

Edhe statistikat e konfirmojnë mungesën e kuadrove. Në fund të vitit 2022, në vend u regjistruan 9.700 vende të lira pune, 1.700 më shumë se në vitin 2021. Në veçanti, numri i vendeve të lira të punës është rritur në veprimtaritë shërbyese dhe në ndërtimtari.

Vitet e fundit, në tregun e punës në vend kanë ndodhur ndryshime “tektonike”, veçanërisht në sektorin e hotelerisë dhe në aktivitetet intensive minerare, si dhe në industrinë përpunuese. Kështu, për vetëm një vit numri i vendeve të lira të punës vetëm në industrinë përpunuese është rritur për 530. Nëse analizohet sipas rajoneve, më së shumti vende të lira pune ka në Rajonin e Shkupit edhe atë 5.360, pasuar nga rajoni i Pellagonisë me gati 1.300 vende kurse rajoni Lindor në vendin e tretë me 742 vende të lira. Mungesa e kuadrit po bëhet një problem gjithnjë e më i madh në vend. Edhe pse ka rritje të rrogës minimale, e cila ka sjellë edhe rritje të rrogave të tjera, largimi i kuadrove është ende i pranishëm, dhe si shkak për këtë më nuk është vetëm shuma e rrogës, por edhe faktorë të tjerë si partizimi i institucioneve, korrupsioni, mosbesimi në gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Back to top button