Në RMV do të ulet numri i projekteve IPARD, por do të rritet vlera e tyre, me qëllim që procesi i përpunimit të përshpejtohet

Vendi është lider në rajon sa i përket shfrytëzimit të mjeteve të IPARD-it, por jo edhe për nga “pesha” e investimeve të realizuara, raporton MIA. Këtë e tregojnë shifrat zyrtare – nëse te ne investimi mesatar i paguar është 23 000 euro, në Shqipëri për shembull arrin 180 000 euro.

Investimet e vogla, disa edhe me maksimumi nga 1000 deri në 1500 euro, për të cilat deri tani kanë aplikuar përmes Programit IPARD, e kanë rënduar Agjencinë e pagesave meqë edhe për ta, si edhe për investime mbi 50 000 euro, koha e përpunimit të të dhënave është e njëjtë. Me këtë u prolongua edhe realizimi i thirrjeve IPARD.

Për shkak të këtyre “dobësive”, me zbatimin e IPARD 3, parashikohet risi – rritja e pragut minimal të investimeve. Për masat e ndryshme, pragjet minimale do të jenë të ndryshme, siç ishte deri më tani në IPARD 1 dhe IPARD 2, por nëse për masën 1 më parë pragu minimal ishte 1.000 euro, tani propozohet të jetë 20.000, për masën 3 deri tani ishte 10.000 euro, ndërsa propozohet të jetë 50.000 euro, ndërsa për masën 7, ku investimi minimal ishte 1.500 euro, tani vlerësohet të jetë 10.000 euro.

Siç thotë drejtori i Agjencisë së Pagesave Nikica Baçovski, IPARD-i praktikisht do t’i “marrë përsipër” investimet më të mëdha, ndërsa ato më të voglat do të “kalojnë” përmes programeve kombëtare për mbështetje. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do të lehtësohet puna e Agjencisë së pagesave, por do të forcohen dhe konsolidohen prodhuesit dhe bizneset më të vogla bujqësore, të cilat më pas, kur të bëhen më të mëdha, do të aplikonin për investime më të mëdha dhe fonde më të larta nga IPARD-i.

“Sipas analizave që i kemi bërë, në vend paguhet mesatarisht  investimi më i vogël i realizuar IPARD, që do të thotë se ka kryesisht investime të vogla që ne i mbështesim përmes IPARD-it. Kjo nga ana tjetër rrit vëllimin e punës së Agjencisë së pagesave. Një aplikim prej 5.000 dhe 20.000 euro kërkon të njëjtën kohë në pjesën e përpunimit. Këto janë dokumentet, këto janë procedurat. Te ne investimi mesatar i paguar është 23 000 euro, ndërsa në Shqipëri 180 000 euro”, thekson Baçovski.

Sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, koha e pritjes për nënshkrimin e kontratave IPARD është zvogëluar dukshëm, por efikasiteti i Agjencisë së pagesave mund të jetë edhe më i madh.

“Nëse mesatarja e IPARD 1 për pritjen për nënshkrimin e kontratave ka qenë 18 muaj, tani është katër. Ky është edhe qëllimi i rritjes së pragjeve minimale për investime, përshpejtimi i punës së Agjencisë së pagesave, por edhe rritja e shfrytëzimit të mjeteve. Ne duam që kufiri, lartësia e pragjeve minimale, të jetë së paku 20 mijë euro. Pse? Deri më tani ka pasur projekte IPARD që kanë ngecur në Agjencinë e pagesave ose drejtori ka nënshkruar kontrata për projekte prej1000 euro që kanë udhëhequr projekte të tjera shumë më të mëdha dhe më thelbësore. Synimi ynë është që të gjithë prodhuesit e vegjël dhe agrobizneset fillestare të përdorin mbështetje të ndryshme nga programet kombëtare – shitje prag më prag, bodrume të vogla, distileri, plan biznes, e në IPARD të hyjnë me projekte më të mëdha, respektivisht investime”, sqaron Nikollovski.

Thirrja e parë IPARD 3 duhet të shpallet sivjet dhe pritet të “peshojë” mbi 30 milionë euro. Kjo, siç thekson ministri Nikolovski, është më shumë se gjysma e programit paraprak shtatëvjeçar IPARD 2, i cili kapte gjithsej 60 milionë euro. IPARD 3 parashikohet në 97 milionë euro dhe përveç atyre tashmë të akredituara, parashikon edhe katër masa të reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button