RMV, rikonstruimi i Qeverisë rriti simbolikisht pjesëmarrjen e grave në ekzekutiv, përqindja mbetet e ulët

Votimi i ministrave dhe zëvendës-ministrave të rinj në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut sollën ndryshime minimale pozitive sa i përket përfaqësimit të grave në të, me rritje simbolike të pjesëmarrjes së tyre. Megjithatë, sipas shoqërisë civile, edhe pse ky veprim duhet përshëndetur, vendi çalon në përgjithësi në përfaqësimin e grave në vendimmarrje, shkruan Portalb.mk.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 27 shkurt votoi katër ministra të rinj, dhe njëra prej tyre ishte grua (Kaja Shukova e Mjedisit Jetësor). Me këtë, numri i grave ministre u rrit në pesë, pasi vetëm katër ishin paraprakisht në këtë funksion. Ndërkaq, numri i ministrave në Qeveri gjithsej është gjashtëmbëdhjetë si dhe katër i zëvendës kryeministrave.

Ndërkaq më 2 mars, Kuvendi votoi edhe pesë zëvendës ministra të rinj, tre nga ta ishin gra (Vjollcë Berisha – Bujqësi, Viktoria Avramovska Mandiq – Drejtësi, Maja Manoleva – Shëndetësi). Me këtë, numri i grave zëvendës ministre shkoi në pesë, pasi vetëm dy ishin paraprakisht në këtë funksion. Ndërkaq numri i përgjithshëm i zëvendës ministrave është gjashtëmbëdhjetë.

Me rikonstruimin e Qeverisë të udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), pjesëmarrëse janë edhe tre parti shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASh) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).

Partitë shqiptare nuk ia kanë besuar postin e ministres asnjë gruaje, pasi të pesta ministret vijnë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM). Ndërkaq, nga pesë zëvendës ministret vetëm dy janë shqiptare, e Bujqësisë (ASh) dhe ministrja e Jashtme (PDSh).

Partia më e madhe shqiptare pjesëmarrëse në Qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka emëruar asnjë grua si ministre apo zëvendës ministre.

Gratë në Qeverinë aktuale udhëheqin në këto ministri:

  • Ministre e Mbrojtjes – Sllavjanka Petrovska;
  • Ministre e Punës dhe Politikës Sociale – Jovana Trençevska,
  • Ministre e Kulturës – Bisera Stojçevska,
  • Ministre e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – Kaja Shukova,
  • Ministre pa resor, zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit – Sllavica Grkovska,
  • Zëvendës ministre e Jashtme – Fatmire Isaku,
  • Zëvendës ministre e Mjedisit Jetësor – Hristina Oxhaklieska,
  • Zëvendës ministre e Bujqësisë – Vjollcë Berisha,
  • Zëvendës ministre e Drejtësisë – Viktoria Avramovska Madiq,
  • Zëvendës ministre e Shëndetësisë – Maja Manoleva.

Kujtojmë se rikonstrumi i Qeverisë erdhi pas hyrjes së Alenacës për Shqiptarët në pushtet. Pas këtij vendimi, nga Qeveria u largua Alternativa dhe Lidhja Demokratike.

Ky ndryshim në përfaqësimin e grave në ekzekutiv për Vlora Reçicën, hulumtuese në “Institutin për Demokraci” dhe aktiviste e të drejtave të grave në “Rrjetin Stella” nuk paraqet hap pozitiv përderisa përfaqësimi mes burrave dhe grave në Qeveri nuk është 50-50.

“Kyçja e grave në politikë dhe pozita vendimmarrëse është thelbësore nëse dëshirojmë të ecim përpara  si shoqëri. Shembulli më i thjeshtë është propozim ligji për pushimin prindëror. Propozimi i ri parasheh edhe leje për baballarët, gjë që ju mundëson të dy prindërve të kalojnë kohë më fëmijën në vitin e parë të jetës së tyre. Sa ministra burra të Ministrisë për punë sociale kanë pasur mundësinë të krijojnë një propozim të tillë, por nuk e kanë bërë. Prizma përmes të cilës gratë shikojnë politikën është shumë humane, dhe pikërisht për këtë duhet të jenë në ato pozita”, thotë Reçica.

Ajo shton se pika e dytë është fakti që kyçja e grave në politikë duhet të fillon që nga partitë politike.

“Për momentin kemi parti mizogjene që kyçjen e grave e bëjnë vetëm në mënyrë simbolike. Përderisa vendimet kryesore enden merren në kafe e çajtore në 2 natës, për gratë nuk do të ketë vend në politikën e vendit tonë”, tha Reçica.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Institutit për Lidership dhe Politika Publike, Pranvera Kasami thekson se i gëzohet emërimeve të reja në ndryshimet e fundit të Qeverisë që shënojnë një hap përpara në pozicionimin e barabartë i grave dhe burrave në vendimmarrje në shoqëri, pasi kjo sipas saj mbi të gjitha është çështje drejtësie, respektim i të drejtave themelore të njeriut dhe qeverisje e mirë.

“Është evidente tashmë që edhe nga subjektet politike, bile qoftë për imperativ PR përpara audiencave me rëndësi politike, sytë drejtohen gjithnjë e më shumë nga gratë. Heqja e tavanit të qelqit (glass ceiling), barrierat e padukshme, që parandalojnë gratë në arritjen e pozitave të niveleve të larta, mund të prodhojë jo vetëm më shumë barazi, por edhe përfitime thelbësore në efikasitet. Sado që një skenar afatshkurtër, çdo lëvizje edhe më e vogël drejt vlerave të barazisë, është një hap përpara emancipimit të mirëfilltë dhe unifikimit të shoqërisë me vlerat perëndimore”, tha Kasami.

Për dallim prej Qeverisë, situata në Kuvend është më e mirë, kjo pasi Kodi Zgjedhor e mundëson këtë. Kuvendi aktual i Maqedonisë së Veriut i konstituuar më 4 gusht të vitit 2020 numëron 51 gra deputete nga gjithsej 120 deputetë.

Maqedonia e Veriut që nga pavarësia nuk ka pasur asnjëherë të zgjedhur grua në postet e presidentit, kryeministrit apo kryetarit të Kuvendit, dy gra kanë qenë ushtruese detyre për dy funksionet e fundit edhe atë më pak se një muaj.

Skandaloz mbetet numri i grave të cilat udhëheqin me komunat në vend, nga 81 komuna gjithsej vetëm 2 udhëhiqen nga gratë.

Gjatë fushatave parazgjedhore, partitë figurën e gruas e përdorin vetëm për propagandë dhe mbledhje të votave pasi sapo formohen qeveritë, ajo lihet anash dhe shumë pak përfaqësohet në postet vendimmarrëse. Argument dhe fakt për këtë janë përbërjet e kaluara qeveritare të vendit dhe kjo e fundit, ku hendeku i ministrave burra dhe gra është i madh.

Boshllëqet dhe stereotipet gjinore në jetën publike dhe politike i theksoi edhe Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian i cili u publikua me 12 tetor 2022.

Gratë në RMV të drejtën e votës dhe të zgjidhen në zgjedhjet politike e fituan në vitin 1946. Në nivel global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të së Drejtave të Njeriut. Pjesëmarrja e grave në politikë njihet si e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button