Pse e gjithë kjo heshtje për konviktin studentor të Tetovës?

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Tetova ende nuk ka konvikt studentor shtetëror, edhe pse kjo është një nevojë e madhe për këtë qytet, pasi aty vijnë për studime studentë nga qytete të ndryshme brenda vendit si dhe numër i madh edhe nga Kosova.

Kjo mungesë e konviktit tashmë është problem shumëvjeçar i cili ka përcjellë gjenerata e gjenerata të tëra. Ndërkaq, rëndësia e nevojës së saj doli më në pah vetëm gjatë viteve të fundit me krizën ekonomike ku pati rritje të çmimeve. Kjo për studentët u bë një pengesë më shumë, pasi çmimet e banesave private janë të larta dhe mbulimi i harxhimeve është jo i letë për to. E pengesë tjetër në këtë drejtim është edhe gjetja e një shoku/shoqeje për të ndarë jetesën studentore.

Edhe pse konvikti studentor në Tetovë është në ndërtim e sipër dhe premtohet që nga viti 2016, pra për rreth shtatë vite, i njëjti ende nuk ka përfunduar, ndërkaq afatet kohore vazhdimisht janë shkelur e shtyrë. E për këtë fajet i ka politika dhe ato që e bëjnë të njëjtën, pa përjashtime kush më shumë e kush më pak, fajin të gjithë e kanë.

Në kolltukët e ministrave dhe zëvendës ministrave të Arsimit që nga atëherë janë ulur disa ministra e zëvendës të tyre, shqiptarë e maqedonas, nga pozita dhe opozita, por askush deri më tash nuk e mori guximin që t’i përshpejtojë punët dhe ky objekt të leshtohet në përdorim për studentët, të cilët këta të fundit i “duan shumë dhe punojnë shumë për to”, normalisht gjatë kampanjave zgjedhore për promovim dhe premtime të cilat shpesh nuk realizohen. E marrë parasysh që këtu bëhet fjalë për Universitetin e Tetovës të cilin shpesh e hasim në fjalorin e politikanëve dhe deklaratat e tyre.

Ajo çfarë është më ironike në këtë mes është se në Universitetin e Tetovës kanë ligjëruar dhe ligjërojnë persona të cilët kanë qenë dhe janë pjesë e legjislativit dhe ekzekutivit, kjo në vend se të ishte një përparësi në këtë drejtim që të njëjtit të intensifikonin veprimet për këtë konvikt dhe të lobonin për të njëjtin në instancat përkatëse, supozohet të njohin më afër problemet e studentëve. Megjithatë, praktika e deritanishme ka treguar të kundërtën. Ndërkaq kjo në një univers paralel do të ishte komplet ndryshe.

Për keqardhje është edhe heshtja studentore, madje edhe parlamenti studentor i cili është një lloj parlamenti në vete, por i studentëve? Deri sa i njëjti nuk është zëri i tyre dhe nuk reagon për problemet e tyre, a mund të quhet i tillë? Po të kishin ngritur zërin e tyre, ashtu siç protestat studentore kanë sjellë ndryshime në të kaluarën, ndoshta ky problem edhe do ishte zgjidhur. Por i kthehemi realitetit, një parlament studentor i cili  është në gjumë dhe nuk reagon në një universitet për probleme shumë më të mëdha se kjo, e pritshme është të mos reagojë as edhe për këtë objekt të konviktit studentor i cili nuk po përfundon me vite.

Ministria e Arsimit së fundmi premtoi se konvikti studentor do jetë gati semestrin e ardhshëm të vjeshtës, por a do të bëhet kjo kështu? Mbetet të shihet, pasi praktika e deritanishme ka treguar se afatet e dhëna për këtë objekt gjithmonë janë shkelur, andaj si mund të besojmë të njëjtën deri sa nuk kemi rezultat konkret?!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button