RMV, prodhuesit e mëdhenj nuk shpërndajnë bukë nëpër markete, më të vegjlit shfrytëzojnë rastin (FOTO)

Sot në mëngjes, marketet në Shkup nuk kanë marrë bukë nga prodhuesit kryesorë të këtij produkti bazë ushqimor. Meta.mk bëri një xhiro nëpër dyqane në disa lagje të Shkupit dhe arriti në përfundimin se prodhuesit e mëdhenj të bukës, si “Zhito Luks”, “Uni Luks”, furra “Dime” dhe fabrika të tjera, sot në mëngjes nuk kanë dorëzuar bukë dhe gjysmë bukë të bardhë në dyqane, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo xhiro, u arrit të gjendet bukë vetëm nga prodhues më të vegjël, ndërsa ky produkt mund të blihet edhe në furra buke.

“Në lagjen Karposh 1, vetëm në një market kemi arritur të gjejmë bukë të ditës së sotshme. Ata e kanë marrë sot në mëngjes nga një prodhues nga Jegunovca, ndërsa nëpër markete binte në sy hapësira e rafteve të zbrazëta me bukë nga prodhuesit e tjerë. Buka e bardhë prej 420 gramësh nga ky prodhues mund të blihet me çmim prej 31 denarë. Në dy dyqanet e tjera ku kemi pyetur, kemi marrë përgjigje nga shitësit se prodhuesit nuk kanë dorëzuar bukë mëngjesin e sotëm. Aktualisht janë duke u konsumuar rezervat e këtij produkti ushqimor që kanë afat më të gjatë ruajtjeje, si buka e prerë në feta dhe bukë integrale”.

Meta.mk bëri një xhiro edhe në lagjen Kisela Vodë, ndërsa buk të sotëshme kishte vetëm në një furrë lokale. Siç na thanë nga furra, buka u shit shpejt. Në tre marketet që kaluam në lagjen Kisela Vodë, gjetëm vetëm bukë që prodhuesit e kanë sjellë gjatë ditës së djeshme.

This slideshow requires JavaScript.

Në marketet më të mëdha rreth Shkupit sot në mëngjes mund të merrej bukë nga prodhimi i tyre.

Edhe nga xhiroja në Çair, për dallim nga marketet ku nuk kishte dërgesë, bukë mund të blihej në furrat e bukës dhe burektoret lokale. Në një nga furrat e bukës në Çair çmimi i bukës së bardhë nuk kishte ndryshuar, shitej me çmim prej 35 denarë, por bukë kishte mjaftueshëm. Arritëm të gjejmë edhe bukë me peshë më të vogël, me çmim prej 20 denarë.

Vendimi i prodhuesve më të mëdhenj që të ndalojnë prodhimin e bukës dhe të mos e dorëzojnë atë në rrjetin e shitjes është marrë të hënën, pasi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi shpalli ngrirjen e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë. Vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës është marrë dje nga qeveria.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha dje se çmimi i bukës është ngrirë për shkak se kompanitë nuk i kanë ulur çmimet e produkteve bazë përkundër masave anti-krizë të Qeverisë. Gjithashtu, qeveria hoqi çmimin e subvencionuar të energjisë elektrike.

“Masat antikrizë i morëm për të siguruar një vjeshtë dhe dimër të qetë dhe të parashikueshëm për qytetarët dhe kompanitë gjatë krizës energjetike. Kompanitë kanë marrë çmim më të ulët se berza të energjisë elektrike përmes EMV. Ka kaluar mjaft kohë nga pakoja e fundit e masave që çmimet të harmonizohen. Nga kontrollet e Inspektoratit të Tregut rezultoi se ndonëse kompanitë marrin energji elektrike të subvencionuar, çmimet nuk u ulën apo i ulën shumë pak. Nuk do të lejoj rritje të pajustifikuara të çmimeve. Prandaj në seancën e sotme e anuluam këtë masë. Prodhuesit e produkteve ushqimore bazë do të furnizohen me energji elektrike në përputhje me Ligjin për Energji dhe rregullat për furnizim me energji elektrike”, tha Kovaçevski pas seancës së djeshme të qeverisë.

Qeveria vendosi për këtë hap pasi analizat e Ministrisë së Ekonomisë dhe shërbimeve të inspektimit rezultuan se kishte keqpërdorime me çmimet.

Pas njoftimit për ngrirjen e çmimit të bukës, industria e furrës tha dje se fillimisht do të presin publikimin e vendimit në Gazetën Zyrtare.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button