Transportuesit privat arritën marrëveshje me Qytetin e Shkupit, do t’iu shlyhet borxhi prej dy milionë eurosh

Transportuesit privat kanë arritur marrëveshje me Qytetin e Shkupit për shlyerjen e borxhit prej 2 milion eurosh, shumë të cilën fillimisht Arsovska e mohonte si borxh, madje u bënte thirrje transportuesve që të paraqesin padi nëse kanë prova, transmeton Portalb.mk. 

Ndërkohë, javën e ardhshme, qyteti i Shkupit do të publikojë konkurs për disa linja i cili do të zgjasë dy javë.

Kjo është hera e dytë që Arsovska takohet me transportuesit privat.

Për detajet e marrëveshjes, transportuesit kanë paralajmëruar konferencë për mediat.

Transportuesit privatë ishin në konflikt me Arsovskën, madje në fund të janarit paralajmëruan protesta dhe bllokada të qytetit nëse Qyteti i Shkupit dhe NTP “Shkup” nuk ua paguajnë borxhin prej 1.5 milionë euro. Ata disa herë protestuan para selisë së NTP-së duke kërkuar takim me drejtorin Aleksandar Stojkovski.

Kryetarja Arsovska nuk pranonte asnjë borxh ndaj kompanive private. Ajo thoshte se Qyteti dhe NTP-ja nuk u kanë borxh dhe u bënte thirrje që të padisnin nëse kishin prova.

Shkupi për katër muaj është pa transport të rregullt publik, pasi Arsovska i ndërpreu kontratat me transportuesit “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres”.

Transporti publik në Shkup tashmë tre muaj është në kolaps, autobusët janë reduktuar dhe kur arrijnë në stacion janë të mbingarkuar. Pasi transportuesit privatë kanë ndërprerë lëvizjen për shkak se nuk u është paguar borxhi prej 1.5 milionë eurosh, në rrugë nuk ka mjaft autobusë, ndaj pasagjerët qëndrojnë me orë të tëra në stacionet e autobusëve. Në mëngjes dhe pasdite autobusët janë të mbingarkuar, qytetarët nuk mund të hipin dhe të presin autobus tjetër që po ashtu është plot. Vonë në punë, shkollë, për kontroll mjekësor dhe pasdite qytetarët nuk mund të kthehen në shtëpi.

Kryetarja Arsovska si kandidate e VMRO-DPMNE-së fitoi zgjedhjet me premtimin për transport publik të shpejtë, efikas dhe falas, si dhe me blerjen e 250 autobusëve ekologjikë. Në vitin e parë të mandatit, jo vetëm që nuk e realizoi këtë premtim, por kolapsoi transporti publik në qytet, dhe për herë të parë në histori, Shkupi mbeti një ditë pa të pasi shoferët e NTP “Shkupi” nuk qarkulluan sepse nuk ishin paguar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button