Në kujtim të mikut dhe profesorit të paharruar Luan Starovës

Sot një vit iku në amshim profesori, akademiku dhe shkrimtari i shquar Luan Starova. Në kujtim të personalitetit të tij shumë të veçantë, po sjell për lexuesit e PortAlb-it disa të dhëna për romanin e tij serik Saga ballkanike, që është vlerësuar lart nga kritika vendore dhe e huaj, si një letërsi ndryshe nga romani ynë tradicional, si një vepër e parëndomtë për një mori arsyesh, duke nisur që nga njohja dhe popullariteti i saj më i madh jashtë se sa brenda arealit kulturor shqiptar, lloji i romanit, tematika dhe rezatimi i mesazheve humane, etnizmi karakteristik dhe fryma mbinacionale e veprës, mënyra e gërshetimit të dokumentares me imagjinaren dhe të zhanreve e diskurseve letrare e joletrare, shfrytëzimi i teknikave bashkëkohore narrative e gjer tek prurjet e reja, që erdhën si pasojë e mjedisit dhe formimit letrar të shkrimtarit.

Për Sagën kanë thënë fjalë shumë të bukura studiues me nam nga lindja dhe perëndimi, si: Adonisi, Nedim Gurseli, Edgar Moreni, Erik Faj, Alen Boske, Peter Rau, Vasili Vasilikos, Aleksis Lorka, Xherald Antonie, Predrag Matvejeviqi, Nikolla Kovaçi, Jorgo Bullo, Ali Aliu, Ardian Marashi, Luan Topçiu, Ali Podrimja, Xhevat Lloshi, Gane Torodovski, Georgi Stardellovi, Mateja Matevski… Ajo sot është vepër e respektuar letrare, e cila i ka siguruar autorit emër të pavdekshëm në letërsinë botërore.

Luan Starova fillimisht bëri emër të njohur prej shkrimtari me: poezi, ese, reportazhe, udhëpërshkrime, kritikë, studime letrare dhe përkthime…, por, panteonin e vlerave estetike e preku me romanet: “Librat e Babait”, “Koha e dhive”, “Çelësi ballkanik”, ”Muzeu i ateizmit”, “Dheu i mbjellur”, “Udha e ngjalave”, “Kështjella prej hiri”, “Erveheja – libri për një nënë”, “Dashuria e gjeneralit”, “Në kërkim të Helen Lejbovicit”, “Ambasadat”, “Ambasadat e reja”, “Bregu i egzilit”, “Kufijtë”, “Ballkanbabilonasit”, “Kthimi i dhive”, “Polifonistët” etj, të shkruar tridhjetë vitet e fundit.

Romani me vazhdime i Luanit është me status të dyfishtë, që i bën veprat njëkohësisht edhe autonome edhe pjesë të tërësisë romanore me titullin e përbashkët: Saga ballkanike. Si projekt është i afërt me korpusin e romaneve të Balzakut – një dramë e vërtetë ballkanike me fatin e babait kryeprotagonist dhe të familjes azilante në qendër, një fat shumë aluziv brenda të cilit përfshihet ekzistenca e njerëzimit të gjendur shpesh në shtjellat historike.

Veprën në fjalë kritika e ka quajtur të veçantë, atipike dhe të pakategorizueshme, ndaj si e tillë është vështirë të inkuadrohet e t’i gjendet vendi në një lloj të vetëm romani. Por, edhe përkundër të dhënës se mund të qëndrojë në mënyrë komode brenda romanit historik, politik, eseistik, filozofik, pikaresk, familjar, romanit të personazhit…, më së miri ndjehet në zhanrin e romanit të tipit autobiografik/ autofiksional, të njohur për mungesë imuniteti ndaj hibridizimit dhe migrimeve të diskurseve e ndjesive të ndryshme, që shkrihen e njësohen, fiksionalizohen e letrarizohen, gjer në shndërrimin e plotë në realitet letrar.

Nëpërmjet bashkëjetesës së reales me fantastiken, dokumentares me imagjinaren, njerëzores me mitiken, miteve tradicionale me mitet letrare, gjuhës metaforike, aluzive e sugjestive me gjuhën e thjeshtë e pa stoli të tepërta, të kapshme e të përshtatshme për gjithë shtresat e lexuesve të mundshëm, Luan Starova ia doli me sukses të sjellë në botën letrare veprën, që, sipas shumë studiuesve të njohur, përfaqëson më mirë se cilido tekst tjetër shpirtin ballkanik, ndjesitë e dyzuara të siujdhesës në të cilën kryqëzohen udhët e dy botëve të ndryshme, më së shpeshti të papajtueshme: lindjes e perëndimit, orientit e oksidentit, islamit e krishterimit… Këtë e bëri me gjuhën e mirëkuptimit, tolerancës e humanizmit, me konceptin më dashamirës të mundshëm për tjetrin dhe vlerat e tij, duke i ofruar kësisoj publikut dyshimtarë të Evropës, jo Ballkanin e urrejtjeve dhe betejave vëllavrasëse, po ballkanin e mirëkuptimit e tolerancës, nga i cili ka çka të mësojë.

Luan Starovën e karakterizoi brendakëqyrja e thellë në fenomenet shoqërore. Ai lëvizi lirshëm mes të vërtetave dhe fiksionit, duke e transfiguruar jetën reale në letërsi dhe duke mos çarë kokën, siç do të shprehej Zija Çela, për ata që janë të prirur të identifikojnë xhaketën me delen që dha leshin si lëndë të parë për fijet e kthyera në stof. Autori iu shmang diskursit të natyralizmit ekstrem dhe nuk qe rob i skemave dhe koncepteve zoliane. Rrëfimet e tij janë të besueshme, po gjithnjë të mbështetura mbi premisat letrare. Ai e dinte mirëfilli se ngjarjet reale s’mund të jenë më të vërteta se ngjarjet e imagjinuara, ndaj dhe i letrarizoi ato në romanet e tij.

Saga ballkanike është cikël romanesh të rrëfyer me një qetësi të lindur dhe me një ironi të rafinuar. Ajo është bërë sot vepër e rëndësishme për profilimin evropian të kulturës e të letërsisë shqiptare, libër i hapur me mundësi zgjerimi, dëshmi e gjenisë sonë krijuese, që kthen me sukses në faqe letërsie dramën individuale në dramë gjithnjerëzore, që evokon bindshëm sistemin komediant të tragjedive të njëpasnjëshme, si puna e fatit të kryepersonazhit, në jetën e të cilit banon dhe ajo e autorit.

Tema qendrore e sagës ballkanike është historia njëshekullore e familjes azilante shqiptare, problemet e ekzistencës e të identitetit të saj dhe të njeriut të gjendur në udhë të hapur përballë makinerisë shtypëse të një pushteti, i cili ushtron dhunën e gjithanshme në tentimin për të siguruar jetëgjatësinë e vet. Në këso rrethanash kryepersonazhit të romaneve – babait, këtij intelektuali me të gjitha nivelet e mundshme të shkollimit të kryera në Lindje e në Perëndim, nuk i mbetej gjë tjetër pos të kridhej në librat e shumëllojshëm të bibliotekës së tij, për të kërkuar udhët e daljes e të shpëtimit të familjes azilante nga labirinthet ballkanike, për të projektuar kthimet utopike përmes leximesh e rradhitjesh të librave sipas një rendi të njohur vetëm prej tij, të vazhduar më pas si projekt donkishotesk e sizifian nga i biri, autor, narrator e personazh.

Romanet e Luanit janë në relacione të përhershmne me historinë që përndjehet fuqishëm përmes aluzionesh e alegorishë. Mjeti për shpërfaqjen e të vërtetave tragjike, nuk është mitologjia kufizuese, po metaforat globale si alternativë e diskontinuiteteve, me ndihmën e të cilave përshkoi më lehtësisht diagonalen nëpër periudhën njëshekullore të jetës familjare. Metaforat në fjalë ai i gjeti në pasqyrën dhe çelësat e nënës, bibliotekën dhe librat e babait, kohën e dhive, udhën e ngjalave, muzeun ateist, labirinthet, jeniçerizmin, në rendin e librave si kod lëvizës, në hirin e reliefuar nëpër faqe librash të lexuar nga babai, që përfaqësonin shpresën e kryepersonazhit për gjetjen e udhëve të shpëtimit nga rrethi vicioz, në sfondin e arketipeve familjare të strukturuara në nënkoshiencën e autorit, në arkeologjinë e shpirtit të familjes dhe në botën e ideve të grumbulluara në librat e babait, nëpërmjet të cilëve autori krijoi raporte komunikimi me lexuesit e të gjitha kategorive dhe meridianeve të botës. E tillë është metafora e bibliotekës – kësaj parajseje borhesiane të rezervuar për shpirtërat e zgjedhur, metafora e librave si realitet i mundshëm e virtual, apo metafora e dhive si personifikim i një fabule filozofike që demaskon totalitarizmin e tipit stalinist.

Brumi i romaneve të Starovës është prej më shumë miellnash. Aty kemi prurje nga më të ndryshmet, duke u nisur nga folklori i pasur i vendlindjes së braktisur, nga modelet që përbëjnë traditën më të mirë të romanit shqiptar e jugosllav e gjer tek ato të letërsisë frenge e evropiane. Kuptohet, lënda romanore është zhvilluar më pas duke u mbështetur në talentin dhe mjeshtrinë e shkrimtarit erudit, i cili ua dha gjërave ngjyrërat e shpirtit, pa ekzagjeruar dhe pa i shndërruar në histori të thjeshta me të dhëna faktografike. Përundrazi: ngjarjet dhe personazhet kyç ai i kaloi nëpër laboratorin krijues dhe procesin kompleks të letrarizimit dhe fiksionalizimit, nga i cili nuk shpëtoi as vetë.

Për sa i takon formatimit të personazheve, Luan Starova kapi esencën e fatit të heronjëve të gjendur përballë dhëmbëzorëve gërryes të pushtetit dhe në mëshirën e pushtetarëve të pallogaritshëm të ngarkuar me detyrën e depersonalizimit të qenieve njerëzore. Kjo është arsyeja përse heronjtë e Sagës janë të mbërthyer nga një lloj frike dhe ankthi të përhershëm dhe pse e kanë obsesion ekzistencën dhe daljen nga mallkimi, që në rastin e Ballkanit është me pamje sindromi. Mbase për të njëjtën arsye, në romane hasim personazhe që flasin me heshtje dhe që ruajnë brenda tyre shumë fshehtësi, si puna e babait e nënës, në krah të të cilëve autori me imagjinatën e hapur, sajoi me lëhtësi personazhe e fate të tjerë, të vënë më pas në situatat përkatëse.

Sagën ballkanike e hasim dhe fenomenin e personazheve me iniciale, si heronjtë e Kafkës a të ndonjë autoriteti tjetër letrar. Mungojnë madje dhe emrat e përveçëm të kryeprotagonistëve (babait e nënës) dhe përshkrimi i pamjeve të tyre fizike, që, pa dyshim, i bën ata me status mitik – të gjithkohshëm e të kudondodhshëm. Mbështjellja e personazheve me misterin e të pathënave ia mundëson lexuesit pjesëmarrjen aktive në ridizajnimin e ngjarjeve dhe në tipizimin e personazhëve… I këtillë është rasti me babain kryeprotagonist prej të cilit Starova ka gdhendur spontanisht e pa asnjë sforcim prototipin e intelektualit të mbyllur në botën intime të librave, intelektualit që then pasivitetin me të vetmin veprim që manifeston: shpërndarjen/ mbjelljen e qetësisë tek të tjerët, shpresën për gjetjen e shtegut për dalje e për shpëtim.

Proza romanore e Luan Starovës është e hapur dhe ka pikëtakime me shumë vepra të njohura. Studiuesit e sagës kanë përmendur në këtë kontekst emrat e një vargu të gjatë krijuesish të shquar të letërsisë evropiane e botërore, që nga autorët e mëdhenj shqiptarë e ballkanas si: Faik Konica, Jeronim de Rada, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Ismail Kadareja, Danillo Kishi, Mesha Selimoviqi, Nikos Kazanzakisi, Vasilis Vasilikosi, Borislav Pekiqi, Millosh Cërnjanski… e gjer tek: Miguel de Servantesi, Nikolai Gogoli, Franc Kafka, Alber Kamyja, Mishel Montenji, Marsel Prusti, Pol Elijari, Stefan Malarmeja, Emil Siorani, Edgar Moreni, Ginter Grasi, Tomas Mani, Milan Kundera,  Gabriel Garsia Markesi…

Starova është cilësuar si mjeshtër i rrëfimit modern, përkatësisht i kombinimeve të modeleve paraprake dhe atyre bashkëkohore. Romanet e tij janë të veçantë për nga mënyra e strukturimit, me sipërfaqe narrative të dallgëzuar, me copëza digresionesh me pamje arnash e stofërash të shumëllojshëm, që ta kujtojnë sinkretizmin/ bashkëjetesën e dikurshme të më shumë arteve në një art të vetëm. Autori solli si model shkrimi letrar strukturën shumëformëshë të rrëfimit, të pasur me nëntekst, që më shumë sugjeron se sa shpjegon. Stili i thjeshtë i bën për vete lexuesit e të gjitha kategorive, që natyrisht, jo njësoj arrijnë të depërtojnë në shtresat e padukshme të tekstit, në anën e nëndheshme të letërsisë.

Diskurset dhe sistemet e ndryshme të të menduarit (eseistik, filozofik, simbolik…), të integruara harmonishëm në qenësinë e romaneve, rrëfimi i tipit diskontinuel, shmangia nga linja fabulore lineare, shtresat ndërtekstore të rrëfimit asociativ, ritmi/ tempi dinamik i rrëfimit, dyzimi i heronjve, shumësia e zërave të pavarur e të mëvetësishëm, përfaqësimi i filozofive të veçanta të personazhëve prometejë dhe aspirantë të mendimit të lirë, mendimi estetik i autorit, i papajtueshëm me tipin e romanit tradicional me personazhe objekte…, janë elemente të cilat Sagën shqiptare e ballkanike të Luan Starovës e bëjnë vepër të veçantë polifonike.

Përkundër disfavoreve me të cilat u ballafaqua, për shkak se shkroi paralelisht në tri gjuhë: shqip, maqedonisht dhe frëngjisht, Luani arriti të bëhet romansieri i parë nga Maqedonia e Veriut që seriozisht tërhoqi vëmendjen e gjithë auditorit të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Ardhja në letërsi në kohën kur në Ballkanin e trazuar askush nuk e kishte ngenë e librit, mbetja në skenën e madhe të artit letrar dhe sidomos vlerësimi i veprës si e veçantë dhe atipike, është mrekullia që u ndodh vetëm titanëve të pavdekshëm të penës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button