RMV, punonjësit e shëndetësisë në protestë, kërkojnë rritje të pagave (Video)

Paradite, punëtorët shëndetësorë, gjatë kohës së pauzës protestuan para Qendrës Klinike dhe SPQ “8 Shtatori” në Shkup. Protestë zhvilluan edhe punonjësit e shëndetësisë në Tetovë, duke kërkuar rritje të pagave dhe respektim të ndryshimit të pagës minimale. Përveç në Shkup, protesta të njëkohshme u mbajtën edhe në qytete të tjera të vendit, shkruan Portalb.mk.

Gordana Dimeska nga Sindikata e Qendrës Klinike ka theksuar se sipas legjislacionit evropian, kjo ndërhyrje në projektligjin e pagave, në kontratat kolektive, mund të nënkuptojë heqjen ose zvogëlimin e të drejtave të punëtorëve të përcaktuara në përputhje me këto kontrata kolektive.

“Nga rritja fillestare e pagës minimale dhe afrimi i profileve të tjera më të ulëta me profilin e infermierëve, raportet janë ngatërruar. Me shpalljen e rritjes së re të pagës minimale në muajin mars, profilet tjera do t’i afrohen edhe më shumë me profilin e infermierit”, tha Dimeska e cila mes tjerash theksoi se pesë deri në gjashtë mijë infermierë janë larguar nga vendi në tre deri pesë vitet e fundit.

Te Spitali i Tetovës, ku u tubuan stafi shëndetësor, nën organizimin e Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, Sllobodanka Grçarovska tha se dalja në protestë për shkak të vonesës së pagave, ishte vetëm një pikë në kovën e pakënaqësive në shëndetësi.

Sllobodanka Grçarovska, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Jemi të pakënaqur për shkak të aneksit të pa nënshkruar të marrëveshjes kolektive për rritjen e pagave. Sot po protestojmë edhe për mos pagesën e K-15 sepse sërish nuk ka pagesë për shëndetësi, po protestojmë edhe për mos nënshkrimin e Marrëveshjes së re Kolektive, e cila duhet të avancojë të drejtat e punëtorëve shëndetësorë. Edhe sot dolëm të protestojmë për dinjitetin e punëtorëve shëndetësorë dhe kundër qëndrimit ofendues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë ndaj punëtorëve shëndetësorë. Sot dolëm që të shohin se ne jemi këtu dhe ekzistojmë”, tha mes tjerash Grçarovska.

Për sa u përket pagave të vonuara, dje drejtori organizativ i Spitalit të Tetovës, Armend Fazliu përmes rrjetit social Facebook duke iu drejtuar mbi një mijë të punësuarve në Qendrën Klinike Spitalore të Tetovës tha se paga e muajit janar tashmë është ekzekutuar.

“Të gjithë të punësuarit e institucionit tonë që janë në marrëdhënie të rregullt të punës, tashmë praktikisht pagat i disponojnë në xhirollogaritë e tyre bankare. Ngërçi i vonesave erdhi si rezultat i sulmeve kibernetike në sistemin e transaksioneve pagesore “e trezor” (thesar) të FSSHRMV-së”, shkroi Fazliu.

Por, Grçanovska për këtë thotë se kjo nuk e ndryshon situatën që i lanë pa rrogë për një muaj të tërë, ndërkaq për hapat tjerë se si do vazhdojnë më tutje tha se do i merr sindikata, nuk përjashtuan edhe mundësinë e radikalizimit.

Për protestat, kërkuam informacion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria, megjithatë deri në publikimin e këtij shkrimi nga këto dy institucione përgjigje nuk morëm.

Kujtojmë se si rezultat i ndryshimeve në përbërjen e Qeverisë, procedura e cila është ende në Kuvend, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në vend të Bekim Salit (Alternativa) pritet të vijë Fatmir Mexhiti (Aleanca për Shqiptarët).

Sipas të dhënave nga Oda e mjekëve, siç u theksua në protestën para Qendrës Klinike në Shkup, në tre vitet e fundit nga vendi janë larguar 2200 mjekë.

Kujtojmë që sistemi i Fondit Shëndetësor u hakua dhe ishte jashtë funksionit për dy javë, me çka u vonuan pagat e janarit të punonjësve të shëndetësisë. Sistemi IT i FSSh-së u ndërpre më 6 shkurt pasi u bë objektiv i një sulmi kibernetik. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button