Mbaroi debati për shkarkimin e Alitit, filloi debati për shkarkimin e ministrit tjetër të Alternativës

Në orët e pasdites ka mbaruar debati edhe për shkarkimin e ministrit Admirim Aliti, ndërsa debati për shkarkimin e ministrit Xhemail Çupi filloi pak minuta para orës 21:00, transmeton Portalb.mk.

Ka ose jo bazë për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike nga radhët e Alternativës, Admirim Aliti, u diskutua përsëri gjatë vazhdimit të debatit në Kuvend. Debati hyri në javën e dytë, ndërkohë që deri në shkarkimin e plotë të të tre ministrave të partisë së Afrim Gashit dhe në emërimin e ministrave të rinj nga radhët e Aleancës për Shqiptarët duket se ka një rrugë shumë të gjatë, raporton Alsat-M.

VMRO-DPMNE-ja u vu në mbrojtje të ministrit Aliti, duke thënë se pushteti nuk ka asnjë arsye për të shkarkuar një ministër të pakorruptuar. Kuadrot e tilla, thanë nga VMRO-DPMNE-ja, flasin për cilësinë e partisë së Gashit. Me lëvdatat e VMRO-së u pajtuan deputetët e Alternativës.

“Unë do të ju kuptoja nëse do të shkarkonit ministër, drejtor ose edhe zv/kryeministër nëse nuk e ka kryer detyrimin që ka, por konkretisht këtë ministër, s’mund ta kuptoj pse keni vendosur ta ndryshoni? Mos ndoshta ky ministër pse nuk ka qenë i korruptuar, ka qenë profesionist dhe ka punuar aq sa ka pasur kohë të punojë për një vit, nuk është i përshtatshëm dhe kështu me dhunë e largoni nga kabineti qeveritar?”, u shpreh Ivanka Vasilevska, VMRO-DPMNE.

“Shkarkimi brutal i ministrit, nëse bëhet për punën korrekte dhe të ndershme që e ka bërë, atëherë për ne është nderë. Më vjen keq që shkarkohen ministra të tillë. Qasja e tillë nuk është as morale dhe as evropiane. Nëse nisemi në Evropë me kështu mendësie, ta kemi të qartë dhe ta besojmë se nuk jemi të mirëseardhur”, deklaroi Safije Sadiki, Alternativa.

“Të kesh nderin dhe vullnetin, të punosh dhe të dalësh i ndershëm, pa asnjë denarë të fituar jashtë rrogës dhe të lihen pas vetes rezultate, kjo flet për cilësinë e një personi dhe për cilësinë e subjektit tuaj politik”, theksoi Ivanka Vasilevska, VMRO-DPMNE.

Deri sa debati vazhdonte, kryeministri Dimitar Kovaçevski lexonte libër dhe mbante kufje.

Përkrah Bekim Salit dhe Admirim Alitit nga Alternativa, në rend dite të kësaj seance është edhe shkarkimi edhe i ministrit pa resorë për diasporë, Xhemail Çupi, po ashtu nga Alternativa.

Në listën për shkarkim është edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, i cili është pjesë e “grupit të zjarrit” në BDI.

Përveç tyre, nga Qeveria po largohen edhe dy ministra dhe dy deputetë, të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet, ndaj pardje Kuvendi vetëm i ka konfirmuar. Fjala është për ministrat e Drejtësisë Nikolla Tupançeski (LSDM) dhe i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini (BDI), si dhe zëvendësministrat e Drejtësisë Agim Nuhiu (BDI) dhe i Shëndetësisë Vladimir Rendevski (LSDM).

Sipas planit të koalicionit qeveritar, për anëtarë të rinj të qeverisë duhet të zgjidhen:

Krenar LLoga (Aleanca) – Ministër i Drejtësisë;
Fatmir Mexhiti (Aleanca) – Ministër i Shëndetësisë;
Azir Aliu (Aleanca) – Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës;
Kaja Shukova (LSDM) – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
Tiron Jajaga (Aleanca) – Zëvendësministër i Mbrojtjes;
Vjollca Berisha (Aleanca) – Zëvendësministre e Bujqësisë;
Viktorija Avramovska-Mandiq (LSDM) – Zëvendësministre e Drejtësisë;
Maja Manoleva (LSDM) – Zëvendësministre e Shëndetësisë;
Agim Nuhiu (BDI) – Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button