Gazetarët e RMV-së në protestë, kërkojnë nga institucionet kushte më të mira pune (Video-Foto)

Punonjësit e medias të Maqedonisë së Veriut marshuan sot nga Qeveria deri te Kuvendi ku shprehën pakënaqësitë e tyre për kushtet në të cilat ata punojnë, si sulmet ndaj gazetarëve, fyerjet dhe poshtërimet nga politikanët, konkurrenca e pandershme, kushtet e pasigurta në të cilat punojnë gazetarët, gjendja e keqe socio-ekonomik dhe të tjera. Kërkuan zgjidhje nga institucionet në fjalë, shkruan Portalb.mk.

“Gazetaria e sulmuar, ne jemi të bashkuar”, “Punojmë për qytetarët e jo për partitë”, “U përpoqën edhe më herët të na e mbyllin gojën, nuk mundën, nuk do munden as tani”, “Fyerjet ndaj gazetarëve janë nënvlerësim i qytetarëve”, “Varfëria = autocensurë”, janë këto disa nga mesazhet të cilat u ngritën para Qeverisë dhe Kuvendit nga punonjësit e medias.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski theksoi se ligjet të cilat janë të rëndësishme për mediat nuk zbatohen dhe se zyrtarët publik nënvlerësojnë punonjësit e mediat.

“Kemi kërkesa serioze për Qeverinë dhe Kuvendin: Të ndalet tendenca negative e fjalës degraduese nga ministra, drejtorë, politikanë, ndaloni PR-në agresive shtetërore, mbështetje për kolegët në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje sistematike për përmbajtje cilësore gazetareske dhe paga dinjitoze, zbatimi i ligjeve të rëndësishme në gazetari”, tha mes tjerash Çadikovski i cili theksoi se për të gjitha këto kërkesa i kanë dorëzuar Qeverisë plan veprimi me pika, nënpika dhe afate zbatimi.

“Jemi ngopur me justifikime, kjo është gjëja më e rëndësishme për të siguruar një mjedis demokratik në të cilin do të çimentojmë lirinë e fjalës si imperativin më të fortë për funksionimin e shtetit, kërkojmë respekt për profesionin e gazetarit, për gazetarët, kameramanët, fotoreporterët, askush nuk duhet të na nënvlerësojë dhe të na ofendojë sepse punojmë për qytetarët”, tha Çadikovski.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGM), Pavle Bellovski theksoi se gazetarët dhe punëtorët e mediave gjithnjë e më shumë po ofendohen, sulmohen, ngacmohen, dhe nëpërkëmben.

“Sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias janë sulm ndaj publikut, pra ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Mirëpresim miratimin e ndryshimeve në Ligjin Penal, të cilat parashikojnë se sulmi ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias do të trajtohet si sulm ndaj një zyrtari”, tha Bellovski.

Nga Qeveria, punonjësit e medias marshuan deri te Kuvendi, ku aty disa nga gazetarët para kolegëve treguan sfidat dhe problemet gjatë punës së tyre.

Gazetarja Dushica Mrgja theksoi drejtësinë që nuk e morën gazetarët që raportuan për sulmin në Kuvend me 27 prill 2017.

Gazetarja Sllavica FiliposvskaIvanova theksoi se vajzat në këtë profesion janë më të ekspozuara ndaj sulmeve, të cilat për “fatin tonë për momentin janë kryesisht vetëm verbale”.

Gazetarja Sashka Cvetkovska theksoi paditë ndaj gazetarëve nga zyrtarët dhe biznesmenët.

Gazetari Senat Zylbeari theksoi se arsyeja e tubimit është shumë e qartë,” të ngremë zërin për kolegët tanë gazetarë. 77 vjetorin e Shoqatës së Gazetarëve të vendosim ta festojmë në këtë mënyrë”.

“Dihet se kolegët tanë fyhen dhe poshtërohen nga ana e atyre që janë zgjedhur nga qytetarët. Qëllimi është që të ndryshojnë qasje ndaj gazetarëve. Shohim se dita ditës kemi më pak mediume, më pak gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë. Duam të përcjellim një mesazh se në asnjë mënyrë nuk mund të na heshtni, ne do vazhdojmë që të raportojmë në interes të qytetarëve, pavarësisht se ju na quani të shitur dhe njerëz të ulur, dhe çfarë do lloj fyerjesh tjera”, tha Zylbeari.

“Duhet t’i kemi të drejtat tona, sidomos duhet të jemi të qetë kur dalim në terren, jo të jemi me stres apo me panik se kur do shkojmë në terren se do na sulmojë dikush. T’i kemi të drejtat tona si kameramanë, ashtu edhe gazetarët dhe fotografët, të gjithë njëjtë”, tha kameramani Vedut Osmani.

This slideshow requires JavaScript.

Portalb u drejtua me pyetje deri te Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë për atë se A duhet të protestohet edhe te pronarët e mediave për përmirësimin e kushteve të gazetarëve?

Nga atje thanë për Portalb se mesazhet e dërguara sot duhet të kenë parasysh të gjithë aktorët socialë, përfshirë edhe pronarët e mediave. Është e qartë se secili ka përgjegjësinë e vet për zgjidhjen e çështjeve komplekse të akumuluara.

“Kërkojmë respekt për profesionin e gazetarit, për gazetarët, kameramanët, fotoreporterët, askush nuk duhet të na nënvlerësojë dhe të na ofendojë sepse punojmë për qytetarët. Po dalim edhe për të kujtuar se gazetaria është një e mirë publike, nuk është e qeverisë, as opozitës, as partive, as pronarëve të mediave, por është e gazetarëve”, thanë nga SHGM-ja duke cituar pjesë nga fjalimi i sotëm i Çadikovskit.

Të pyetur për atë se si e vlerësojnë ata pozicionin e gazetarëve në krahasim me kohën e regjimit të Nikolla Gruevskit? Nga SHGM-ja thanë:

“Në atë kohë jetonim dhe punonim në kushte jashtëzakonisht të këqija dhe nga pikëpamja e lirisë së fjalës kishim edhe gazetarë në burg. Nuk duhet të përsëritet. Mund të mos jetë kështu tani, por gjërat kanë ngecur, ligjet e rëndësishme për median nuk zbatohen, zyrtarët publikë dinë ende të kenë qëndrim nënvlerësues ndaj gazetarëve dhe kameramanëve, PR-ja agresive shtetërore merr punën e e gazetarëve, mediat rajonale dhe regjionale punojnë në kufijtë e mbijetesës, siguria e gazetarëve nuk është në nivelin që do të donim të ishte.”

Përndryshe, marshi protestues u organizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGM).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button