Ngrohja globale mund të na e sjellë malarien, Zikën, sëmundjen Lajm dhe sëmundje të tjera ngjitëse

Tendencat e reja energjetike, si dhe situata gjithnjë e më shqetësuese me ndryshimet klimatike, gjegjësisht ngrohja globale, krijojnë mundësi për përhapje intensive të sëmundjeve ngjitëse në zona gjeografike ku deri më tani ato nuk janë regjistruar. Për këtë paralajmëron Ass. Dr. Dragan Koçinski, specialist epidemiolog në Departamentin e Epidemiologjisë së Sëmundjeve Ngjitëse pranë Institutit të Shëndetit Publik. Sëmundjet që transmetohen nga vektorët përbëjnë një kërcënim të madh për shëndetin e njerëzve në mbarë botën.

Në lidhje me atë se sa raste janë regjistruar në vendin tonë, për mënyrat e parandalimit, por edhe për simptomat e këtyre sëmundjeve, në këtë intervistë kolegët nga Meta.mk flasin me Ass. Dr. Koçinskin.

Sa janë të arsyeshme pritshmëritë se në kontinentin evropian ka gjasa që të kthehen këto sëmundje?

Dragan Koçinski, foto nga arkivi personal

Sëmundjet që transmetohen nga vektorët përbëjnë një kërcënim të madh për shëndetin e njerëzve në mbarë botën. Ato shkaktohen nga parazitë, viruse dhe baktere që barten nga mushkonjat, mizat e rërës, insektet, mizat e zeza, rriqrat, kërmijtë dhe morrat. Sëmundjet më të shpeshta të transmetuara nga vektorët që prekin njerëzit janë malaria, ethet denga, filariaza limfatike, shistozomiaza, çikungunia, onkocerciaza, sëmundja e Shagasit, laishmanioza, infeksioni nga virusi Zika, ethet e verdha dhe encefaliti japonez. Sëmundje të tjera të transmetuara nga vektorët, si tripanosomiaza afrikane, sëmundja Lajm, encefaliti që përcillet nga rriqrat dhe ethet e Nilit Perëndimor janë të një rëndësie lokale në zona ose popullata specifike.

Të gjitha sëmundjet kryesore që transmetohen nga vektorët përbëjnë rreth 17 përqind të ngarkesës globale të vlerësuar të sëmundjeve ngjitëse dhe çdo vit si rezultat i këtyre sëmundjeve regjistrohen mbi 700.000 raste të vdekjes. Kjo ngarkesë është më e madhe në zonat tropikale dhe subtropikale. Mbi 80 përqind e popullatës botërore jeton në zona të rrezikuara nga të paktën një sëmundje kryesore e transmetuar nga vektorët, me ç’rast më shumë se gjysma janë të ekspozuar ndaj rrezikut nga dy ose më shumë sëmundje kryesore. Rreziku i infektimit me disa patogjenë viralë është veçanërisht i lartë në qytetet ku shumohen mushkonjat Aedes dhe Culex për shkak të habitateve të favorshme dhe kontaktit të ngushtë me njerëzit. Shkalla e morbiditetit dhe mortalitetit në mënyrë disproporcionale shpesh është më e lartë tek popullatat më të varfra. Sëmundjet që transmetohen nga vektorët përbëjnë një kërcënim të madh për ekonomitë dhe e kufizojnë zhvillimin rural dhe urban.

Trazirat ekonomike botërore, tendencat e reja energjetike si dhe situata gjithnjë e më shqetësuese me ndryshimet klimatike – ngrohja globale, krijojnë mundësi për përhapje intensive të vektorëve të sëmundjeve infektive në zonat gjeografike ku ato nuk janë regjistruar deri më tani, por edhe një zhvendosje të sezoneve dhe paraqitjes së tyre në një pjesë më të madhe të vitit. E gjithë kjo paraqet një goditje ndaj shëndetit të njeriut me rikthimin e sëmundjeve ngjitëse tashmë të zhdukura, të eliminuara/çrrënjosura (tropikale dhe subtropikale). Masat për ndërhyrjen në ekologjinë dhe shpërndarjen e tyre kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse nëpërmjet vektorëve, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës (ato thumbojnë, gumëzhijnë, shqetësojnë, bezdisin).

Si është situata në Evropë, a po shënohet rritje e numrit të rasteve në kontinentin evropian dhe a ka paralajmërime nga ekspertët e shëndetësisë për këtë gjë?

Kushtet klimatike (temperatura, lagështia dhe reshjet) e kufizojnë shpërndarjen gjeografike dhe sezonale të sëmundjeve ngjitëse, ndërsa klima ndikon në kohën dhe intensitetin e shpërthimit të sëmundjeve.

Për Evropën të një rëndësie të veçantë si vektorë që bartin sëmundje janë mushkonjat Aedes albopictus (vektorë për sëmundjen çikungunia, ethet denga dhe dilofilariazën), mushkonjat Aedes aegypti (vektorë për sëmundjen çikungunia, ethet denga, ethet e verdha dhe Zika-n), mushkonjat Culex (vektor për ethet e Nilit perëndimor), mizat e rërës flebotomus (vektor për laishmaniozën) dhe rriqrat Ixodes ricinus (vektor për borreliozën, sëmundjen Lajm dhe encefalitin që përhapet nga rriqrat). Krahas faktorëve klimatikë, tek rreziqet rajonale nga sëmundjet ndikojnë edhe faktorë të tillë si shfrytëzimi i tokës, kontrollimi i vektorëve, sjellja e njeriut, tregtia dhe udhëtimet globale dhe kapacitetet e shëndetit publik.

Temperaturat më të larta shumë vektorëve të sëmundjeve u kanë mundësuar që të zgjerojnë shpërndarjen e tyre drejt veriut dhe në lartësi më të larta mbidetare në Evropë. Viteve të fundit (kryesisht nga viti 2010) në Evropën Jugore dhe Juglindore janë shfaqur epidemi autoktone (jo të importuara) të dengës, çikungunias, etheve të Nilit Perëndimor dhe madje edhe të malaries. Përshtatshmëria më e mirë klimatike për vektorët e sëmundjeve ka kontribuar për shfaqjen e këtyre epidemive.

Rastet e transmetuara në nivel lokal të etheve dengës në Evropën kontinentale ku A. albopictus është i pranishëm vazhdojnë të shfaqen me një frekuencë më të madhe. Që nga epidemia e viteve 1927/28 në Greqi e deri në vitin 2010, Evropa ishte e lirë nga transmetimi autokton i dengës. Raportimet e para të rasteve me ethet denga të përhapura lokalisht kohëve të fundit vijnë nga Kroacia dhe Franca dhe atë në vitin 2010. Nga ajo kohë shpërthime sporadike kanë ndodhur në vitin 2013, 2014, 2015, 2018, 2019 dhe vitin 2020 në Francë, Spanjë dhe Itali – ndryshimet klimatike në Evropën Jugore kanë përmirësuar përshtatshmërinë klimatike për A.albopictus. Tendencat për rritjen e numrit të sëmundjeve vihen re në të gjitha vendet e BE-së.

Encefaliti i përhapur nga rriqrat dhe Lajm borrelioza (sëmundja Lajm) janë dy sëmundjet më të rëndësishme në Evropë të bartura nga rriqrat, të dyja të transmetuara kryesisht nga Ixodes ricinus. Disa vende evropiane bëjnë të ditur se Ixodes ricinus ka migruar drejt veriut dhe në lartësi më të mëdha mbidetare. Incidenca e raportuar për Lajm borreliozën në BE është rreth 65.000 raste në vit.

Gjatë 30 viteve të fundit raportimi mesatar vjetor në zonat endemike evropiane është rritur për afërsisht 400%, edhe pse kjo rritje mund të jetë edhe si rezultat i metodave më efikase të zbulimit dhe diagnostikimit. Incidenca e lartë e të dyja sëmundjeve lidhet me dimrat e butë dhe verat e nxehta dhe me lagështi.

Cilat nga sëmundjet e transmetuara nga vektorët janë të regjistruara në vendet e rajonit si Greqia, Serbia, Bullgaria?

Tek fqinjët tanë (Greqi, Serbi, Bullgari) çdo vit regjistrohen një numër i madh i rasteve të etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa në Greqi (madje edhe në rajonet në kufi me Maqedoninë e Veriut) sërish regjistrohen raste autoktone të malaries. Në Evropë parashihet që ngrohja ta zgjerojë zonën e përshtatshme për transmetimin e sëmundjeve që përcillen nga vektorët, kryesisht drejt veriut. Analizat e hollësishme të infeksioneve me virusin e Nilit Perëndimor, dengës dhe virusit çikungunia tregojnë se zgjerimi do të ndodhte kryesisht në kufijtë e jashtëm të rajoneve aktuale të transmetimit. Megjithatë, sipas skenarit të emetimeve të larta gjatë shekullit XXI, pjesa më e madhe e Evropës Jugore rrezikon të pushtohet nga Aedes aegypti, mushkonjat që transmetojnë dengën.

Si është situata te ne?

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas legjislacionit (Ligji për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse), sëmundjet e transmetuara nga vektorët (sëmundjet që transmetohen ekskluzivisht përmes vektorëve ose përmes rrugëve të tjera) janë subjekt i raportimit të detyrueshëm: malaria, sëmundja Lajm, laishmanioza, tularemia, ethet e verdha,tifoja, ethet hemorragjike, murtaja, denga, ndërsa në kuadër të encefaliteve virale dhe ethet e Nilit Perëndimor. Në vendin tonë këto sëmundje regjistrohen çdo vit, me raste individuale ose në formë epidemie.

A ekziston vaksinë për këto sëmundje?

Nga sëmundjet që raportohen dhe regjistrohen në Maqedoninë e Veriut, vetëm për ethet e verdha kanë një vaksinë shumë efikase dhe të lirë, e cila të vaksinuarve u siguron imunitet deri më 95 përqind. Në mënyrë rutinore kjo vaksinë përdoret vetëm në një numër të vogël të vendeve. Rekomandohet për njerëzit që udhëtojnë në vendet ku ekziston kjo sëmundje dhe ku kërkohet një certifikatë vaksinimi për njerëzit që vijnë nga zona të tilla.

Çfarë mund të ndërmerret për ta parandaluar zhvillimin dhe përhapjen e sëmundjeve që përcillen nga vektorët?

Potenciali epidemik i vektorëve të ndryshëm është i kushtëzuar nga masa e tyre (numri i popullatës), e cila mundëson rrezikimin e shëndetit të njeriut në një kohë të shkurtër, por që gjithashtu ofron edhe mundësinë e ndalimit të shpejtë të transmetimit të sëmundjes me shkatërrimin efikas të vektorëve. E gjithë kjo ka një efekt të përkohshëm dhe për këtë arsye për shkatërrimin e vektorëve nevojiten disa veprime të përsëritura.

Sa i përket parandalimit dhe zhdukjes së sëmundjeve të transmetuara nga vektorët, nevojitet një aktivitet i vazhdueshëm informativ dhe edukativo-shëndetësor që synon të gjithë popullatën, e sidomos popullatën e rrezikuar. Ngritja e vetëdijes për këto çështje bëhet në nivel kombëtar përmes fushatave mediatike dhe në nivel lokal përmes broshurave dhe fletushkave të posaçme, si dhe përmes leksioneve periodike për popullatën.

Çfarë masash duhet të dijë të ndërmarrë popullata për t’i parandaluar sëmundjet e transmetuara nga vektorët?

Duhet të bëhet eliminimi i foleve ku ato shumohen. Të mos lihen fuçi të hapura, kosha plehrash, kontejnerë, enë dhe goma të vjetra në oborre ku mund të mblidhet uji i shiut dhe rregullisht të pastrohen ulluqet që të mundësohet që uji i mbledhur në to të kullojë. Pastaj, është e nevojshme që të sigurohet mbrojtje nga pickimi – të vishen rroba të përshtatshme me mëngë dhe në lëkurë të aplikohen repelentë në formë losioni, spërkatësi ose kremi për t’i larguar mushkonjat dhe për ta evituar “ushqimin e tyre me gjak” (gjaku i organizmit shërben për zhvillimin dhe ushqimin e larvave të reja të mushkonjave). Në mjedise të hapura (kopsht, oborr) si repelentë mund të përdoren qirinjtë aromatikë. Këto produkte përdoren vetëm në kushte kur ka lëvizje minimale të ajrit. Në dyert dhe dritaret e shtëpisë duhet të instalohen rrjeta mbrojtëse. Në oborre ose parqe mund të vendosni shtëpi zogjsh (zogjtë janë grabitqar natyral të mushkonjave). Reduktimi i numrit të mushkonjave në këtë mënyrë është më pak efikas sepse mushkonjat janë më aktive në mbrëmje kur zogjtë janë më pak aktivë. Foletë e shumimit në tokat lokale (komunale) duhet të eliminohen – të pastrohen ujërat e ndenjura, pellgjet, kanalet e hapura dhe të braktisura, deponitë e egra dhe vendet ku grumbullohet uji i shiut, sepse mund të shërbejnë si pika të mundshme për shumimin e mushkonjave. Kjo është më efikase dhe më pak e dëmshme nga spërkatja me pesticide – insekticide.

Institucionet kompetente ose mjeku i familjes duhet ta informojnë rregullisht popullatësn para udhëtimit për mundësinë e shfaqjes të disa prej këtyre sëmundjeve në vendin e udhëtimit dhe të japin rekomandime për mënyrën e mbrojtjes me qëllim mbrojtjen e shëndetit, parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve dhe reduktimin e mundësisë së importimit të tyre në vendin tonë. Instituti i Shëndetit Publik dhe Qendrat e Shëndetit Publik përgatisin fletushka, broshura dhe informacione për popullatën dhe i përditësojnë rregullisht ueb-faqet e tyre. Qendrat e shëndetit publik shpërndajnë materiale të përgatitura deri tek udhëtarët, agjencitë e udhëtimit dhe institucionet e tjera për t’i njohur ata me gjendjen dhe metodat e parandalimit.

Sa raste në vit ka në Maqedoni dhe a përfundojnë me vdekje?

Nëse flasim për malarinë, në periudhën 2012-2021 janë raportuar gjithsej 36 raste. Në këtë dhjetëvjeçar janë regjistruar 4 vdekje. Në vitin 1973 nga OBSH-ja Maqedonia e Veriut u certifikua si një vend pa malarie, ndërsa të gjitha rastet e regjistruara janë raste të importuara (persona që kanë udhëtuar në zonat ku malaria është një sëmundje endemike). Sa i përket laishmaniozës, në periudhën 2012-2021 janë regjistruar gjithsej 85 raste dhe 2 vdekje. Gjatë kësaj periudhe numri më i madh i pacientëve gështë raportuar në vitin 2013 (n=20). Sëmundja Lajm në periudhën 2012-2021 është regjistruar në mënyrë sporadike, deri në vitin 2008 nuk ka pasur asnjë rast, ndërsa pastaj janë regjistruar gjithsej 59 të sëmurë. Me ethe hemorragjike të Kongo-Krimesë në këtë periudhë dhjetëvjeçare është raportuar vetëm një rast në vitin 2009.

Rastet e tularemisë, në periudhën nga viti 1990 e deri më tani, janë shfaqur në intervale kohore jo të njëjta, kryesisht në formë epidemike, edhe pse viteve të fundit janë regjistruar edhe raste sporadike. Në periudhën 2012-2021 është raportuar një epidemi e tularemisë, në vitin 2015, me numrin më të madh të rasteve të regjistruara në një epidemi të tularemisë deri më tani – 37. Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje që në vendin tonë për herë të parë u raportua në vitin 2011. Që atëherë janë raportuar gjithsej 31 të sëmurë dhe 4 vdekje. Në Maqedoni nuk ka raste të raportuara të etheve të verdha, encefalitit të shkaktuar nga rriqrat, dengës, sëmundjes së virusit Zika dhe çikungunia.

Si ti dallojmë simptomat e malaries?

Simptomat e malaries përfshijnë ethe dhe simptoma të ngjashme me gripin – ethe, dhimbje koke, dhimbje të muskujve, kockave, kyçeve. Sëmundja mund të pasohet edhe me: anemi, verdhëz, forma të rënda me konvulsione, konfuzion, dëmtim të veshkave, koma, vdekje (tek fëmijët). Sa i përket etheve të Nilit Perëndimor, përqindja më e madhe e infeksioneve tek njerëzit janë pa simptoma (80 përqind). Përqindja më e madhe e rasteve klinike manifestohet me forma të lehta, me simptoma të ngjashme me gripin (temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe kyçesh). Debulesë, lodhje, enjtje të gjëndrave limfatike, nauze, të vjella, poashtu edhe me një irritim të mundshëm në trup. Në të shumtën e rasteve infeksionet pa ndërlikime zhduken pas 3-6 ditë. Tek ata me formë të rëndë, neuroinvazive të sëmundjes, 1 përqind (në të shumëtn e rasteve tek të moshuarit) mund të manifestohen simptoma të encefalitit, meningo-encefalitit ose meningjitit – zënie e qafës, çorientim, dridhje, konvulsione, dobësi e madhe e muskujve, paralizë flakcide dhe koma. Mund të shfaqen edhe çrregullime të baraspeshës, dëmtime të nervave kraniale, dhimbje në sy, por edhe miokardit, pankreatit, forma fulminante të hepatitit.

Me çfarë terapie trajtohet malaria?

Sa i përket malaries ekziston një terapi specifike – barna antimalariale që aplikohen tek pacientët në kushte spitalore. Sa i përket viruseve të tjerë që transmetohen nga vektorët, për ato nuk ka terapi të veçantë, por kujdesi i duhur mjekësor intensiv i pacientëve jep shans për mbijetesë më të madhe të pacientëve me forma të rënda.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button