Fondacioni Metamorfozis do t’i ndihmojë Qeverisë për ta përgatitur Strategjinë e re për transparencë

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari dhe zëvendëskryeministrja e Maqedonisë së Veriut e Obliguar për Qeverisje të Mirë, Sllavica Grkovska sot nënshkruan Memorandum për bashkëpunim, me qëllim të përgatitjes së Strategjisë së re për transparencë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e cila do të kontribuojë në përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë dhe institucioneve në bazë të parimeve për bashkëpunim me shoqërinë civile dhe këmbimin e njohurive dhe përvojave.

Drejtori Jashari deklaroi se Memorandumi për bashkëpunim paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit të Fondacionit Metamorfozis me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e transparencës. Sipas tij, përpilimi i strategjisë paraqet një hap tejet të rëndësishëm, por ende më i rëndësishëm do të jetë zbatimi i saj.

“Ky bashkëpunim ka për qëllim krijimin e një Strategjie të re për transparencë të Qeverisë me të cilën do të definohet korniza strategjike, por edhe plani i aktiviteteve dhe resurset e nevojshme për zbatimin e saj. Për Fondacionin Metamorfozis, përpilimi i strategjisë paraqet një hap tejet të rëndësishëm, por ende më i rëndësishëm do të jetë zbatimi i saj, me çfarë do të kontribuohet konkretisht në përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë dhe institucioneve qeveritare. Kjo do të ndikoje në rritjen e besimit tani të luhatur të qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit, e më tej edhe në përforcimin e demokracisë në përgjithësi”, tha Jashari.

Filip Stojanovski - Bardhyl Jashari
Filip Stojanovski – Bardhyl Jashari

Nga Kabineti i Grkovskës njoftuan se Strategjia për Transparencë do të ketë për qëllim të shërbejë si mekanizëm për lidhjen dhe harmonizimin e dokumenteve strategjike tanimë të miratuara dhe kornizës ligjore, të cilat në mënyrë direkte apo indirekte e përmirësojnë transparencën e institucioneve vendore.

Filip Stojanovski dhe Dançe Danillovska-Bajdevska
Filip Stojanovski dhe Dançe Danillovska-Bajdevska

“Me krijimin e këtij dokumenti strategjik, rregullat për komunikim të institucioneve me qytetarët dhe parimi i transparencës do të operacionalizohen dhe avancohen. Strategjia për Transparencë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, do të përgatitet nëpërmjet procesit të gjerë konsultativ”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Grkovskës.

Ndryshe, sot drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, nënshkroi gjithashtu Memorandum bashkëpunimi me Kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e aktiviteteve të Qendrës Presidenciale për Edukim Politik. Me nënshkrimin e këtij memorandumi për bashkëpunim parashikohet mbështetje e Kabinetit të Presidentit në realizimin e aktiviteteve në temën e rezistencës ndaj dezinformatave në kuadër të Qendrës Presidenciale për Edukim Politik, puna e së cilës zhvillohet nën kujdesin e presidentit Stevo Pendarovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button