Si përvetësohet në Kinë dezinformimi në SHBA për vaksinën e COVID-19

Një video e modifikuar që komenton kërkimin e korporatës farmaceutike amerikane Pfizer mbi vaksinën dhe ilaçin për COVID, prodhuar nga Project Veritas, një media kontroverse e ekstremit të djathtë që përhap dezinformata dhe teori konspirative, është bërë virale në Kinën kontinentale me pretendime shtesë se virusit të COVID-19 ju bë mutacion dhe u përhap nga gjiganti shumëkombësh i bioteknologjisë, Pfizer, shkruan Global voices.

Pa verifikuar përmbajtjen, propagandistët dhe zëdhënësit e Kinës cituan burimin dhe i kërkuan qeverisë amerikane t’i përgjigjet pretendimit dhe të zbulojë “të vërtetën”.

Videoja virale është një prodhim i një operacioni të fshehtë mashtrues, i cili pretendonte se një udhëheqës i studimit, Jordan Tristan Walker në Pfizer zbuloi se kompania po eksploron mutacionet e COVID-19 për vaksina të reja.

Në video, një burrë foli rastësisht në një bar pasi u pyet nëse Pfizer “në fund të fundit po mendon për mutacionin e COVID”:

…një nga gjërat që ne po eksplorojmë është se pse nuk e ndryshojmë atë vetë, kështu që ne mund të fokusohemi, të krijojmë, të zhvillojmë vaksina të reja, apo jo? Pra, ne duhet ta bëjmë atë. Sidoqoftë, nëse do ta bëjmë këtë, ekziston rreziku i ngjashëm – siç mund ta imagjinoni, askush nuk dëshiron të ketë një kompani farmaceutike që ndryshon viruset. Duhet të jesh shumë i kontrolluar për t’u siguruar që ky virus që ju ndryshoni të mos krijojë diçka siç e dini, të shkojë kudo. E cila, dyshoj se është mënyra se si u përhap virusi në Wuhan, për të qenë i sinqertë. Nuk ka kuptim që ky virus thjesht u shfaq…

Meqenëse video është shumë e modifikuar, është e paqartë nëse burri po fliste në mënyrë hipotetike për kërkimin e Pfizer.

Në botën anglishtfolëse, komplotet e bashkangjitura në video janë tipike për grupet antivaksinë, duke goditur Pfizer-in për praktikat e supozuara joetike dhe Kinën për rrjedhjen e dyshuar të virusit COVID-19 të prodhuar artificialisht në Wuhan.

Pfizer, në një deklaratë të datës 27 janar 2023, mohoi që kompania të ketë ndryshuar virusin në zhvillimin e saj të vaksinës së COVID-19. Por shtoi se ajo ndërmerr punë për të identifikuar mutacionet potencialisht rezistente në zhvillimin e Paxlovid, një trajtim oral për COVID-19:

[…] Në një numër të kufizuar rastesh kur një virus i plotë nuk përmban ndonjë përfitim të njohur të mutacioneve funksionale, një virus i tillë mund të projektohet për të mundësuar vlerësimin e aktivitetit antiviral në qeliza.

Gjithashtu theksonte:

Këto studime kërkohen nga rregullatorët amerikanë dhe globalë për të gjitha produktet antivirale dhe kryhen nga shumë kompani dhe institucione akademike në SHBA dhe në mbarë botën.

Platformat kryesore të mediave sociale, përfshirë YouTube, e kanë hequr videon. Pavarësisht sqarimit të Pfizer, mediat e financuara nga shteti kinez, duke përfshirë Daihe DailyGlobal Times dhe CGTN, vazhduan shpërndarjen e videos pa verifikim në mediat sociale.

Ndërsa komentatori kryesor i Global Times Hu Xijin pranoi se Pfizer e kishte sqaruar kërkimin dhe se përmbajtja e intervistës ishte ambivalente dhe jashtë kontekstit, ai në Weibo e ridrejtoi fokusin te roli i qeverisë amerikane:

Nëse do të kishte një zbulim të tillë në Kinë, qeveria dhe publiku do ta trajtonin atë në një mënyrë serioze. Të gjitha kompanitë e përfshira do të duhej të shpjegonin dhe qeveria do të formonte një grup hetimor për të zbuluar të vërtetën për publikun. Por SHBA-ja ka heshtur. Vetëm shumë pak media dhe pak njerëz të parëndësishëm e kanë komentuar këtë. Zyrtarët përgjegjës për monitorimin e ilaçeve dhe anëtarët e Kongresit janë bërë memecë. Ku është FBI? Ku janë gazetarët investigativë? Edhe nëse videoja është e fabrikuar, dhe Walker është me të vërtetë një aktor, ata duhet të sqarojnë dhe të pastrojnë figurën e Pfizer…

Komenti i Hu bëri jehonë në mediat sociale kineze. Zhou Chengyang, një komentues tjetër me më shumë se 1.8 milionë ndjekës në Weibo, për shembull, i kërkoi qeverisë amerikane t’i kërkonte falje botës. Duke cituar një numër të madh pretendimesh të paverifikuara, Zhou pohoi se virusi COVID-19 e kishte origjinën nga rrjedhjet laboratorike në SHBA dhe se SHBA ishte përgjegjëse për shpërthimin global.

Edhe zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Kinës Hua Chunying sugjeroi në Twitter një hetim për rolin e SHBA në shpërthimin global të COVID-19:

Është interesante që qeveria dhe media e SHBA-së heshtin për këtë lidhje në dukje të rëndësishme. Me sa duket, “e vërteta” dhe “transparenca” janë standarde që Shtetet e Bashkuara i mbajnë për vendet e tjera.

Videoja virale solli një numër të madh komentesh kundër SHBA-së në mesin e patriotëve në internet.

Megjithatë, shumë përdorues kinezë të mediave sociale janë gjithashtu të vetëdijshëm për historikun famëkeq të Project Veritas dhe qortuan përvetësimin selektiv të teorisë së konspiracionit në videon mashtruese. Një postim i shpërndarë mirë në WeChat theksoi (përmes Digital Times):

Nëse besoni në pretendimet, nuk mund të besoni vetëm se Pfizer luan rol në mutacionin e virusit COVID-19, por edhe në pretendimin se virusi filloi në Wuhan.

@dbezuqun, një media e qytetarëve në Kinën kontinentale në Twitter, u zemërua nga diskursi kinez i mediave sociale:

Propaganduesit e Partisë Komuniste Kineze në internet vazhdojnë të shpërndajnë video rreth  “Pfizer prodhon dhe përhap virusin” në Douyin [versioni kinez i Tiktok]. Një akt kaq i neveritshëm. Pse nuk bëjnë akuza të tilla zyrtarisht në mediat e tyre shtetërore dhe nuk bëjnë një luftë të drejtë? Sa herë që bëjnë sugjerime përmes ndikuesve të mediave sociale. Ata thjesht po përfitojnë nga fakti që amerikanët nuk shikojnë Douyan, kinezët nuk mund të lexojnë nga jashtë murit të madh kinez të internetit dhe kritikët nuk mund të flasin? Një tufë njerëzish të poshtër e të neveritshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button