U mbajt trajnimi treditor “Gazetari e bazuar në të dhëna dhe vizualizime”

Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (International Center for Journalists – ICFJ) nga data 8 deri më 10 shkurt realizuan një trajnim treditor në gjuhën angleze “Gazetari e bazuar në të dhëna dhe vizualizime”. Në trajnimin e mbajtur në Shkup morën pjesë 13 të rinj, para së gjithash studentë dhe gazetarë të rinj nga rajoni i Shkupit dhe i Pollogut, transmeton Portalb.mk.

Trajnimin e realizuan tre gazetarë të udhëhequr nga gazetari i shquar i “New York Times”, Robert Gobeloff, i cili ligjëron gazetari të të dhënave në Fakultetin e Gazetarisë pranë Universitetit Kolumbia në Nju Jork. Si trajnues nga Fondacioni Metamorfozis ishin Goran Rizaov dhe Bojan Bllazhevski, redaktorë në Agjencinë e Lajmeve Meta.

Kjo ngjarje treditore u zhvillua si një kombinim i teorisë dhe punës praktike të pjesëmarrësve në trajnim, me ç’rast u mbuluan këto tema: definimi i termit “të dhëna” dhe llojet e të dhënave, si dhe ku mund të gjenden të dhënat, si të ekstraktohen nga dokumentet PDF, si të prezantohen të dhënat në tabela dhe si të bëhet analiza e të dhënave. Trajnuesit prezantuan edhe disa mjete softuerike për vizualizimin e të dhënave.

Foto: Meta.mk

Pjesëmarrësit u ndanë në tre ekipe të cilat kishin për detyrë të krijojnë një vizualizim nga të dhënat e përzgjedhura për një temë specifike dhe në fund të trajnimit ta prezantojnë produktin final. Të rinjtë që morën pjesë në trajnimin treditor morën certifikata për aftësitë e fituara nga Qendra Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Fondacioni Metamorfozis.

Trajnimi i realizuar është pjesë e programit “Gazetaria për gjeneratën e re: Program për trajnim mediatik” të Fondacionit Metamorfozis në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (ICFJ), ndërsa u realizua me mbështetjen financiare të Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

Bëhet fjalë për trajnimin e parë nga gjithsej katër trajnime që do të zhvillohen në gjysmën e parë të vitit 2023. Përveç trajnimeve disa nga të rinjtë më të mirë që morën pjesë në punëtori do të kenë mundësi të bëhen praktikantë në një nga tre mediat e Fondacionit Metamorfozis. Në përzgjedhjen përfundimtare do të zgjidhen të rinjtë që do të realizojnë një vizitë studimore në SHBA të organizuar nga ICFJ.

Foto: Meta.mk

Ky program ka për qëllim që të rinjve t’u mundësojë të fitojnë aftësitë e nevojshme për raportim me cilësi të lartë duke përdorur të dhëna dhe fakte të verifikuara, t’i njoftojë ata me aplikimin e mjeteve digjitale ekonomike ose me kod të hapur në punën e tyre dhe t’i lidhë ata me kolegë që kanë mendime të ngjashme për t’i shkëmbyer ato në lidhje me problemet e përbashkëta dhe zgjidhjet e mundshme.

Për të gjithë të rinjtë nën moshën 29 vjeç që janë nga rajoni Jugperëndimor dhe ai i Pellagonisë, tashmë është shpallur thirrja për regjistrim në trajnimin e dytë “Mis/Dezinformatat dhe Verifikimi i Fakteve”. Trajnimi i dytë do të mbahet në Strugë nga 22 deri më 24 mars. Afati i fundit për regjistrimin për të gjithë të rinjtë e interesuar është deri më 3 mars të vitit 2023.

Foto: Meta.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button