FSHIIK dhe Fakulteti i Kulturës Fizike do vazhdojnë të ndërtohen këtë vit, por jo në stilin barok

Edhe pas më shumë se njëmbëdhjetë vjetësh nga themelimi i tij, fakulteti më i madh në vend asesi të bëhet me objektin e tij. Numri i studentëve në Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) nga viti në vit rritet, ndërsa mjediset “e huaja” që i shfrytëzon ky institucion dhe për të cilat paguan qira po bëhen tepër të vogla për t’i plotësuar nevojat e tij. Mjediset nuk mjaftojnë edhe në Fakultetin e Arsimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit (FAFSSH), i cili aktualisht i ndan ato me tre subjekte të tjera dhe është i vetmi fakultet i kulturës fizike në rajon që nuk ka kompleksin e tij sportiv, shkruan Meta.mk.

Objektet e reja pranë Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup në të cilat duhet të kalojnë këto dy fakultete mbetën të papërfunduara për shkak të falimentimit të kompanisë realizuese të punimeve. Këtë vit, shpresat për vazhdimin e ndërtimit u ringjallën, ndërsa pamja e tyre në stilin barok me sa duket do të mbetet thjesht një ide e parealizuar.

Ndërtimi i dy objekteve filloi në dhjetor të vitit 2015 si pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Të dy objektet të cilat ishte paraparë të ndërtohen në stilin barok, duhej t’i zgjidhnin problemet e fakultetevee të cilat për vite me radhë funksiononin në kushte të këqija. Realizues i punimeve ishte kompania “Beton-Shtip”, por pas falimentimit të saj në korrik të vitit 2019 punimet u ndërprenë.

Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, foto: Meta.mk
Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, foto: Meta.mk

Shkenca informatike plot prospetitet në kushte të varfra për mësim

FSHIIK është institucioni më i madh i arsimit të lartë në vendin tonë – kështu thonë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) të publikuara në korrik të vitit të kaluar, kur në këtë fakultet kanë qenë të regjistruar 4.145 studentë. Ky numër këtë vit u rrit edhe për 1.100 studentë të rinj, që do të thotë se duke mos i numëruar studentët që në ndërkohë kanë diplomuar, në FSHIIK për momentin arsimohen pothuajse 5.000 studentë.

Edhe pse sot informatika është ndoshta shkenca më me prosperitet, edhe pas njëmbëdhjetë vjetësh nga fillimi me punë fakulteti ende nuk ka objektin e tij. Për nevojat e procesit mësimor FSHIIK i shfrytëzon mjediset e fakulteteve të tjera, gjë që krijon probleme për profesorët edhe për studentët.

Mësimi online gjatë dy viteve të fundit e ka zbutur pak urgjencën e problemit, por tani që pandemia e Covid-19 u qetësua dhe studentët filluan të kthehen në mësim me prani fizike, këto probleme përsëri filluan të dalin në sipërfaqe.

Godina e papërfunduar e FSHIIK te kompleksi i fakulteteve shoqërore të UKM-së
Godina e papërfunduar e FSHIIK te kompleksi i fakulteteve shoqërore të UKM-së, foto: Meta.mk

Për momentin për shkak të mungesës së klasave, lëndët obligative të FSHIIK-ut mbahen me prani fizike, ndërsa pjesa më e madhe e lëndëve zgjedhore ndiqen online nga studentët, thotë kryetarja e Parlamentit Studentor të Fakultetit pranë FSHIIK (PSF FSHIIK), Vesella Trajkovska. Sipas saj, klasat që kanë qenë në dispozicion për ta në vitin 2019, para pandemisë, sot nuk janë të mjaftueshme. Fakulteti aktualisht është duke shfrytëzuar mjediset e Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë dhe Fakultetit të Elektroteknologjisë dhe Teknologjive Informatike (FETI), ndërsa nga ky vit akademik edhe të Fakultetit Pedagogjik.

“Së pari, ne duhet të jemi gjithmonë fleksibël ndaj pjesës tjetër të orareve të leksioneve dhe provimeve, si dhe për sa i përket numrit të klasave që na janë liruar për përdorim. Ligjëratat në kampusin teknik zhvillohen nga ora 08:00 deri në 20:00, sepse nuk ka klasa të mjaftueshme për t’i akomoduar të gjithë në kuadër të orarit klasik të punës deri në orën 16 ose 17. Vitet e fundit numri i studentëve të pranuar në FSHIIK është gjithnjë e në rritje, kështu që klasat që i kemi pasur në dispozicion në vitin 2019, në vitin 2022 nuk kanë qenë të mjaftueshme, pavarësisht se kemi marrë edhe 4 klasa shtesë nga Fakulteti Pedagogjik”, thotë Vesella Trajkovska.

Godina e papërfunduar e FSHIIK te kompleksi i fakulteteve shoqërore të UKM-së
Godina e papërfunduar e FSHIIK te kompleksi i fakulteteve shoqërore të UKM-së, foto: Meta.mk

Sipas saj, nevoja për një objekt të veçantë për FSHIIK-un është e padiskutueshme dhe është diçka për çka fakulteti ka nevojë që nga themelimi dhe që u takon studentëve me vetë regjistrimin në këtë fakultet.

“Kampuset e fakulteteve të shkencave informatike kanë një numër të madh laboratorësh të cilët mund t’i shfrytëzojnë studentët, salla leximi, klasa ku studentët mund të mësojnë individualisht ose në grup, kafeteri, bufe e kështu me radhë. Në ato laboratorë apo salla leximi mund të investojnë shumë kompani të cilat duan të promovohen tek studentët, me qëllim që të ketë pajisje me të vërtetë cilësore. Për momentin mendoj që një gjë e tillë nuk ndodh shpesh në FSHIIK sepse laboratorët nuk janë tanët dhe janë të përkohshëm, kështu që kompanitë nuk kanë leverdi të investojnë në një sallë e cila pas 3 ose 5 vjetësh mund të mos jetë fare e nevojshme në këtë kampus, sepse FSHIIK mund të jetë zhvendosur në objektin e ri. E njëjta gjë vlen edhe për dyqanet ushqimore, kafenetë, restorantet dhe bufetë”, thotë Trajkovska.

Godina e papërfunduar e FSHIIK te kompleksi i fakulteteve shoqërore të UKM-së
Godina e papërfunduar e FSHIIK te kompleksi i fakulteteve shoqërore të UKM-së, foto: Meta.mk

Qindra studentë, një amfiteatër

Shkenca kompjuterike mbase edhe mund të studiohen online, por jo edhe sportet. Fakulteti i Arsimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit gjithashtu ka një nevojë të madhe për të pasur mjediset e veta. Në këtë fakultet vitin e kaluar kanë studiuar gjithsej 455 studentë, 340 prej tyre kanë qenë studentë të rregullt. Për mësimin teorik të të gjithë këtyre nxënësve profesorët kanë në dispozicion vetëm një amfiteatër, ndërsa në hapësirën ku ndodhet fakulteti, krahas tij funksionon edhe gjimnazi i sportit – Shkolla shtetërore për kulturë fizike “Metodi Mitevski – Brico” dhe Akademia e Sportit.

Për nevojat e disa lëndëve, fakulteti përdor edhe objekte të marra me qira në lokacione të ndryshme në Shkup.

“Objektet për realizimin e procesit mësimor në Fakultetin e Arsimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit i ndajmë edhe me tre subjekte të tjera. Më kritike është situata me realizimin e mësimit teorik, për realizimin e së cilit kemi në dispozicion vetëm një amfiteatër. Fakulteti i Arsimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit është i vetmi fakultet në rajon që nuk ka kompleksin e tij sportiv. Për nevojat e lëndëve si noti me vaterpolo dhe atletikë studentët e shfrytëzojnë pishinën në Karposh, ndërsa për realizimin e mësimit nga lënda e atletikës shfrytëzohet Stadiumi Ushtarak dhe Arena ‘Toshe Proeski’”, thotë profesori dhe prorektori për mësim në FAFSSH, Borçe Daskallovski.

Dekani i FSHIIK, Boro Jakimovski, nuk u përgjigj në pyetjet e Meta.mk në lidhje me problemet me të cilat përballet fakulteti për momentin dhe për informacionet që kanë në lidhje me ndërtimin e objektit të ri.

Studentët e këtyre dy fakulteteve shpresojnë se fakultetet e tyre do të kenë objekte ku do të mund të shkollohen, edhe pse ka pak gjasa që gjenerata e tanishme e studentëve të “shpërngulet” në objektet e planifikuara në kampusin social të UKM-së.

E pa mbaruar është edhe godina e FAFSSH-së, foto: Meta.mk
E pa mbaruar është edhe godina e FAFSSH-së, foto: Meta.mk

Në muajin dhjetor Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, tha se në vitin 2023 do të vazhdojë ndërtimi i objekteve të dy institucioneve të arsimit të lartë. Meta.mk iu drejtua me një pyetje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për atë se deri ku ka arritur kjo procedurë, nga ku u përgjigjën se janë duke i reviduar projektet.

“Për momentin po rrjedh revidimi i projekteve për ndërtimin e FSHIIK-ut dhe Fakultetit të Kulturës Fizike, ndërsa qëllimi është të hiqen pozicione të caktuara që janë pjesë e estetikës së objekteve, por që nuk kanë të bëjnë me funksionalitetin, me qëllim uljen e shpenzimeve të panevojshme në kushte të krizës ekonomike. Pas përfundimit të revidimit do të zbatohet edhe procedura e prokurimit publik për të zgjedhur operatorin ekonomik që do ta përfundojë ndërtimin”, thanë nga MASH-i.

E pa mbaruar është edhe godina e FAFSSH-së, foto: Meta.mk
E pa mbaruar është edhe godina e FAFSSH-së, foto: Meta.mk

Sipas përgjigjes së ministrisë mund të konstatohet se pamja në stilin barok në të cilin “Beton-Shtip” duhej t’i ndërtonte këto objekte nuk do të realizohet.

Fakulteti i Arsimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit dhe Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, foto: Meta.mk
Fakulteti i Arsimit Fizik, Sportit dhe Shëndetit dhe Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, foto: Meta.mk

Mbetet të shihet se çfarë zgjidhje do të ketë për pamjen e dy objekteve dhe kur do të shpallet tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të vazhdojë ndërtimin e objekteve të FSHIIK dhe FAFSSH.

Përndryshe, në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për këtë vit janë paraparë 21,6 milionë denarë për vazhdimin e realizimit të këtij investimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button