SHBA përshëndeti shënimin paqësor të 4 shkurtit dhe përpjekjet për de-eskalimin e retorikës midis Shkupit dhe Sofjes

Departamenti Amerikan i Shtetit përshëndeti shënimin paqësor dhe dinjitoz të ditëlindjes së revolucionarit maqedonas Goce Dellçev, i cili u mbajt të shtunën në Shkup, si dhe përpjekjet e liderëve maqedonas dhe bullgarë për de-eskalimin e retorikës së ndërsjellë, transmeton Portalb.mk.

Në pyetjen e Agjencisë Informative të Maqedonisë (MIA), nëse Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se reagimi bullgar ndaj sulmit ndaj Hristijan Pendikov, si dhe deklarata e votuar në Kuvendin e Bullgarisë, është ekzagjerim në përmasa të paprecedentë nga Sofja zyrtare, Uashingtoni u përgjigj se të dyja palët tashmë janë duke punuar për de-eskalimin e retorikës dhe përshëndetën shënimin paqësor të ditëlindjes së Dellçevit.

“E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin integrimin e plotë euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, tha për MIA një zyrtar i Uashingtonit.

Shënimi i 151 vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit të shtunën, më 4 shkurt në Shkup, u zhvillua nën siguri të fortë policore, por në një atmosferë paqësore përkundër paralajmërimeve se ngjarja do të jetë me rrezik të lartë sigurie për shkak të rritjes së tensionet me Bullgarinë në periudhën e fundit.

Atmosferë e tensionuar, megjithatë, ka mbizotëruar në pikën kufitare “Deve Bair”, kur shtetasit bullgarë që dëshironin të merrnin pjesë në shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit në Shkup, nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Maqedonisë për shkak të prishjes së sistemit të kontrollit kufitar.

Më pas MPB njoftoi se tre shtetas bullgarë janë ndaluar për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe sjellje të pahijshme me punonjësit e policisë në pikën kufitare Deve Bair. Të treve u është shqiptuar gjobë prej 300 euro dhe është urdhëruar dëbimi nga vendi dhe ndalimi i hyrjes në vend për një periudhë prej tre vitesh.

Kujtojmë se tensionet mes dy vendeve u rikthyen në muajin nëntor të vitit të kaluar kur pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, hapën në Manastir dhe Ohër klube bullgare me emrat “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”, të cilët kanë sunduar me Bullgarinë në periudhën e Perandorisë Osmane, me synimin e “bashkimin e tokave maqedonase me Bullgarinë”.

Një pjesëtar i këtij klubi, më 16 janar, u sulmua fizikisht gjë që rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve duke çuar madje edhe në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkupi.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, më 23 janar, presidenti maqedonase, Stevo Pendarovski, tha se ardhja e ndonjë grupi të bullgarëve më 4 shkurt përbën “rrezik të lartë sigurie”, andaj kërkoi shtimin e masave të sigurisë.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupit për t’i hapur rrugë bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, bisedimet mund të bllokohen nëse Maqedonia e Veriut nuk bën ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën saj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen ndërmjet dy vendeve, bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.

Kujtojmë që ditëve të fundit janë rritur tensionet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut si shkak i sulmit të sekretarit të klubit bullgar Car Boris Treti” në Ohër, i cili ka shtetësi të RMV-së por deklarohet si bullgar.

Ministri teknik i Jashtëm i Bullgarisë, Nikollaj Millkov, deklaroi se Bullgaria do të marrë të gjitha masat për rastin “Pendikov” dhe tashmë punohet për këtë. Ai tha gjithashtu se për shënimin e lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, të dyja vendet dhe kryesisht institucionet në RMV duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga çdo provokim për të siguruar rendin e nevojshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button