Kryetarët e komunave iu përgjigjën thirrjes së kreut të BNJVL-së për të ndihmuar të prekurit në Turqi dhe Siri

Kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), Orce Gjorgjievski, u bëri thirrje kryetarëve të të gjitha komunave në vend, që në kuadër të mundësive financiare të komunave, të bëjnë donacion për të prekurit nga tërmetet shkatërrues në Turqi dhe Siri, transmeton Portalb.mk.

Tani është momenti, tha Gjorgjievski, kur të gjithë duhet të tregojnë fisnikërinë e tyre në veprim dhe të dëshmojnë se humanizmi dhe solidariteti është ajo që na përcakton dhe është forca jonë lëvizëse.

“Unë vetë si kryetar i Komunës së Kisella Vodës tashmë kam dorëzuar një iniciativë në Këshill për dhënien e ndihmës financiare prej 500.000 denarë për popullatën e prekur nga Turqia dhe Siria. Gjithashtu kemi kontaktuar me Ambasadën e Republikës së Turqisë në Maqedoni, të cilës i kemi ofruar një lloj tjetër mbështetjeje. Nga aty do të informohemi më tutje për nevojat specifike, kështu që do të dalim me ndihmë adekuate për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrues”, tha kryetari i BNJVL-së dhe kryetar i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski.

Gjorgjievski shprehu shpresën se edhe pjesa tjetër e kryetarëve të komunave në vend do ta ndjekin hapin e tij, në mënyrë që, siç thotë ai, t’u ndihmohet njerëzve në Turqi dhe Siri, të cilët humbën ndoshta gjithçka që kishin në një moment.

Thirrjes së Gjogjievskit i janë përgjigjur një pjesë e madhe e komunave, në krye me Qytetin e Shkupit. Qyteti i Shkupit pritet të vendos në seancën e ardhëshme për ndihmën humanitare që do të jepet për tërmetin në Turqi.

“Kemi dërguar kërkesë në Këshillin e Qytetit të Shkupit që në seancën e ardhshme këshilltarët të vendosin për ndihma humanitare për viktimat e tërmetit katastrofik”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Komuna e Tetovës dhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në shenjë solidarizimi dhe mbështetjeje ka dërguar një grup zjarrfikësish të specializuar dhe të licencuar për fatkeqësi natyrore drejt Turqisë.

“Në shenjë solidarizimi dhe mbështetjeje, një grup prej 9 zjarrfikës të licencuar për fatkeqësi natyrore nga Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë sot janë nisur për në Juglindje të Turqisë në ndihmë të popullit turk”, njoftuan nga Komuna e Tetovës.

Edhe komuna e Çairit ka nisur ekip drejtë Turqisë, për t’i ndalë në ndihmë popullatës së që kanë mbetur nën rrënoja.

“Drejt Turqisë së goditur nga tërmeti i tmerrshëm dhe në ndihmë të popullit turk, po niset edhe një ekip i Shoqatës së Zjarrfikësve Vullnetar “Bajram Miftari” nga Çairi. Me Visar Ganiun para nisjes takuam të parin e kësaj shoqate Artan Demiri. Ky mision humanitar që po realizohet nga djelmoshat tanë, shpresojmë të jetë një ndihmë që do ti zbuste sadopak pasojat nga tërmeti. Sot lutjet me shpirt e me zemër të gjithë i kemi të drejtuara nga Turqia dhe populli turk dhe shpresojmë që dhimbje të tilla të mos përsëriten kurrë”, ka shkruar ish kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Tetë zjarrfikës të tjerë nga Njësiti Territorial Kundër Zjarreve në Gostivar, u nisën sot për në Turqi. Do të shkojnë t’u ndihmojnë autoriteteve turke, për të sanuar dëmet dhe për të nidhmuar banorët nga seria e tërmeteve që e kapluan Turqinë.

Ata, doli për t’i përcjellë kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili theksoi se zjarrfikësit janë të trajnuar profesionalisht. Me këtë gjest, Gostivari, shtoi më tej Taravari, u jep dorë të prekurve nga tërmeti katastrofal në Turqi.

Ai tha se ekipi i zjarrfikësve me vete do të marrë edhe ndihma humanitare të donuara nga Kompania “Almero”.

“Një ekip i licencuar i kërkim-shpëtimit nga Komuna e Gostivarit i përbërë prej 8 personash, u nis sot për t’ju dalë në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti në Turqinë Juglindore, te cilët morën me vete edhe një pjesë ndihmash humanitare të donuara nga Kompania “Almero”. I falënderoj për gatishmërinë heronjtë e qytetit tim dhe ju uroj rrugë të mbarë dhe permbushje të misionit me nder dhe profesionalizëm”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Komuna e Aerodromit nga ana tjetër do të dhurojë fonde për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri. Kryetari Timço Mucunski në faqen e tij në Facebook ka njoftuar se të mërkurën në seancën e rregullt të Këshillit të Komunës së Aerodromit do të merret vendim me të cilin do të sigurohen mjetet e nevojshme për t’i ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri.

“Me iniciativën time dhe në koordinim me kryetarin e Këshillit, Dejan Miteski, të mërkurën do të mbahet seanca e Këshillit të Komunës së Aerodromit, në të cilën do të merret vendim për sigurimin e mjeteve nga buxheti i komunës. Mjetet do të dhurohen për familjet e viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri”, ka shkruar kryetari Mucunski në Facebook.

Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, ka thirrur të enjten seancë të jashtëzakonshme të Këshillit për dhënien e ndihmës humanitare për viktimat e tërmetit katastrofik në Turqi. Komuna Qendër dhe unë, si kryetar i saj, shton Gerasimovski, do të bëjmë të gjitha përpjekjet me Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut për të ofruar dhe dërguar ndihmë të çfarëdo lloji që i nevojitet më së shumti popullatës së prekur në këto kushte.

“Pjesa qendrore e qytetit të Shkupit ende kujton me dhimbje tërmetin e vitit 1963 dhe dorën e zgjatur të ndihmës nga e gjithë bota. Prandaj do të bëjmë gjithçka që është në dorë që të ndihmojmë sadopak në këtë situatë tragjike për popullin turk”, ka thënë Gerasimovski në një telegram drejtuar ambasadorit të R. Turqisë, Sekiçzok.

Kujtojmë se dje në mëngjes rreth orës 04:17, sipas llogaritjes lokale, një tërmet me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter ka goditur Turqinë juglindore pranë kufirit me Sirinë. Sipas njoftimeve të fundit në Turqi dhe Siri, numri i të vdekurve është mbi 5.000 dhe vazhdon rritet. Gjithashtu mijëra të tjerë janë plagosur. Tërmeti është një nga më të fortët që ka goditur Turqinë në më shumë se 100 vjet dhe shkaktoi lëkundje në të gjithë rajonin, duke shembur ndërtesa dhe duke i bërë banorët të vrapojnë për të dalë në rrugë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button