SPECIFIKAT

Popull specifik, sjellje specifike, rrethana specifike, dukuri specifike, specifikat tona…

Sa e shpeshtë dhe e rëndësishme është specifika në fjalorin e përditshmërisë sonë! Të falemi Zot që na e fale këtë fjalë, pa të cilën nuk do t’ia dilnim ta portretojmë pamjen e jashtme dhe të brendshme të vetvetes, vakitë tipike e atipike pa të cilat s’do të ishim këta që jemi.

Vini re sa shumë bëma të matura e të pamatura justifikojmë me specifikat. Çfarëdo që bëjmë, veçmas në sferën e politikës, prej përpara e kemi të sigurt shkulësin nga llofkat – jokerin: specifikë. Madje edhe kur kllumemi dhe prekim fundin e hurdhave septike, sërish na del në mbrojtje nëna specifikë.

Pikërisht për shkak të kësaj force magjike e shëtita nëpër labirinthet e rrashtës specifikën, me shpresë se do ta kap më me kompetencë domethënien e njëmendtë të saj.

Besoj s’e keni të vështirë ta qëlloni ku më fluturoi mendja më parë? Kuptohet, te portreti i iluziontë i shqiptarit të punuar me aq sinqeritet e qëllim fisnik nga Rilindësi, që shpalosi para syve tanë me trahomë kronike specifikat në trajtë malësorësh shtatlartë dhe me përmasa mitike; në trajtë nusesh të reja që ua ruajnë për jetë të jetëve namuzin burrave të dheut; në trajtë të fjalës së dhënë të Konstandinëve…

Zhytjes së thellë në specifikë i doli krah hallakatja, që ma rrëmbëu mendjen dhe më humbi fare. S’më kujtohet sa vite kullota lëndinave e ograjave bleroshe të poetit; sa shekuj nunurisa fiqirin me blegërimë e këmbora ogiçësh të devotshëm; sa mileniume…

T’ju them të drejtën, nuk e di saktësisht kur dhe si u zhdeha, por më kujtohet që ardhja në mend qe e pelintë. Me sytë e mi pashë si u përzien zanatet, profesionet, kompetencat… Natyrisht, nga ai moment edhe specifikat u bënë lëmsh. Kështu, gjersa vëllai, pa më pyetur fare, e mbylli arkapinë në mes të oborrit, haxhibaba therri te pojata një engjëll që t’ia lante njëpërnjë gjynahet. Profesori rrëzoi hatme në orën e gramatikës, kurse hoxha ligjëroi para xhematit mbi gjuhësinë e përgjithshme. Politikani, ngjashëm si heroi i romansierit sllav Radoje Domanoviqit, e solli vërdallë miletin shpellave prehistorike, kurse gjithollogu ushqeu shpresat e rajës me mjegulla pakuptimësishë… Dhe, për habinë e habive të botës, pikërisht në momentin kur m’u mbush mendja, që, për shkak të specifikave, t’i jap përgjithmonë lamtumirën letërsisë kalorsiake, personazhët e mi më shpallën mendjegëzuar dhe më dërguan në çmendinë.

Budallai! U tuta pa nevojë gjersa e kuptova se gjendem mes njerëzve me gjenialë të kasabasë sonë specifike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button