Platforma për barazi gjinore: T’i ndalohet ushtrimi i profesionit gjinekologut Asani

Platforma për barazi gjinore shprehet e tronditur nga aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Strugës, e cila i shqiptoi dënim me kusht gjinekologut Muhamed Asani, i cili në periudhën 2015-2020 në mënyrë të kundërligjshme ka ofruar shërbime gjinekologjike në një ordinancë të paregjistruar në shtëpinë e tij. Gjithashtu, sipas kësaj platforme, bie në sy fakti se Gjykata me këtë aktgjykim nuk ka vendosur dënim dytësor ndalim të ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës, ndonëse kjo mundësi parashikohet në Kodin Penal, transmeton Portalb.mk.

“Pavarësisht konstatimeve të Inspektoriatit Shtetëror Sanitar Shëndetësor, i cili ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme të ordinancës dy vite më parë, pas së cilës ka bërë kallëzim penal dhe reagimet e forta të organizatave të shoqërisë civile, Oda e mjekëve nuk i ka hequr licencën e punës gjinekologut deri më sot, ndër pacientet e të cilit është edhe Jëlldëz Veaposka. Kujtojmë se gjinekologu Asani në mënyrë të paligjshme e ka menaxhuar shtatzëninë e saj në ordinancën e tij shtëpiake dhe gjatë lindjes në spitalin e Strugës, të shënuar në dokumentacionin zyrtar si operacion standard, i ka hequr mitrën, veshkën dhe vezoren”, thonë nga Platforma për barazi gjinore.

Nga platforma shtojnë se në këtë mënyrë si Gjykata ashtu edhe Oda e mjekëve qëndrojnë në mbrojtje të praktikës së paligjshme shëndetësore në vend.

“Duke e kushtëzuar dënimin e veprimtarisë së paligjshme me pritjen e një vepre penale të mëtejshme, ata jo vetëm që përjetësojnë kulturën e mosndëshkimit, por gjithashtu mbështesin pa mëdyshje neglizhencën sistematike të shëndetit të grave. Qasja në shërbime të paligjshme shëndetësore gjithmonë sjell rrezik të madh për shëndetin e njerëzve, gjë që e vërteton edhe rasti Veaposka, për të cilën Asani akuzohet edhe penalisht”, thonë nga kjo platform[.

Ata bëjnë thirrje për:

  • Nëse pas këtij aktgjykimi të shkallës së parë, parashtrohet ankesë dhe lënda i jepet Gjykatës së shkallës së dytë për zgjidhje, e njëjta duhet të vendosë një dënim shtesë, ndalim të ushtrimit të një profesioni, veprimtarie ose detyre, në periudhën më të gjatë kohore sipas Kodit Penal;
  • Prokuroria themelore publike duhet të paraqesë ankesë dhe të kërkojë dënim më të ashpër;
  • Nëse aktgjykimi i shkallës së parë i marrë në këtë mënyrë është i formës së prerë, në procedurën në të cilën gjinekologu Muhammed Asani akuzohet për heqjen e tre organeve nga JëlldëzVeaposka gjatë operacionit cezarian dhe seanca e radhës është caktuar për më 10 mars, përveç dënimi kryesor, duhet shqiptuar dhe dënim dytësor, me ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës;
  • Oda e mjekëve të guxojë dhe pas vendimit të djeshëm t’i heqë përfundimisht licencën e punës gjinekologut;
  • Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me inspektoriatet dhe institucionet kompetente duhet të dalë menjëherë në terren dhe në mënyrë proaktive të përfshihet në zbulimin dhe ndalimin e praktikave të paligjshme dhe nisjen e procedurave ndaj mjekëve që punojnë “në të zezë”.

“Shëndeti i gruas duhet të jetë prioriteti kryesor për të gjitha institucionet dhe për Odën e mjekëve: ndaj rastet e ordinancave të paligjshme që janë “kasapë” potencialë nuk duhet të përsëriten në të ardhmen!”, thonë nga Platforma.

Kujtojmë se dje, gjinekologu strugan, Muhamed Asani, është dënuar me dy vite burg me kusht për shkak se në katin përdhese të shtëpisë së tij familjare në Strugë ka ofruar shërbime shëndetësore pa leje. Ai ka ekzaminuar në periudhën 2015-2020. Ndër të tjera, ai ndoqi shtatzëninë e tre lehonave nga Dibra, mes të cilave Jilldiz Veaposka, e cila mbeti pa veshkë, mitër dhe vezore. Për këtë rast tashmë ka një proces gjyqësor ndaj tij, djalit dhe një tjetër mjeke. Prokuroria i procedon për krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve. Për ekzaminimet e paligjshme, nga pacientët ka marrë nga 1.000 deri në 1.200 denarë, dhe nuk u ka dhënë asnjë dokument për mjetet e marra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button