MMPT: Kryetari i Këshillit të Komunës me tendencë saboton kërkesën tonë për pranimin e 50 shportave për mbeturina

Përfitimi i pikëve politike nga ana e kryesuesit të këshillit të Komunës së Tetovës përmes pranimit të donacionit (epruvetës) nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i cili ishte përmes programit GLOBE, tregon qasje joserioze të udhëheqësisë aktuale ndaj problemeve reale të komunës. Kështu kanë reaguar nga nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” (MMPT) të cilët thonë se kryetari i këshillit nuk i përgjigjet në kërkesën e tyre për të pranuar donacionin e tyre prej 50 shportave të mbeturinave. Durmishi hesht edhe në pyetjet e Portalb.mk.

Nga “Më Mirë për Tetovën” thonë se seanca e fundit në këshillin e Tetovës ishte dëshmi për qasjen joserioze të udhëheqësisë aktuale ndaj problemeve të shumta që ballafaqohet Komuna.

“Nga fillimi i vitit, Më mirë për Tetovën disa herë e ka kontaktuar kryesuesin e Këshillit të komunës së Tetovës, z. Besar Durmishi, për të rifilluar procedurën e pranimit të donacionit tonë, “50 shporta të mbeturinave për Tetovë më të pastër”, të cilat duhet të instalohen në lokacione të ndryshme të qytetit. Fatkeqësisht derisa kjo nismë sabotohet me tendencë duke mos dhënë përgjigje, kryesuesi i këshillit “dëshirat” e tij i vendos si pikë shtesë në rendin e ditës me qëllimin e përfitimit të pikëve politike dhe bëhet spektakël me donacion të një gote/epruvete/”bardaki” 250 ml nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Jetësor në vlerë prej 177 denarë”, thuhet në reagimin e ”Më Mirë për Tetovën”.

Ata apelojnë te udhëheqesia e komunës dhe kryesuesi i këshillit t’u qasen më seriozisht problemeve komunale, t’i lënë anash inatet politike për interesa të ngushta partiake dhe të pranojnë sa më parë donacionin që do të kontribuojë në mirëmbajtjen e pastërtisë në komunën e Tetovës.

Për atë se përse nuk është përgjigjur në këtë kërkesë, kontaktuam kryetarin e Këshillit të Komunës, Besar Durmishin, edhe përmes telefonit edhe sms porosive, por deri në publikimin e këtij shkrimi përgjigje nga ai nuk morëm.

Këto 50 shporta për mbeturina u prezantuan gushtin e vitit të kaluar të cilat ishin blerë me pagat e ish dy këshilltarëve komunal nga nisma “Më Mirë për Tetovën” dhe të njëjtat ishin të destinuara si donacion për Tetovën. Për t’u vendosur të njëjtat, kjo duhet të pranohet nga këshilli komunal si donacion, pra të merr leje, e njëjta pritej të bëhet pas konstituimit të këshillit të ri pas zgjedhjeve të 20 gushtit, por kjo nuk ka ndodhur ende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button