Maqedonia e 85-ta në Indeksin e fundit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International

Maqedonia e Veriut, me indeks 40, u rendit e 85-ta në Raportin e publikuar sot të Transparency International (TI) për Perceptimin e Korrupsionit. Përveç kësaj, thuhet se mungesa e integritetit në përzgjedhjen e figurave kyçe në gjyqësor dhe menaxhimi joefektiv i rasteve të vazhdueshme kundër korrupsionit po minojnë përpjekjet e autoriteteve në drejtimin e duhur. Vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut kishte një indeks prej 39 dhe ishte në vendin e 87-të, transmeton Portalb.mk.

Në raportin e TI për 2021, Maqedonia e Veriut u rendit e 111-ta me 35 pikë. Në Ballkanin Perëndimor, përpara Maqedonisë janë Kosova në vendin e 84-të dhe Mali i Zi në vendin e 65-të. Serbia, me indeks prej 36 në vendin e 101-të dhe Bosnja dhe Hercegovina, me indeks prej 34 në vendin e 110-të, thuhet se kanë arritur nivelet më të ulëta historike këtë vit në mes të betejave të tyre me sundimin e ligjit dhe gjyqësorin e rrënuar. Në Bosnje dhe Hercegovinë, një sërë skandalesh korrupsioni, dorëheqje dhe procedura shumë të gabuara për emërimin e një kryeprokurori të ri kanë njollosur integritetin e prokurorisë kryesore. Në Serbi, lojtarët politikë kanë ndikim të konsiderueshëm mbi gjyqësorin, i cili ka goditur një numër rastesh të profilit të lartë të krimit të organizuar – duke përfshirë ato me përfshirje të supozuar të zyrtarëve të nivelit të lartë. Shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të luftojnë për të kontrolluar krimin e organizuar dhe institucionet me burime të pamjaftueshme u mungojnë kapacitetet ose pavarësia për tu përballur problemin – pjesërisht për shkak të korrupsionit. Danimarka renditet e para në listë me indeks prej 90, ndërsa Somalia renditet e fundit me një indeks prej 12.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (IPK) rendit 180 vende dhe territore sipas nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik, sipas ekspertëve dhe biznesmenëve. IPK 2022 analizon marrëdhëniet midis konfliktit, sigurisë dhe korrupsionit – duke marrë një vështrim të thellë se si dhuna dhe korrupsioni ndikojnë në njëri-tjetrin në mbarë botën. Raporti i këtij viti do të vazhdojë të krahasojë nivelet e korrupsionit me kalimin e kohës, duke theksuar se cilat vende janë përmirësuar, kanë përparuar apo stagnuar.

Kujtojmë se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut edhe gjatë vitit 2022 ka vazhduar të jetë në shënjestër të kritikave serioze për shkak të vendimeve skandaloze, të cilat kanë krijuar me të drejtë perceptimin te qytetarët se në këtë vend të vogël, ndëshkohen vetëm të pafuqishmit. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar, prandaj ndërkombëtarët edhe këtë vit e kanë qortuar RMV-në, derisa të rinjtë po largohen për të gjetur një vend ku shteti të gjithë i trajton në mënyrë të barabartë.

“Miqësia” mes gjyqësorit dhe korrupsionit

Ata të cilët shpallin vendime në emër të popullit, besimin e popullit nuk e kanë. Në anketën e fundit të IRI-it të realizuar në shtator-tetor 2022 vetëm 4% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë besim të plotë në gjyqësor. Qytetarët, edhe gjatë vitit paraprak, gjegjësisht 2021, deklaruan se nuk i besojnë gjyqësorit. Sipas anketës së “Eurothink”, vetëm 8% prej tyre kanë besim në gjyqësor.

Kjo tregon se vendi nuk po i bën reformat dhe hapat e mjaftueshme për kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili ka humbur ndër vite, si rezultat i politikës së mosndëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.

Edhe gjatë vitit 2022, gjyqësori u përfol më së shumti në kontekst të bashkëpunimit me krimin dhe korrupsionin, se sa të luftimit të tyre. Jo rastësisht, ambasadorja amerikane, me të ardhur në RMV, si njollë të zezë të vendit e përmendi korrupsionin dhe për këtë, paralajmëroi ekip special amerikan për të vështruar në mënyrë më agresive funksionarët e korruptuar, të cilët e vizituan vendin, por nuk dihet se si do të veprojnë më tej.

Por, sipas Komisionit për Antikorrupsion ardhja e këtij ekipi nënkupton dështim për politikën e Maqedonisë së Veriut, pasi ne nuk i kemi kryer detyrat. “Të të vijë në atë nivel ekip nga Amerika, është ta prekësh fundin”, thanë nga Antikorrupsioni.

Edhe StevoPendarovski, gjatë fjalimit vjetor në Kuvend u ndal te ardhja e ekipit amerikan, i cili tha se, realiteti është se askush nga jashtë nuk do ta çrrënjos korrupsionin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse institucionet tona dhe përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve nuk e bëjnë këtë. Ai theksoi se nuk do të ketë drejtësi derisa kriminelët nuk i vendosim në burgje të mbyllura dhe derisa gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar janë në liri.

Procese të papërfunduara

Pavarësisht se kanë kaluar 3 vite, gjyqësori ende nuk e ka mbaruar gjykimin për rastin tragjik të Llaskarcës ku humbën jetën 16 persona.

Procesi gjyqësor për djegien e Spitalit Modular të Tetovës në vitin 2021 ku humbën jetën 14 persona, ka filluar, por vazhdimisht anulohet.

Njëkohësisht, ka nisur procesi gjyqësor për “Besa Transin”, autobusi i të cilit u aksidentua dhe u dogj në një autostradë të Bullgarisë dhe ku humbën jetën 45 persona. Pronari akuzohet se ka falsifikuar licencën e autobusit, ndërkaq gjykimi sapo ka filluar, 1 vjet pas aksidentit. Në ndërkohë Prokuroria bullgare e përfundoi hetimin për aksidentin tragjik dhe sipas tyre shoferi ka humbur kontrollin e autobusit.

Gjatë vitit 2022, Prokuroria ngriti aktakuzë kundër ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, Lidija Dimova dhe dy personave tjerë, pasi që dyshohet se kanë shpërdoruar 320.000 euro para evropiane.

Pas Dragi Rashkovskit i cili vazhdon të ndodhet në bankën e të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare të sekretarit të Qeverisë, edhe sekretari pasardhës i Qeverisë, Muhamed Zekiri dha dorëheqje nga pozita e sekretarit të Qeverisë pasi Prokuroria ngriti procedurë hetimore dhe më pas akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gazetarët hulumtues të IRL-së e publikuan dokumentarin “Gjaku i pistë” në të cilin thuhej se Klinika “Zhan Mitrev” ka bërë eksperiment të paligjshëm me pacientët dhe i ka “rrjepur” financiarisht qytetarët. Për këtë Prokuroria ngriti procedurë hetimore.

Policia Financiare ka dorëzuar padi penale kundër shtatë personave për shitjen e parcelave EVN-së në Dellçevë për ndërtimin e centraleve fotovoltaike. Shtatë personat, dy prej të cilëve drejtues në EVN, janë mes vete familjarë dhe miq. Ata, një tokë që kushtonte 35.000 euro ia kanë shitur EVN-së 1.6 milion euro.

Ndryshe, nëse ndiqen kritikat e Raportit të Komisionit Evropian në raportin vjetor 2022 ku ka theksuar se buxheti për gjyqësor është i pamjaftueshëm dhe kjo cenon pavarësinë dhe pavarësinë e tij, atëherë mund të pritet dhe rrijte të buxhetit. Ata gjithashtu kanë obliguar autoritetet e vendit që të ndërmarrin veprime për përmirësimin e gjendjes me burimet njerëzore në gjyqësor.
Gjatë vitit të ardhshëm, gjithashtu autoritetet duhet të ndërmarrin masa edhe për efikasitetin e gjyqësorit që lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të RMV-së. “Vetingu” apo verifikimi i gjyqësorit është një prej “zgjidhjeve” për pastrimin e tij, i cili ndër vite përmendet nga aktorët në vend, por ende nuk ka ndonjë angazhim konkret në praktikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button