NP “Tetova Transport” vitin 2022 e përmbylli me humbje, e njëjta pritet të ndodh edhe këtë vit, komuna e nxjerr nga balta

Ndërmarrja publike “Tetova Transport” vitin 2022 e ka mbyllur me rezultat financiar negativ prej mbi 4.2 milionë denarë. Për këtë arsye sot Këshilli Komunal votoi që Komuna e Tetovës të subvencionojë këtë ndërmarrje me 4 milionë denarë. Pritet që edhe këtë vit Komuna të subvencionojë ndërmarrjen. Opozita kritikoi se ndërmarrja keqmenaxhohet, shkruan Portalb.mk.

Kjo ndërmarrje në vitin 2022 ka realizuar të hyra të përgjithshme 8.144.530 denarë, ndërsa shuma e shpenzimeve të përgjithshme është 12.183.784 denarë, dallimi është negativ prej 4.219.936 denarëve.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se sipas këtyre shifrave ndërmarrjes i duhen 4 milionë denarë për të përmbyllur të gjitha shpenzimet e vitit 2022, për këtë arsye subvencionimi kërkohet që të miratohet nga këshilli komunal.

“Në bazë të parashikimeve për vitin 2023 vetëm do duhet të përcaktojmë standardin, ndërmarrja në nivel vjetor do të ketë nevojë për 18 milionë denarë”, tha Kasami.

Nga ana tjetër kryetari i Këshillit të Komunës, Besar Durmishi theksoi se kjo humbje vjen si rezultat i asaj se ndërmarrja është në shërbim të qytetarëve dhe se nëse ajo del në fitim do duhej që biletat të ishin 100 denarë, që është absurde sipas tij.

Për këtë arsye edhe pjesa tjetër subvencionohet nga Komuna. Në shkurt do të bëjmë një rregullore ku do të subvencionojmë ndërmarrjen ashtu siç e ka bërë edhe Qyteti i Shkupit, do të subvencionojmë  për kilometër që do të bëjë ndërmarrja publike transportuese…Në momentin që do ta sjellim rregulloren për subvencionimin e ndërmarrjes, për çdo kilometër që do të bën ndërmarrja do të sjell raport dhe do të vendoset vlera”, tha Durmishi.

Shumica e këshillit komunal votoi pro këtij subvencionimi, ndërsa opozita nuk e përkrahi.

Këshilltarët opozitarë kritikuan dhe kishin vërejtje se në këtë ndërmarrje nuk menaxhohet siç duhet.

Këshilltari nga PDSH, Visar Palloshi theksoi se nëse vazhdohet që ndërmarrja të del me humbje propozoi që kjo ndërmarrje të shuhet dhe të funksionojë si sektor i komunës.

Këshilltari nga BDI, Liridon Disha theksoi se komuna po funksionon vetëm për mbulimin e borxheve dhe të keqmenaxhimit të ndërmarrjeve komunale, dhe nëse nuk mund ta menaxhojnë këtë ndërmarrje të japin dorëheqje dhe të ketë drejtor tjetër.

Duke theksuar vështirësitë me të cilat përballet ndërmarrja, Kasami u ofroi këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim që nëse munden ta zgjidhin këtë problem për vitin 2023, të marrin drejtorin e ndërmarrjes “Tetova Transport”.

Kjo ndërmarrje të hyrat i realizon nga shitja e biletave, ndërsa shpenzime ka për pagat e të punësuarve, shpenzime për lëndë të parë dhe materiale tjera, dhe shpenzime tjera që dalin nga puna.

Ndërmarrja e transportit publik në Tetovë ka rreth 30 të punësuar, nga të cilët 12 janë shoferë, 12 kontrollorë dhe pjesa tjetër punojnë në administratë.

Kujtojmë që, në seancën e këshillit të mbajtur me 28 shtator, Këshilli Komunal i dhuroi donacion tre milionë denarë ndërmarrjes së transportit publik për mbulimin e harxhimeve.

Përndryshe, Ndërmarrja Publike “Tetova Transport”- Tetovë është e themeluar me vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës me 30.09.2019. Ndërmarrja funksionon që nga viti 2021 me disa ndërprerje. Transporti Publik prej 30 majit 2022 u riaktivizua dhe funksionon pa ndërprerje deri më tani.

Ndërmarrja e transportit publik në Tetovë ka pesë autobusë të cilët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button