SOCIALIGJENCA (III)

Studiuesja Lyle Spencer ka bërë një hulumtim në 400 filiale të Siemens-it në 56 shtete dhe ka konstatuar se shkathtësitë emocionale dhe sociale (ESI) kanë pasur impakt në profitin e kompanisë transnacionale në fjalë: punëtorët e trajnuar për ESI kishin arritur dyfishim e fitimit krahasuar me ata që s’kishin kaluar një trajnim të tillë.

Inteligjenca sociale është e rëndësishme edhe në krijimin e raporteve mësimdhënës – nxënës (student), në relacionet mes drejtorit teknik apo trajnerit dhe lojtarëve (futbollistëve, basketbollistëve etj.), mes nënës dhe vajzës së saj, mes shitësit në pazar apo në një qendër tregtare dhe blerësit potencial e të ngjashme. Ndodh që një profesor ta kalojë kuotën e studentëve për të formuar grupin në një lëndë zgjedhore, ndërsa një tjetër të mbetet vetëm me një student (rasti s’ka të bëjë me kriteret e vlerësimit), një stërvitës i sportistëve të rinj të ketë 32 fëmijë të moshës nën-12 e tjetri vetëm 3, një pemëshitës në mbrëmje t’i konsumojë, t’i shesë të gjitha arkat, ndërsa tjetër pak më andej, të mos shesë as 30 kg gjatë gjithë ditës. Pse? Shumë faktorë janë në pyetje, ndër ta ndër më ndikuesit është inteligjenca e dobët sociale.

Si shenja të nivelit të ulët të inteligjencës sociale janë të qenët përleshës, mosdëgjimi dhe sharja e të tjerëve, shpërthimet emocionale e të ngjashme. Konteksti flet për fundin e mënyrës egoiste të menaxhimit me stilin “Unë jam shumë inteligjent!”, na mëson se suksesi nuk është i indeksuar vetëm me IQ-në e lartë (Tecer, 2022), se ai varet nga shumë faktorë të tjerë, ndër ta edhe inteligjenca sociale (SQ). Këtë e kanë nënvizuar edhe Peter Salovay dhe David Carruso në veprën e tyre Menaxheri emocionalisht inteligjent (The Emotionally Intelligent Manager, 2004). Për dallim nga inteligjenca emocionale, ajo sociale nënkupton bashkimin e marrëdhënieve sociale me inteligjencën.

Psikiatristi Dr. Robert Waldinger, nga Universiteti i Harvardit, pohon porosia më e qartë nga hulumtimet 75-vjeçare është kjo: “Mbani relacione të mira”. Andaj mund të themi se zbatimi i inteligjencës sociale sjell cilësi më të lartë të jetesës, rrit satisfaksionin e jetës si në rrafshin subjektiv ashtu edhe në atë objektiv. Vija e zhvillimit shkon si vijon: IQ, EQ, SQ. Kjo e treta, inteligjenca sociale, do të jetë shkathtësia kyç për sukses dhe përmbushje (fulfillment) në të ardhmen.

Para disa ditësh ishim në zyrën e një zyrtari të lartë shtetëror shqiptar në një ministri të RMV-së. Dhe me të hyrë, politikani i ekzekutivit, pyet: A më njeh? E njihja për ta njohur sepse para disa vitesh kishim qenë në Tiranë dhe edhe atëherë sjelljen e kishte prej një të vetëpëlqyeri. Po – i thashë – para dy-tre vitesh jemi takuar në një ngjarje kulturore jashtë vendit. U bë sikur s’dinte gjë. Ja profili i njeriut që të distancon me stilin, maniret, qasjen, grimasat, gjuhën e trupit, me fjalorin që përdor. Ky individ, i vetëpëlqyer, s’mund të mbajë lidhje të shëndosha as me veten, as me anëtarët e familjes, lëre më të menaxhojë një komunë, sektor, ministri a shtet. Kjo ngase inteligjenca, mes tjerash, nënkupton edhe veprimin urtar në relacionet tru-tru, gjë ë në rastin e mësipërm mungon.

Si konkluzion mund të themi se inteligjenca sociale është njohje e vetvetes dhe menaxhim i  përshtatshëm i emocioneve, luajtje e roleve sociale në mënyrë efektive. Ajo përbën një vegël të rëndësishme për  komunikim efektiv dhe për krijim të mjedisit produktiv. Në kohë kur gjithçka artificializohet ajo na ndihmon që të ruajmë natyrshmërinë, shëndetin dhe frytshmërinë e sociabilitetit tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button