ANALIZË: Maqedonia dhe Bullgaria – tensioni politik ka vënë nën presion marrëdhëniet ekonomike! (Infografik)

Bullgaria është partneri i pestë tregtar i Maqedonisë. Pas vitit 2021, investimet nga Bullgaria në vend u ngadalësuan. Përpjekje për të “ngrohur” marrëdhëniet ekonomike në një mjedis të tensionuar politik, shkruan analiza ekonomike e Portalb.mk.

Marrëdhëniet tregtare dhe investuese…

Nuk mund të flasim për tregti, investime dhe marrëdhënie turistike, e të shkojmë nëpër dhiare. Sigurisht, tensioni politik mes Shkupit dhe Sofjes ushtron presion psikologjik në marrëdhëniet ekonomike, komentoi kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, Trajan Angelloski.

“Duke marrë parasysh situatën, do të ketë pasoja në një periudhë të shkurtër kohore, por duhet të përpiqemi të mendojmë në mënyrë perspektive. Në periudhën e ardhshme do të duhet të bëjmë maksimumin për t’i zhvilluar marrëdhëniet tregtare. Nëse analizojmë realisht, problem më i madh do të jenë korridoret, gjegjësisht mosndërtimi i tyre. Habitem se si kemi një shkëmbim kaq të madh tregtar me Bullgarinë dhe po ecim, të shprehem simbolikisht, nëpër dhiare” – thotë Angelloski.

Bullgaria renditet lart si partner tregtar i Maqedonisë, në vendin e pestë, kurse para saj janë Gjermania, Britania e Madhe, Turqia dhe Serbia. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, në fund të nëntorit të vitit të kaluar, shkëmbimi total tregtar ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë arriti në 946,5 milionë euro dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, është rritur për 42,2%, me ç’rast një pjesë e kësaj rritjeje i detyrohet energjisë me çmime më të larta në kulmin e krizës energjetike.

Eksportet tona drejt Bullgarisë, të cilat arritën në 383,3 milionë euro, u rritën për 24,2%, ndërsa importet nga Bullgaria, të cilat arritën në 563,2 milionë euro, u rritën për gati 58%. Gjeografikisht afër, Bullgaria ka qenë një lojtar i rëndësishëm investimi në tregun tonë gjatë viteve të fundit. Në vitin 2021, vlera e investimeve bullgare ishte 31,3 milionë euro. Por, tabloja ndryshon vitin e kaluar, në tremujorin e parë investimet janë në zonë pozitive në vlerën 12,5 milionë euro, në tremujorin e dytë ka një ulje me bilanc negativ sa që në fund të tremujorit të tretë të arrijnë në vetëm 9,7 milionë euro.  Bullgaria dominon në vend veçanërisht në sektorin e bankave, pas tre bankave, UNI Banka, Banka Qendrore Kooperative BQK dhe Banka Kapitale qëndron kapital nga Bullgaria.

Në fund të vitit të kaluar u organizua një forum biznesi maqedonas-bullgar me praninë e më shumë se 150 kompanive, ku u paralajmërua mundësia e investimit në sektorë të ndryshëm si sigurimet, teknologjitë, softueri, komunikimet. Ky forum biznesi u vlerësua si një hap për të ruajtur marrëdhëniet e biznesit në kushtet e marrëdhënieve të tensionuara politike mes dy vendeve.

Tre dekada “ëndërrim” për hekurudhën Bullgari-Maqedoni

Lidhja hekurudhore Maqedoni – Bullgari. Kjo trase nga Korridori 8, e gjatë gati 90 kilometra, është kthyer në simbol të një projekti infrastrukturor të shpallur prej dekadash, mirëpo të pa realizuar asnjëherë. Njoftimi i fundit për realizimin e këtij projekti ka ndodhur në fund të tetorit të vitit të kaluar kur kryeministri Kovaçevski dhe kolegu i tij i bullgar Donev me optimizëm të ndërsjellë e paralajmëruan ndërtimin.

“Ky investim i Maqedonisë së Veriut hap rrugë të reja evropiane për transportin hekurudhor, vendos një lidhje rajonale me portet e Burgasit dhe të Varnës në Bullgari dhe portin e Durrësit në Shqipëri, që është me rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë tonë” – tha kryeministri Kovaçevski.

“Korridori 8 ishte dëshira e shumë gjeneratave në të dy anët e kufirit si një lidhje kyçe mes qytetarëve dhe sektorit të biznesit të tre vendeve Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë” – tha Donev.

Korridori 8, përkundër rëndësisë strategjike për ekonominë maqedonase, deri më tani ka mbetur vetëm një projekt në letër, shtylla të ngritura në terren, të cilat madje u dëmtuan nga “dhëmbi” i kohës, e po ashtu edhe ato shina që ishin vendosur u vodhën dhe u shitën për skrap metalik. Tani kjo rrugë hekurudhore ka një rëndësi edhe më të madhe sepse do të lidhë tre vende anëtare të NATO-s, Bullgarinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ndërtimi i aksit lindor të trasesë do të kushtojë 600 milionë euro, kurse një pjesë e parave do të sigurohen nga BERZH-i.

Ky mega projekt infrastrukturor ka filluar në vitin 1994, për herë të fundit është ndërprerë në mesin e vitit 2020 kur është realizuar 54% e investimit. Lidhja e ndërsjellë e infrastrukturës mbetet një nga “pikat e dobëta”. Paralajmërohet edhe hapja e pikës së re kufitare Berovë-Strumjani. Investimi total nga të dyja palët llogaritet në 10 milionë euro, ndërsa fondet janë siguruar nga programi për bashkëpunim ndërkufitar. Deri në fund të marsit të këtij viti duhet të jetë gati dokumentacioni për analiza për nevojat e këtij projekti, e më pas do të fillojnë edhe aktivitetet për ndërtimin e projektit përfundimtar të ndërtimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button