Dyshime për larje parash në investimin e promovuar nga BDI

Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dyshon se në Maqedoninë e Veriut janë larë para përmes fabrikës për ujë “Maja”. Ministria e Brendshme ka njoftuar prokurorinë në nëntor të vitit 2016, vetëm një muaj pasi ishte hapur solemnisht fabrika. Policia ka marrë informacion për transaksione të dyshimta nga Drejtoria e Inteligjencës Financiare me indicie se, po lahen para ndërsa të përfshirë janë persona nga struktura pronësore e ML – Gari dhe vet personi juridik. Procecdura parahetimore për këtë rast zgjat pothuajse shtatë vite ndërsa periudhën e gjatë të mbledhjes së dëshmive për “larje parash”, prokuroria e arsyeton me faktin që hetojnë persona dhe kompani prej destinacioneve off shore, shkruan IRL, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria pasi t’i marrë të dhënat, do të sjell vendim nëse do të nis hetim dhe nëse i njëjti do të finalizohet në të ardhmen me aktakuzë për “larje parash”.

Kompania ML Gari është themeluar në vitin 2011 nga Dashmir Abdija, i cili është nga Pirroku i Tetovë. Në këtë kompani si pronar është kyçur avokati kroat Branimir Kojiq. Në prill të vitit 2012, me vendim të qeverisë së atëhershme të Nikolla Gruevskit, Abdija do të marrë koncesion për eksploatim të ujit mineral në kohëzgjatje prej 20 vitesh. Marrëveshjen, në emër të Qeverisë, e ka nënshkruar ministri i atëhershëm i Ekonomisë nga BDI, Valon Saraçini, i cili njihet me Abdinë. Vitin 2013, u paralajmërua investim milionësh në fabrikën e ujit për pije.  Atë vit do të hidhet edhe gur themeli i ndërtimit të fabrikës e cila do të punojë me emrin “Maja”. Në vitin 2016, përfundoj ndërtimi i fabrikës “Maja” dhe fillon me punë.

Në hapjen e fabrikës ka marrë pjesë gjtihë kryesia partiake e BDI-së në krye me Ali Ahmetin. Në vitin 2018, në seancë qeveritare do të miratohet dhe ndahet koncesioni i dytë për eksploatim të burimeve minerale për lokacionin Zvinçnisë në fshatin Gari, po ashtu për 30 vite, ndërsa marrëveshjen e ka nënshkruar në emër të Qeverisë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Investimi në fabrikë vjen përmes kompanisë off shore “Zedarija Venturs”, e regjistruar në ishujt e virgjër britanik. Sipas IRL, ndërtimi i fabrikës moderne për ujë është realizuar përmes kredisë i cili më pas duhet të shndërrohet në kapital të kompanisë maqedonase ML Gari, e cila në opinionin e vendit u paraqit si investitor kryesor i mbi 10 milionë eurove në vitin 2016, kur edhe u hap fabrika në prezencë të kryesisë së BDI-së.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button