Nuk mund që një drejtor të marrë pagë më të lartë se presidenti apo ministri, thotë Trençevska për projektligjin për pagat

Nuk mund që një drejtor i ndërmarrjes publike të marrë pagë më të madhe se presidenti i shtetit apo ministri përgjegjës për atë fushë, thotë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, për Projektligjin e propozuar për sistemin e pagave në sektorin publik i cili mori reagime të forta nga sindikatat, transmetron Portalb.mk.

Sindikata e kulturës së Maqedonisë (SKRM) që nga fillimi i këtij muaji reagoi se projektligji është një lloj precedent tipik i diktaturave, kuazidemokracive dhe shteteve hibride, e jo i vendeve të BE-së. Qeveria tha se është draft version për të cilin do të konsultohen të gjithë aktorët, institucionet, sindikatat etj.

Sipas reagimeve të Sindikatës së Pavarur të Arsimit dhe Shkencës (SPAShK), ligji parashikon që paga e punonjësve të sektorit publik të vendoset në Kuvend nga 120 deputetët, si dhe për atë se lartësua e pagës të mujnd të ulet në periudha të caktuara kohore, përkatësisht nëse organet shtetërore kanë mungesë të parave të mund ta kompensojnë atë duke shkurtuar pagat e punëtorëve.

Ministrja sot tha se ligji është në version pune dhe i është dorëzuar ENER-it që të gjithë të komentojnë. Është mirë, thotë ajo, që edhe sindikatate dhe punëdhënësit dhe punëtorët në sektorin publik të japin komentet e tyre, në mënyrë që të mbahen dëgjime publike dhe të bëhen sugjerime që do të përmirësojnë tekstin ekzistues. Rezultati përfundimtar duhet të jetë avancimi i të drejtave të punonjësve në sektorin publik.

“Nuk mendoj se është antikushtetuese, në fakt ne duam të vendosim rregull në paga në sektorin publik. Kemi paga të ndryshme për të njëjtën punë në institucione të ndryshme. Qëllimi i këtij ligji është të vendosë një kufi për pagën më të lartë në çdo aktivitet, në çdo fushë dhe që ajo të mos shkojë më lart. Le të vendosim rregull njëherë e përgjithmonë në sektorin publik”, tha Trençevska.

Në përshkrimin e propozimit të paraqitur nga Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës (MShIA) thuhet se në legjislacionin e vendit nuk ekziston një sistem i vetëm pagesash për llogaritjen e pagave të punonjësve në institucionet e sektorit publik, përkatësisht nuk ka një metodologji e vetme për llogaritjen e pagave të punonjësve në sektorin publik.

“Llogaritja dhe pagesa e pagave në institucionet e sektorit publik aktualisht bëhet në bazë të ligjeve të veçanta dhe marrëveshjeve kolektive, e në disa institucione edhe me rregullore – në kundërshtim me parimet dhe dispozitat e Kushtetutës. Është evidente se nuk ka rregulla të qarta dh metodologji uniforme për llogaritjen e pagave në pushtetin legjislativ, në pushtetin ekzekutiv, në pushtetin gjyqësor, në pushtetin lokal, të personave të zgjedhur, të zgjedhur dhe të emëruar dhe shoqëritë tregtare në pronësi të plotë shtetërore”, thotë MShIA.

Sindikata reagon edhe për faktin që neni 41 ngrin rritjen e pagave në lidhje me vlerën e pagës minimale në shtet, si dhe për faktin se sipas nenit 26 paragrafi 5 shteti mund të shpallë të pavlefshme Kontratat jokompatibile kolektive dhe se Marrëveshja kolektive për kulturën do të shfuqizohet. Por ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska tha se Marrëveshja kolektive nuk do të ndërpritet sepse këtë të drejtë e kanë marrë pas 15 vjetësh.

“Në vend të BE-së, ne po kthehemi në skllavëri, ku do të duhet të punojmë në kushtet e përcaktuara nga kamxhiku. Prandaj në vend mungojnë mjekët, profesorët, inxhinierët, sepse prej 30 vitesh partitë i kanë përcaktuar kushtet e punës. Prandaj nuk ka kush të shkruajë një tekst shkollor, të kujdeset për fëmijët, mjedisin dhe energjinë. Nëse vendi dëshiron të anëtarësohet në BE, do të ketë nevojë për profesionistë në çdo fushë. Ata duhet të respektohen dhe të paguhen në përputhje me rrethanat. Të punosh në kushte të imponuara nuk është vlerë evropiane. Parimi ‘merre ose lëre’ përzuri mijëra njerëz cilësorë, mundësoi partizimin thuajse të plotë të sektorit publik, ndërkohë që qytetarët prej 30 vitesh paguajnë për një sistem të përbërë nga profesionistë, të cilët do t’u ofrojnë shërbim profesional. Mijëra profesionistë tanë tani punojnë në Evropë dhe këtu nuk ka kush t’u thotë fëmijëve se ku është perëndimi, kush është flamuri i Austrisë, Sllovenisë, Francës”, thotë Sindikata e kulturës së RM-së, duke u bërë thirrje të gjitha sindikatave që të qëndrojnë të vendosur kundër këtij Projekt-ligji.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button