Bekteshi në skriningun bilateral: Me harmonizimin e legjislacionit, do të sigurojmë të drejta më të mëdha

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka mbajtur sot në Bruksel takimin e parë bilateral në kuadër të Klasterit të Tregut të Brendshëm, me kapitullin 3 – E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime. Ky është takimi i parë bilateral për një Kapitull për të cilin është kompetente Ministria e Ekonomisë, trnsmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij të hapjes, ministri Bekteshi falënderoi Ministrinë e Ekonomisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme në realizimin e aktiviteteve për harmonizimin me legjislacionin në këtë kapitull.

“Konkluzionet dhe rekomandimet që do të dalin nga ky takim bilateral do të përcaktojnë hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit në fushën e së drejtës së themelimit dhe lirisë për të ofruar shërbime. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e garantimit të së drejtës së themelimit dhe lirisë për të ofruar shërbime përmes procesit të harmonizimit të legjislacionit në këtë fushë. Lëvizja e lirë e shërbimeve nëpërmjet eliminimit të barrierave në kryerjen e aktiviteteve shërbyese do të kontribuojë në zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, në nivel më të lartë të punësimit, në një shkallë të lartë të konkurrencës dhe përmirësim të cilësisë së shërbimeve, e në këtë mënyrë edhe në cilësinë e mjedisit jetësor. Ministria e Ekonomisë, si ministri kompetente, në bashkëpunim me institucionet tjera në vazhdimësi realizon aktivitete për harmonizimin me legjislacionin e BE-së dhe forcimin e kapaciteteve administrative në fushën e shërbimeve. Aktivitetet zbatohen në përputhje me konkluzionet dhe rekomandimet e Nënkomisioneve dhe Raporteve të Progresit të vendit tonë”, tha ministri Bekteshi.

Sa i përket kornizës ligjore, siç tha ministri, Ligji për shërbime, Ligji për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale dhe Ligji për shërbimet postare janë ligje bazë në këtë fushë.

“Direktiva për shërbimet është transpozuar plotësisht në Ligjin për shërbime. Me qëllim të implementimit të ligjit, në vitin 2020 Qeveria miratoi Planin e Veprimit për harmonizimin e legjislacionit sektorial me Direktivën. Ministria e Ekonomisë është koordinatore e procesit dhe monitoron implementimin e Planit të Veprimit. Në kuadër të Projektit IPA “Forcimi i tregut të brendshëm”, komponenti 2 për lëvizjen e lirë të shërbimeve, në periudhën 2021-2022 është kryer një analizë e re e detajuar për të vlerësuar harmonizimin e legjislacionit me Direktivën e shërbimeve. Bazuar në gjetjet e analizës, është duke u përgatitur për një Plan të ri Veprimi me masa harmonizuese. Jemi të vetëdijshëm se harmonizimi me Direktivën e shërbimeve është një proces i vazhdueshëm dhe zbatohet jo vetëm për rregulloret ekzistuese, por edhe për rregulloret e reja ose ndryshimet në rregulloret ekzistuese. Kjo merret parasysh kur planifikohen aktivitetet e ardhshme në këtë fushë”, tha Bekteshi në fjalën e tij.

Duke pasur parasysh karakterin horizontal të legjislacionit të Kapitullit 3, në skrining ishin të pranishëm përfaqësues të Grupit Punues të Kapitullit 3 nga një numër i madh institucionesh: Ministria e Ekonomisë, Regjistri Qendror, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Agjencia e Postës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencia e Kadastrës së Patundshmërive dhe të tjera.

Ministri tha se në lidhje me detyrimin për krijimin e një pike të vetme kontakti, tashmë është krijuar Portali Kombëtar për Shërbimet elektronike.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës është institucioni kompetent për procesin e transpozimit të Direktivës së BE-së për njohjen e kualifikimeve profesionale. Është përgatitur ligj i ri për njohjen e kualifikimeve profesionale në të cilin janë transpozuar Direktivat.

Në fushën e shërbimeve postare, rregulloret nacionale janë harmonizuar plotësisht me direktivën e parë dhe të dytë postare dhe janë pjesërisht të harmonizuara me direktivën e tretë, si dhe po përgatitet një Strategji për zhvillimin e shërbimeve postare dhe po përgatitet rregullativa ligjore për aktivitetet postare në bashkëpunim me Agjencinë.

Sipas kalendarit të Komisionit Evropian, procesi i skriningut për Republikën e Maqedonisë së Veriut është planifikuar të zgjasë deri në fund të nëntorit 2023.

Përndryshe, fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i sollën Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore. Në raport, thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button