Propozimi evropian, kryetemë e takimit të Kurtit me pesëshen ndërkombëtare

Propozimi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka qenë kryetema e takimit të kryeministrit Albin Kurti me pesë përfaqësues të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës e Italisë të premten, bëhet e ditur në njoftimin e Qeverisë, raporton Koha.net.

Sipas komunikatës, në takim është diskutuar edhe për të drejtat e pakicave. Po ashtu, përmendet edhe kërkesa e Kurtit për nevojën për njohjen nga shtetet mosnjohëse të BE-së dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër. U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel. Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike”, thuhet në njoftim për takimin e Kurtit me përfaqësuesin special të BE-së për dialogin, Miroslav Lajçak, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Është hera e dytë që Kurti ka takuar këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Plötner dhe Bonne, pas takimit të parë më 9 shtator 2022. Kësaj radhe atyre iu bashkëngjitën edhe këshilltari diplomatik i Kryeministres së Italisë, Talò dhe emisari amerikan, Escobar.

Në komunikatën e Qeverisë thuhet se Kurti ka njoftuar emisarët “për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik, si dhe për aplikimin e Kosovë në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar dhe në Bashkimin Evropian në dhjetor, si hapa historik për Kosovën”.

Në fund, Kurti ka shprehur gatishmërinë për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit.

Pas takimit në kryeministri, emisari Lajçak u shpreh se takimi me Kurtin ishte jo i lehtë, por i hapur. Po ashtu ka thënë se kanë pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë që ofron propozimi evropian.

Emisarët pas Kosovës kanë shkuar në Serbi ku kanë nisur takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button