Kosova në vërshime

Vendbanime nëpër disa rajone të Kosovës po përballen me vërshime si pasojë e reshjeve të dendura të shiut aktualisht në vend.

Rajoni i Dukagjinit u përfshi gjatë së enjtes nga vërshime të cilat erdhën pas reshjeve të shiut. Njëri nga fshatrat e Pejës që u vërshuan sot ishte Krysheci.

Idriz Berisha nga ky fshat thotë se uji ka depërtuar në secilin oborr. Ai kërkoi që institucionet të ndërhyjnë.

“E gjithë lagjja është e mbushur me ujë, rreth 50 centimetra e kemi ujin nëpër oborre. Si këtë vit s’ka ndodh me pas vërshime asnjëherë, nuk ka ardh askush as nga komuna as askush tjetër” – tha Berisha për ekipin e KALLXO.com.

“Kërkesa është që të vijnë të intervenojnë, ta hapin pjesën ku është bllokuar rruga nga uji” – tha ai.

KEDS-i ka njoftuar për kushte atmosferike të renduara edhe në rajonin e Pejës, në Mitrovicë, në Skenderaj dhe në Vushtrri

“Si pasojë e reshjeve edhe rajonet e Pejës, Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë tashmë janë vërshuar dhe, përveç dëmeve në infrastrukturë, është prekur edhe rrjeti elektroenergjetik” – thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Ekipet e KEDS-it kanë njoftuar se ndodhen në terren dhe në Pejë, Mitrovicë e Skenderaj dhe janë detyruar të bëjnë shkyçjen e disa daljeve nga furnizimi, meqë disa shtëpi janë përfshirë nga vërshimet.

“Kjo ndodh për shkak të sigurisë së vetë banorëve dhe të punëtorëve të KEDS-it, të cilët deri më tash në disa zona kanë arritur të riparojnë dëmet e shkaktuara dhe po punojnë vazhdimisht në eliminimin e tërësishëm të tyre. KEDS-i është i përkushtuar që të sanojë sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet nga vërshimet dhe ta kthejë gjendjen me furnizim në normalitet, për çka kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve tanë atje” – përfundon njoftimi i KEDD-it.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim.

Në lidhje me këtë IHK ka publikuar këshillat dhe veprimet të cilat duhen të merren gjatë një përmbytje.

“Si pasojë e reshjeve të shiut të cilat janë duke vazhduar me intensitet të lartë sidomos në disa pjesë të

vendit, (pjesa perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe qendrore e Kosovës), disa lumenj kanë dalur prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje’ – thuhet në njoftimin e këtij Instituti.

IHK ka theksuar se zonat më të prekura, janë ato në perëndim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçani, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Zubin Potok, Leposaviq etj.

Sipas IHK, situata e tillë e krijuar ka shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button