Mariçiq: Negociatat me BE-në janë projekti më i rëndësishëm i RMV-së të cilin duhet ta mbarojmë në vitin 2030

Zëvendëskryeministri për Çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, tha se ky vit duhet të sjellë përfundimin e plotë të procesit të skriningut, progresin e reformave dhe hapjen e kapitujve, kuptohet pas përfundimit të ndryshimeve kushtetuese, njofton Portalb.mk.

“Kemi një mundësi historike që nuk duhet ta humbim. Për ne negociatat janë një mundësi historike dhe unike për një transformim të shpejtë dhe të thellë të shoqërisë maqedonase në të mirë, gjegjësisht një shans për evropianizimin e vendit”, tha Mariçiq.

Ai shtoi se ky është projekti më i madh dhe më i rëndësishëm i Maqedonisë që kërkon bashkimin dhe vendosjen e të gjithë aktorëve shoqërorë në mënyrën se si funksionon Bashkimi Evropian: Dialog, solidaritet, mbështetje dhe kompromis, dhe si negociator kryesor me BE-në, ai i ftoi të gjithë së bashku për të treguar se vizioni dhe dëshira për ta bërë vendin anëtar të BE-së deri në vitin 2030 është reale dhe më e rëndësishme se çdo gjë tjetër kur bëhet fjalë për të ardhmen tonë.

“Me skriningun kemi një paraqitje precize, analitike të gjendjes në lidhje me përputhshmërinë e legjislativit të Maqedonisë me atë evropiane. Vërejmë mangësitë dhe përcaktojmë detyrat për të cilat do të duhet të punojmë për të arritur standardet evropiane, në kohën e duhur, sipas përcaktimit të anëtarësimit në BE në vitin 2030”, tha Mariçiq.

“Për Klasterin 1, të cilin e kemi përfunduar para pak më shumë se një muaj, do të kërkoj që në 3-4 muajt e ardhshëm të na dorëzohet Raporti i skriningut, sepse do të na ndihmojë në përgatitjen e Udhërrëfyesit për sundimin e së drejtës, për reformën e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike”, theksoi kryenegociatori me BE-në.

Mariçiq theksoi se në kuadër të Udhërrëfyesit për sundimin e së drejtës t do të jetë e nevojshme të përgatitet një Plan aksional për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve me masa për mosdiskriminimin, luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe arsimimin.

Ndërkohë, ndërsa udhërrëfyesit do të përgatiten dhe të finalizohen, në koordinim me Delegacionin e BE-së, ai tha se po përgatisin edhe një plan reformash që do të sigurojë fokus më të madh dhe përmbushje të prioriteteve kyçe të reformave gjatë vitit.

Mariçiq njoftoi se skriningu është në fazë të avancuar dhe po zhvillohet siç është planifikuar nga Komisioni Evropian. Klasteri 1 ka përfunduar me sukses dhe të hënën fillojnë takimet dypalëshe të skriningut për kapitujt 3, 6 dhe 7, gjegjësisht “E drejta për themelim dhe liria e dhënies së shërbimeve”, “E drejta e shoqërive tregtare” dhe “E drejta e pronësisë intelektuale”, nga Klasteri 2, “Tregu i Brendshëm”.

Euroambasdadori Dejvid Gir sot deklaroi se është e saktë se skriningu po avancon mirë, por nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese do të ketë ndonjë ngecje të caktuar.

Kujtojmë se, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi më 13 janar se nuk ka plane për momentin, por nuk e përjashton mundësinë e një takimi të ri të liderëve për ndryshimet kushtetuese dhe çështjet më të rëndësishme.

I pyetur se si do ta bindë opozitën që të kryejë ndryshimet kushtetuese deri në nëntor, Kovaçevski tha se, për 10 muaj mund të bëhen shumë gjëra dhe të gjithë duhet të jenë përgjegjës ndaj shtetit dhe qytetarëve.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button