Në Davos Lajçaku takoi ndaras Kurtin e Vuçiqin

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, takoi ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan REL.

Takimet me dy liderët, më 18 janar, Lajçaku i zhvilloi ndaras në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Lajçak shkroi në rrjetin social Twitter se gjatë takimit me Kurtin diskutuan “për hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale”.

Edhe në takimin e tij me Vuçiqin, u tha se u diskutua për situatën në rajon dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

BE konfirmon vizitën e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd

Lajçak më 20 janar do të vizitojë Kosovën, e më pas edhe Serbinë, për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.

Ai do të jetë i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nga i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, dhe ai i Gjermanisë, Jens Plotner, njoftoi në një konferencë për media të mërkurën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“I dërguari i posaçëm Lajçak, do të udhëtojë këtë javë në rajon. Kjo vizitë do të jetë në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për avancimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Lajçak do ta vizitojë Kosovën e Serbinë këtë të premte”, tha Stano, duke shtuar se në Prishtinë do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq”, tha Stano.

Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.

Kosova është nën presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës.

Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tyre, ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button