Spasovski: Gjendja e sigurisë stabile dhe e qetë, nuk ka arsye për shqetësim

Gjendja e sigurisë është stabile dhe në këtë moment pa asnjë indikacion se mund të prishet qetesia, siguria dhe paqja e qytetarëve, tha ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në paraqitjen e djeshme në TV24, transmeton Portalb.mk.

Spasovski shpjegoi se zhvillimet globale, si agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës, kriza ekonomike, kriza energjetike dhe zhvillimet në rajon, sigurisht që kanë ndikimin e tyre, i cili realizohet në formën e kërcënimeve hibride këtu, në vendet e rajonit, por edhe në shumë vende evropiane, si dhe sulmet hibride në disa vende që janë bërë më të shpeshta me fillimin e agresionit ushtarak.

Megjithatë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, nuk ka arsye për ngritjen e gjendjes së gatishmërisë në sektorin e sigurisë.

“Nuk ka nevojë të ngrihet niveli i sigurisë së institucioneve nga sektori i sigurisë, sepse koordinimi i vazhdueshëm dhe prioritetet e përcaktuara mirë të institucioneve në atë pjesë e ruajnë plotësisht gjendjen stabile të sigurisë në vend”, theksoi ministri Spasovski.

Ai porositi se planifikimi i koordinuar i aktiviteteve të institucioneve të sigurisë dhe reagimi i shpejtë ndaj kërcënimeve, në masën më të madhe ndikon në ruajtjen e gjendjes stabile të sigurisë.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, përkatësisht disa qytete të saj, që nga 26 tetori i vitit 2022, disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave, por më pas edhe të institucioneve, qendrave tregtare, aeroporteve, është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Deri tani, të gjitha denoncimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme. MPB, vazhdon të deklarojë se po punon në zbardhjen e tyre, por deri më tani nuk dihet se prej ku vijnë këto kërcënime.

Tani me nisjen e pushimeve dimërore, kërcënimet janëë ndërprerë dhe pritet të shihet nëse të njëjtat do të rifillojnë pas festave, posaçërisht pas nisjes së nxënësve në shkolla ku kërcënimet ishin më të shpeshta.

Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Të tilla përcënime për bomba ka pasur edhe në Serbi dhe Mal të Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button