Qyteti i gjelbër human: Industria ndot me ndihmën e institucioneve

Fabrika e çimentos USJE është pjesë e industrisë ndotëse në Maqedoni që djeg mbeturinar si “lëndë djegëse alternative”. Grupet e aktivistëve anëtarë të Qyteti të gjelbër human kanë vite që përsërisin se industria në Maqedoni është jashtëzakonisht e pakontrolluar dhe se nuk ka të dhëna të sakta dhe objektive për shkallën e ndotjes së ajrit. Me “mbikëqyrjen inspektuese” të fundit mbi USJE, ka rezultuar shumë plastikë. Ata akuzojnë se industria ndot me ndihmën e institucioneve, të cilat nuk po ndërmarrin masa, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo organizatë ekologjike thonë se në përpjekje për të treguar “transparencën” dhe “angazhimin” e tyre, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit së fundmi publikuan një sërë dokumentesh dhe informacionesh lidhur me inspektimin e kryer në USJE në periudha me ndotjen e lartë të ajrit.

Ato dokumente dhe informacione thelluan më tej dyshimet dhe ekspozuan kalbësinë e një sistemi që mbron me zell ndotësit e mëdhenj në kurriz të shëndetit publik.

Këto janë faktet që, pas analizës së të gjitha dokumenteve dhe informacioneve të disponueshme publikisht, Qyteti i gjelbër human ka vërejtur deri më tani:

  • Është paralajmëruar inspektimi i jashtëzakonshëm i USJE-së.
  • Inspektori i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, duke iniciuar kundërvajtje në vend të procedurës penale, potencialisht ka penguar ndjekjen penale të USJE-së në përputhje me parimin Ne bis in idem.
  • Inspektorët kanë matur emetimet vetëm në 3 nga gjithsej 12 oxhaqe në USJE. Sipas ligjit dhe lejes së integruar A, atyre u kërkohet të masin emetimet nga të 12 oxhaqet.
  • Sipas lejes A, nga 12 oxhaqe, detyrimi është që në mënyrë të vazhdueshme (ditore) të matet emetimi i 10 oxhaqeve dhe dy herë në vit të maten shkarkimet e 2 oxhaqeve.
  • Raportet ditore nga matjet e vazhdueshme të 10 oxhaqeve në USJE nuk janë të disponueshme askund publikisht, gjë që sërish është obligim i paplotësuar nga leja.
  • Nuk janë publikuar askund rezultatet e matjes 24 orëshe të grimcave PM10 rreth fabrikës, e cila është kryer gjatë vëzhgimit të jashtëzakonshëm.

“Në procesverbalet dhe raportet e matjeve janë vërejtur lëshime të mëdha. USJE dorëzon raporte mujore në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit. Anomalitë që janë të dukshme në raportet ditore nuk mund të shihen në ato raporte. Që matjet ditore të jenë të besueshme, duhet të ketë të paktën 16 orë të dhëna matëse në 24 orë. Nëse nuk ka matje për të paktën 16 orë, matjet nga ajo ditë konsiderohen të pavlefshme. Në mënyrë që matjet mujore të jenë të besueshme, nuk duhet të ketë më shumë se 10 ditë matje të pavlefshme. Është e paqartë se kush ose nëse dikush i vërteton matjet në baza ditore. Është e paqartë sesi inspektori që ka kontrolluar raportin e monitorimit automatik nuk e ka kundërshtuar pasi përmban të dhëna vetëm për 14 orë?!”, thonë nga Qyteti i gjebër human. 

Ata thonë se insistojnë që Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor t’u përgjigjen banorëve të Shkupit se sa vite janë toleruar USJE dhe objektet tjera industriale dhe askush nuk ka filluar procedurë penale edhe pse keni vërejtur mangësi të mëdha në matjet në rastin e vëzhgimit të fundit të kryer ?

“Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në paraqitjen e tij të fundit në TV Sitel tregoi një injorancë shqetësuese për situatën – nuk e dinte se ishte paralajmëruar mbikëqyrja e jashtëzakonshme në USJE; ai nuk e di se edhe tani e ka për obligim që publikisht t’i shfaqë të dhënat nga matjet e vazhdueshme dhe të mos presë ligj të ri për shkarkimet industriale; nuk e di se ministria që ai drejton e ka për detyrë fillimisht të fillojë procedimin penal ndaj ndotësve, dhe jo t’ia kalojë topin disa institucioneve të tjera”, thonë nga Qyteti i gjelbër human.

Kujtojmë se drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit deklaroi më 5 janar, një ditë pas inspektimit të paralajmëruar të USJE-së, se nuk ndotin fabrikat, por amvisëritë.

“Mjegulla e ndotjes në të cilën na mbajnë institucionet e sistemit do të zhduket kur çdo zyrtar i korruptuar të jetë jashtë detyrës dhe të burgoset për keqbërjet e tij!”, theksojnë nga Qyteti i gjelbër human.

Pas matjeve të emetimeve të gazrave në Çimentoren “Titan-Usje” në Kisella Vodë në datat 3 dhe 4 janar, të cilat rezultuan tre herë më të larta se sa lejohet, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit (ISHM) miratoi vendim me të cilin fabrikës i përcaktohen detyrat që duhet t’i përmbushë brenda një afati të caktuar për shkak të mangësive të konstatuara.

Një nga detyrat, të cilën fabrika duhet ta dorëzojë brenda pesë ditëve pas marrjes së vendimit nga Inspektorati, është përdorimi i gazit natyror si lëndë djegëse në dy kaldajat, sipas lejes së marrë A të integruar mjedisore. Në të njëjtën kohë, siç shtohet nga IShMJ, fabrika duhet të kryejë një lidhje të përshtatshme për matjen e emetimeve me një metodë të akredituar.

Brenda 10 ditëve pasi gazi natyror të përdoret si lëndë djegëse për ngrohjen e fabrikës, “Usje” duhet të masë shkarkimin e gazrave nga oxhaku i kaldajës që do të jetë në punë.

Pesëmbëdhjetë ditë pas marrjes së vendimit, në prani të një inspektori shtetëror mjedisor, monitorimi i të gjitha pikave të emetimit nga proceset e prodhimit duhet të bëhet në çimentore me një laborator mjedisor të akredituar.

“Shpenzimet e analizave të kryera në datat 3 dhe 4 janar 2023 përballohen nga subjekti i inspektimit pasi u konstatua se mostrat nuk plotësojnë standardet e përcaktuara sipas lejes A-IM. Afati për zbatimin e detyrës është 10 ditë nga marrja e vendimit”, shtoi Inspektorati.

Nëse konstatohet se Fabrika e çimentos “Usje” nuk vepron sipas vendimit të Inspektoratit, IShMJ-ja shton se do të paraqesë kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse, përkatësisht penale pranë organeve kompetente dhe do të fillojë një procedurën për revokimin e lejeve dhe marrjen e autorizimeve të fabrikës.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dje në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp deklaroi se në periudhën e kaluar janë zbatuar matje të ajrit ambiental në fabrikën Çimentorja TITAN USJE dhe se është konstatuar se ka përqendrim të lartë të grimcave të cilat e ndotin ajrin. Ajo tha se ka ndërmarrë iniciativë që të ngritët procedurë penale.

“Më askush nuk do të tolerohet. Shëndeti i të gjithë neve që jetojmë këtu nuk guxon të varet prej profitit të disa personave. Bëhet fjalë për Çimentoren USJE ku janë kryer matjet e ajrit ambiental në fabrikë dhe është parë se ka përqendrim të lartë të grimcave të dëmshme të cilët në mënyrë të ndjeshme ndikojnë në përkeqësimin e cilësisë së ajrit ambiental në tërë zonën e Qytetit të Shkupit, tha Arsovska.

Ndryshe, më 21 gusht, shpërtheu zjarr në rrethin e Çimentores Usje në Kisella Vodë të Shkupit. Sipas Njësitit Territorial Kundër Zjarrit – Shkup, zjarri sipas të gjitha gjasave është shkaktuar nga defekti i instalimit elektrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button