Tërmet në Shqipëri, është ndier edhe në RMV

Një termet 4.8 ballësh ka lëkundur Shqipërinë mbrëmjen e së dielës. Epiqendra sipas EMSC-së është 18 km në juglindje të Tiranës. Tërmeti është ndier edhe në Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Pas lëkundjes së fuqishme, ka pasur edhe disa dridhje të tjera, që quhen after-shock. Lëkundjet janë ndjerë në disa qytete të vendit, duke përfshirë më shumë Tiranën, Durrësin dhe Lezhën.Epiqendra ishte në zonën mes Dajtit dhe Klosit, ndërsa edhe pas lëkundjes së parë, kanë vijuar lëvizje të tokës.

Sipas të dhënave paraprake nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile dhe Igjeum, lëkundje tërmeti me magnitudë 4.7 Richter, me epiqendër 3 km në jug të Klosit janë ndier në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Sipas të dhënave të deritanishme raportohen disa dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos, njofton Top Channel. Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm më të gjitha Bashkitë e vendit.

Pas valës së tërmeteve, të gjithë shërbimet e emergjencës së Bashkisë së Tiranës kanë kaluar në gatishmëri të plotë.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i bën thirrje qytetarëve që të sinjalizojnë për çdo problematikë në numrat e emergjencës.

“Nje vale termetesh jane ndjere ne Tirane. Sherbimet tona te emergjences kane kaluar ne gatishmeri te plote! Per cdo problematike ne banesa apo rruge malore, ju lutem na sinjalizoni menjehere ne nr. 112 ose zjarrifikesit nr. 128! Kujdes per njeri-tjetrin! #BASHKE “, shkruan Veliaj.

Tërmeti është ndier edhe në Maqedoninë e Veriut, në pjesën perëndimore të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button